1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Frankfurter Rundschau: "Kosova kërcënohet nga zgjedhje të reja"

Në Kosovë vazhdojnë përplasjet politike për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit. "Frankfurter Rundschau" analizon zhvillimet politike në vend.

Ngërçi politik në Kosovë vazhdon. Mosmarrëveshjet mes partive politike në Kosovë për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit kanë vazhduar edhe të enjten (02.10), ditë që ishte planifikuar si seancë e radhës për konstituimin e parlamentit të ri. Seanca e fundit e para një jave, e cila dështoi ishte një përpjekje e Partisë Demokratike të Kosovës, parti që fitoi më shumë vota në zgjedhjet e fundit parlamentare, por që nuk mund të krijojë dot qeveri pa koalicion. Ndërkohë partitë opozitare të bashkuara në koalicion, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje tentuan të enjten po ashtu të mbanin një seancë më vete, e cila po ashtu nuk pati sukses.

Die Regierungskoalition in Kosovo steht fest 10.06.2014

Blloku opozitar

Mosgjetja e një zgjidhjeje tremb investorët

Mosgjetja e një zgjidhjeje politike që pengon edhe krijimin e institucioneve të reja në Kosovë është trajtuar të enjten edhe nga media gjermane. Në një analizë të Frankfurter Rundschau me titull "Kosova nuk po ecën dot përpara" theksohet se edhe 16 javësh pas mbledhjes së Parlamentit Kosova ende nuk e ka qeverinë e saj, dhe nëse dështon edhe seanca e të enjtes, në Kosovë rrezikon të mbajë zgjedhje të reja. "Në këto rreth katër muaj që prej zgjedhjeve frontet janë ashpërsuar. Privatizimet e planifikuara për në vjeshtë duhet të shtyhen, investorët e parë po kërcënojnë me largim nga vendi. Edhe zbatimi i marrëveshjes historike me Serbinë në prill të vitit të shkuar ka ngecur."

Kosova është ndër vendet më të varfra të Europës, me një papunësi që kap shifrat rreth 30% theksohet në analizën e "Frankfurter Rundschau". "Në një kohë që mes dy kampeve kryesore nuk ka dallime politike. Si Thaçi dhe Haradinaj kanë qenë të dy drejtues të UÇK-së, të dy kanë ngritur sisteme klienteliste, të dy akuzohen për lidhje me krimin e organizuar. Por në rast se grupi i katërshes rreth Haradinajt, ia del të ketë sukses, në Kosovë kërcënon prapë një krizë e re politike", shkruan Frankfurter Rundschau në artikullin e saj të së enjtes.