1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Franko në bankën e të akuzuarve - Debati historik në Spanjë

Deri më sot parimi i qëndrimit ndaj regjimit të Frankos në Spanjë ka qenë mënjanimi. Të afërmit e më shumë se 100.000 viktimave të regjimit të Frankos kërkojnë edhe sot e kësaj dite zhdëmtimin.

default

Në Madrid hiqet statuja e fundit e diktatorit Franko të Spanjës, dt. 17 mars 2005

Gjyqtari i ngarkuar me hetimet Baltasar Garzón dhe kryeprokurori Javier Zaragoza kanë qenë dikur shokë të mirë. Por ka disa javë që ata komunikojnë me njëri-tjetrin vetëm përmes shkresave. Kjo sepse prokurori Zaragoza ka apeluar kundër vendimit të gjyqtarit Garzón: Ky ka deklaruar, jo vetëm hapjen e varrezave masive anonime nga koha e luftës civile në Spanjë dhe e regjimit të Frankos, por edhe nxjerrjen në bankën e të akzuarve të ish-diktatorit si dhe të 34 gjeneralëve të tij për krime kundër njerëzimit. Kjo do të bëhet sipas tij në mënyrë simbolike, sepse të dyshuarit si autorë krimesh kanë vdekur prej kohësh. Por pikërisht këtë akt simbolik synojnë edhe të afërmit e më shumë se 100 mijë viktimave të regjimit, u shpreh pas vendimit të gjyqtarit Garzóns, Rafael Gil Bracero nga shoqata për kujtimin historik: "Kjo është një ditë, kur ne ndiejmë, se po arrihet qëllimi dhe po bëhet realitet ajo për çfarë kanë luftuar e sakrifikuar shumë familje."

Pakti i heshtjes në Spanjë

Një realitet ky që shumë do të preferonin ta mënjanonin. Kjo për faktin, se vendimi i Garzóns thyen një tabu të vjetër, paktin e heshtjes gjatë tranzicionit të pashembullt të Spanjës nga diktatura në demokraci në fundin e viteve 70-të. Asokohe u hoq dorë prej zbardhjes publike të së kaluarës. Ky ishte çmimi për demokracinë, që u pagua kryesisht prej pasardhësve të viktimave të Frankos, të cilëve iu desh të pranojnë, që krimet e diktaturës nuk do të dënohen asnjëherë. Parimi i pajtimit në vend të përndjekjes duhet të vazhdojë të jetë në fuqi, kështu mendojnë shumë konservatorë dhe përfaqësues të kishës katolike. Manuel Fraga, i fundit ministër në regjimin e Frankos që jeton, e sulmon ashpër vendimin e gjyqtarit Garzón. "Eshtë plotësisht marrëzi, që ai e konsideron veten kompetent për një çështje kaq të diskutueshme. Ky është edhe një gabim i rëndë politik."

Procesi i zbardhjes të së shkuarës me përkrahës dhe kundërshtarë

Por dëshira për sqarim nuk mposhtet as pas disa dekadave. Shoqatat e viktimave dhe të pasuesve të tyre prej kohësh kërkojnë pranimin zyrtarisht dhe lidhja më e fuqishme sindikaliste UGT ka ngritur padi, sepse mijëra ish-anëtarë të saj janë përndjekur, ose vrarë në kohën e Frankos. Ky proces tani nuk mund të ndërpritet, thotë shefi i sindikatës Cándido Mendez: "Këtë proces dhe dinamikën për rikuperimin moral nuk do të mund ta ndalojë asnjë prokuror dhe askush tjetër."

Por prokurori Zaragoza mendon krejt ndryshe: Ai e konsideron si jo kompetent gjyqtarin Garzón për këtë çështje. Ai argumenton se vrasjet e regjimit të Frankos nuk janë krime kundër njerëzimit dhe se tashmë ato janë çështje të vjetëruara. Sipas tij, gjithashtu gjyqtari injoron ligjin e amnestisë të vitit 1977.

Ndërsa Spanja diskuton, dy juristë replikojnë dhe qeveria socialiste i shmanget kësaj çështjeje duke tërhequr vëmendjen për pavarësinë e drejtësisë, historiani Javier Rodrigo e përshëndet këtë debat të nisur: "Çdo debat është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Komentet, se me hapjen e varrezave masive po hapen plagët e vjetra dhe se Spanja po përçahet e po ballkanizohet, unë i konsideroj si paranoike."

Fakt është që Spanja tani, që kanë kaluar më shumë se 40 vjet qysh nga fundi i diktaturës, vazhdon të jetë një vend i papajtuar. Do të zgjasë së paku edhe disa javë, derisa të përcaktohet, nëse do t´ia dalë mbanë gjyqtari Garzón apo prokurori Zaragoza, e derisa të zgjidhet kjo, Baltasar Garzón është me raport mjekësor.

  • Data 29.10.2008
  • Autor Marc Koch
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FjTG
  • Data 29.10.2008
  • Autor Marc Koch
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FjTG