1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Freizer: Kolegji Zgjedhor të ushtrojë përgjegjësinë e vet për të marrë vendim të plotë për apelimet

Është shumë e rëndësishme që apelimet të mund të kalojnë nëpërmjet Kolegjit Zgjedhor në Tiranë, thotë për DW-në Sabine Freizer, drejtore seksioni për Evropën me qendër në Stamboll në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Logo aus dem Screenshot der Seite: http://www.crisisgroup.org/. Copyright: International Crisis Group

International Crisis Group

DW: Cila është përvoja e vendeve të tjera me votat e gjetura në kutinë e gabuar?

Sabine Freizer: Me duhet t'ju them se për çështjen e votave të hedhura në kutitë e gabuara të votimit është shumë e vështirë të vendoset, sepse nuk ka praktikë universale në lidhje me atë nëse votat e hedhura në kutinë e gabuar duhen apo nuk duhen numëruar. Por ajo që duket relativisht qartë është se rregullat e lojës gjatë zgjedhjeve nuk duhet të ndryshohen në mes të procesit. Kështu, nëse komisionerëve zgjedhorë u është thënë se nuk duhet t'i numërojnë këto vota, atëherë është paksa vonë për ta ndryshuar këtë rregull gjatë procesit të numërimit.

DW: A i përmbushën këto zgjedhje (deri këtu) kriteret e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme?

Sabine Freizer: Ajo që më duket mjaft pozitive është që procesi në ditën e zgjedhjeve rrodhi mjaft mirë. Prej asaj që duket se po thotë misioni vëzhgues i OSBE-së është se dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe se shumica e procedurave u kryen siç duhej. Pra, sigurisht, problemi kryesor është mjedisi tejet i polarizuar në Shqipëri, i cili krijoi një gjendje shumë të tendosur në prag të zgjedhjeve dhe ajo që ndodhi pas zgjedhjeve gjatë procesit të numërimit. Këtu ka pasur mjaft vonesa gjatë numërimit dhe ka pasur veçanërisht vonesa në shpalljen e rezultateve për Tiranën. Kjo është disi shqetësuese dhe tani është shumë i rëndësishëm rishikimi prej kolegjit zgjedhor i ankesave dhe apelimeve si dhe që të ketë një vendim gjithëpërfshirës prej kolegjit për të vendosur më në fund rezultatin e zgjedhjeve.

Sabine Freizer

Sabine Freizer

DW: Gjendja është aq e tendosur sa pas 21 janarit . Çfarë është e rëndësishme në këtë stad?

Sabine Freizer: Në këtë pikë dy gjëra janë shumë të rëndësishme. Është shumë e rëndësishme që apelimet të mund të kalojnë nëpërmjet kolegjit zgjedhor dhe që ky (kolegji) të ushtrojë përgjegjësinë e e vet për të marrë vendim të plotë për apelimet (kjo është e para gjë shumë e rëndësishme). Gjëja e dytë shumë e rëndësishme është që të mos ketë përdorim dhune prej asnjërës palë për t'u përpjekur për të zgjidhur mosmarrëveshjen zgjedhore. Nëse opozita vendos të organizojë demonstrata, ato duhet të jenë demonstrata paqësore dhe policia duhet gjithashtu ta përmbushë drejt mandatin e saj duke mos përdorur forcë të tepruar për të shpërndarë demonstratat.

DW: Ç'mund të bëhet nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtare?

Sabine Freizer: Mund të ndodhë që bashkësia ndërkombëtare të pyetet për të dhënë një lloj këshille se si duhet trajtuar kjo mosmarrëveshje. E mundshme është gjithashtu që bashkësia ndërkombëtare të thirret të ndërmjetësojë midis palëve për të inkurajuar dialogun midis tyre, por unë mendoj se në këtë moment është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri për të mbështetur një përfundim paqësor të kësaj mosmarrëveshjeje.

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi