1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Frank-Walter Steinmeier - sfidanti

Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Walter Steinmeier, dëshiron të marrë në dorë Zyrën e Kancelarit. Për një kohë shumë të gjatë ai ka shërbyer aty në sfond, si eminencë gri

Frank-Walter Steinmeier

Frank-Walter Steinmeier

"Superman-i pa dëshirë" e quajti Frank-Walter Steinmeier-in gazeta "Welt am Sonntag" në qershor 2008. Asokohe ministri i jashtëm dukej sikur nuk ishte i kënaqur që do të udhëhiqte fushatën elektorale të socialdemokratëve. Por ja që, pesë muaj më vonë, Partia Socialdemokrate (SPD) e vuri atë të parin në listë. Delegatët e zgjodhën me 95 përqind të votave si kandidatin kryesor, duke e bërë kështu sfidantin e kancelares me popullaritet, Angela Merkel.

Kryetari i atëhershëm i partisë, i pafati Kurt Beck, ndoshta kishte shpresuar se do të bëhej vetë kandidat, por ai gjeti aq mbështetje nga radhët e partisë. Kështu që pas shumë debatesh të gjata në një mbledhje të kryesisë, ai e propozoi vetë Steinmeierin si kandidat për kancelar dhe pastaj dha dorëheqjen. Kryesinë e partisë e mori në dori paraardhësi i Beck-ut, Franz Müntefering.

Në dritat e skenës

Steinmeier dhe Merkel në kabinetin qeveritar

Steinmeier dhe Merkel në kabinetin qeveritar

Steinmeier-i doli kështu tërësisht nga prapavija ku kishte vepruar për një kohë shumë të gjatë – si nëpunës në kancelarinë shtetërore në Hanover, si sekretar shteti në Zyrën e Kancelarit Federal dhe madje dhe si ministër i jashtëm, një post, të cilin ai e mori gati si rastësisht, mbas zgjedhjeve të vitit 2005. Steinmeier-i asokohe gëzonte shumë pak besim në opinionin publik. Ky njeri i heshtur dhe panjohur i prapavijës nuk ta mbushte mendjen se do ta bënte detyrën e ministrit të jashtëm me dinjitetin që i takonte socialdemokratit të parë mbas Willy Brandt-it në këtë post.

Por Steinmeier-i u ambientua çuditërisht shpejt dhe e fitoi si brenda ashtu edhe jashtë shtetit respektin që i duhej për ta kryer detyrën me sovranitet. Për një kohë shumë të shkurtër popullariteti i tij u rrit aq marramendshëm, sa që në vjeshtën e 2006-ës, një vit mbas zgjedhjeve, ai arriti të dilte dukshëm edhe përmbi kancelaren Angela Merkel.

I ri në politikë

Steinmeier-i si politikan nuk është shumë i vjetër. Ai u lind më 5 janar 1956 në Detmold dhe u rrit në fshatin Brakelsiek, më vonë studioi juridikun dhe politologjinë në Giessen. Mbas përfundimit të studimeve u bë bashkëpunëtor shkencor në katedrën e të Drejtës Publike në të njëjtin universitet dhe docent në seminarin e administratës në Wiesbaden.

Mbas doktorimit në vitin 1991, Steinmeier-i, i cili që nga viti 1975 kishte qenë anëtar i SPD-së, u bë referent për çështjet juridike dhe politikën e medies në kancelarinë shtetërore të landit Nidersachsen (Saksoni e Poshtme). Për një periudhë shumë të shkurtër kohore ai u bë drejtues i zyrës së kryeministrit Gerhard Schroeder, i cili në vitin 1998 e mori me vete në Bonn e më pas në Berlin. Si sekretar shteti me statusin e nëpunësit në Zyrën e Kancelarit ai ishte përgjegjës edhe për koordinimin e shërbimeve të fshehta. Në korrik 1999 Steinmeier-i u bë shef i Zyrës së Kancelarit – një post, të cilin e mbajti edhe mbas fitores së dytë të Schroeder-it në vitin 2002. Në këtë funksion ai luajti një rol shumë të rëndësishëm gjatë bisedimeve për arritjen e një konsensusi në çështjen e politikës atomike, për reformat në tregun e punës, si edhe për përballimin e krizës mbas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Steinmeier me të shoqen, Elke Büdenbender

Steinmeier me të shoqen, Elke Büdenbender

Mbas zgjedhjeve të parakohshme në shtator të vitit 2005 dhe me tërheqjen nga politika të shokut dhe mentorit të tij, Gerhard Schroeder-it, Steinmeier-i u bë ministër i jashtëm. Në zgjedhjet parlamentare më 29 shtator, ai nuk ka si synim vetëm të bëhet kancelar, por edhe të fitojë mandatin e tij të parë të drejtpërdrejtë si deputet. Ai kandidon në qarkun zgjedhor Brandenburg, pranë Havelit.

Familjari

Steinmeier-i është i martuar me gjykatësen Elke Büdenbender. Çifti ka një vajzë. Familja e ministrit të jashtëm deri para pak kohësh ishte e panjohur për opinionin publik. Për herë të parë ai u shfaq me të shoqen në një emision televiziv në qershor 2009. "Im shoq është një politikan i shkëlqyer, ai nuk është aktor teatri në skenën politike, por veprues aktiv dhe me ambicie", tha Elke Büdenbender, pak para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Steinmeier auf SPD Parteitag in Berlin

Steinmeier mbas fjalimit të tij më 14 qershor 2009

Partia Socialdemokrate aty do të dilte me rezultatin më të dobët të historisë së saj. Kandidati për kancelar dukej i demoralizuar para kamerave. Steinmeier-i dukej se kishte marrë fund që para se të fillonte lufta për postin e kancelarit.

Por nuk kaloi as një javë, kur ai, në kongresin e posaçëm të SPD-së u paraqit me një fjalim të shkëlqyer me pretendime të parevokueshme për udhëheqje. "Unë dua të bëhem kancelar i të gjithë gjermanëve!" tha ai mes ovacioneve të delegatëve. Me një duartrokitje dhjetëminutëshe partia iu falënderua kandidatit të vet që në këtë orë të hidhur dhimbjeje dhe rezignimi arriti t'ia kthente sërish optimizmin dhe kurajën.

Autor: Bettina Marx / Anila Shuka

Redakoi:

  • Data 23.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JG25
  • Data 23.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JG25