1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Frehner: Palët në konflikt në Shqipëri nuk po tregojnë vullnet politik për kompromis

Willibond Frehner, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit gjerman "Konrad Adenauer" në Shqipëri, në intervistë me Deutsche Welle-n paralajmëron se moszgjidhja e krizës politike mund të çojë në protesta të dhunshme.

Willibond Frehner, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit gjerman Konrad Adenauer në Shqipëri.

Willibond Frehner, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit gjerman "Konrad Adenauer" në Shqipëri.

DW: Situata politike në Shqipëri sa shkon dhe po rëndohet . Greva e urisë e opozitës hyri në ditën e saj të 17-të. Çfarë pasojash mund të sjellë moszgjidhja e krizës politike?

Willibond Frehner: Kjo situatë nuk është pozitive për Shqipërinë dhe pastaj vjen Europa, procesi i integrimit europian të Shqipërisëi lidhur ngushtë me këtë kontekst. Probleme të tilla duhet të zgjidhen në parlament, prandaj janë parlamentet që kanë përgjegjësi për situata të tilla. Vetë fjala “ligjvënës”, e parathotë shumë mirë, që puna e parlamentarëve është në parlament dhe detyra e tyre primare, është të bëjnë ligje. Kryeministri Berisha ka bërë një sërë propozimesh, se si duhet përmirësuar legjislacioni që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen më mirë.

DW: Kjo nuk ka ndodhur Z. Frehner. Situata është e tillë ku secila palë çdo ditë deklaron se nuk lëviz nga qëndrimi i saj: qeveria për të mos hapur kutitë e votimit, opozita për të vazhduar grevën e urisë deri sa të plotësohet kërkesa e saj për transparencë të zgjedhjeve të kaluara parlamentare përmes hapjes së kutive . Çfarë mund të bëhet që të gjendet një zgjidhje dhe palët të ecin drejt konvergimit të qëndrimeve deri tani të kundërta?

Willibond Frehner: Nga shumë organizata ndërkombëtare janë bërë përpjektje t'i bëhet e qartë zotit Rama se deputetët e PS-se duhet të kthehen në Parlament dhe të përgatisin ligje më të mira për zgjedhjet e ardhëshme. Është thënë gjithashtu se, nëse ka pasur shkelje të ligjeve apo rregullave zgjedhore, ato duhet të diskutohen në Parlament. Për këtë ka mënyra të ndryshme si krijimi i komisionit hetimor parlamentar për hetuar çështje konkrete, raste apo shkelje kritike me vëmendje të madhe, por kutitë nuk duhet të hapeshin me vendim të deputëtëvë, pasi kjo nuk është kompetencë e tyre. Në një demokraci me ndarje pushtetesh, hetimi i parregullsive, nuk i takon parlamentit, por duhet ta bëjnë gjykatat e pavarura, të cilat duhet të vendosin, nëse duhet të hapen apo jo kutitë. Një procedurë e tillë mbështetet në Kushtetutën e Shqipërisë dhe sipas legjislacionit shqiptar, fatkeqësisht Ramës nuk iu lejua të vijonte më tej. Ai ka thënë se nuk i beson Prokurorisë apo prokurorëve të shtetit. Si organizatë ndërkombëtare apo përfaqesues i Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri nuk shoh ndonjë mundësi tjetër, përvec lënies në dorë të pushtetit gjyqësor dhe ligjit shqiptar.

DW: Çfarë mund të sjellë vazhdimi i krizës politike dhe i grevës së urisë?

Willibond Frehner: Natyrisht, greva e urisë është shumë më spektakolare për të fituar më shumë vëmendje për kauzen e opozitës, por pyes veten nëse kjo jep vërtet rezultat dhe a e zgjidh realisht kjo problemin? Nuk nuk konstatoj asnjë hap për t'iu afruar zgjidhjes së problemit. Kryeministri Berisha thekson se zgjidhja duhet gjetur në bazë të lesgjislacionit shqiptar, gjë që është shumë normale, ndërsa kam përshtypjen se Edi Rama po kërkon më shumë një zgjidhje më spektakolare. Është vërtet një situatë e vështirë, ku janë konsumuar të gjitha përpjekjet për ndërmjetësim të gjithë aktorëve, duke filluar nga Presidenti i Republikes dhe faktorit ndërkombëtar. Se ku mund të çojnë këto konflikte, është vështirë ta parashikoj, por dua të sjell në vëmendje se në Tajlandë për shembull, nisi në fillim në mënyrë paqësore dhe tashmë atje po përjetohen tiparet e ngjashme të një lufte civile. Shpresoj që gjendja të mos precipitojë më tej, megjithese nuk mund të përjashtoj faktin se mund të ketë protesta të dhunshme, dhe policisë pastaj do t'i duhet ta zgjidhe këtë po me dhunë.

DW: Kjo do të thotë se koha nuk pret, se kompromisi është emergjent për më tepër kur vazhdimi i grevës kërcënon jetë njerëzore. Këtu ku ka mb ërr itur situata, si mund të realizohet kompromisi?

Willibond Frehner: Kompromiset janë gjithmonë zgjidhje, por kompromiset varen nga fakti se sa afrohen në qendrimet tyre, palët në konflikt. Deri më tani ky afrim nuk po shihet. Besoj se Berisha gjendet në rrugën e duhur kur thotë se, ne mund të diskutojmë mbi çdo çështje që është në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Propozimet e deritanishme, që janë bërë nga organizatat e huaja, kanë qenë pikërisht në përputhje me këtë linjë, por s'kanë sjellë kompromisin. Faktori ndërkombëtar mund të bëjë vetëm oferta për ndërmjetësim dhe arritur në zgjidhje të përbashkët, por kam përshtypjen se palës shqiptare i mungon dëshira për një zgjidhje të përbashkët.

Intervistoi: Ani Ruci

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 17.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NQ8o
  • Data 17.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NQ8o