1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Francezët e kanë humbur besimin tek Franca e Hollandes

Në Francë ka zbulime se anëtarë të kabinetit francez mbajnë llogari bankare, që nuk i tatojnë jashtë vendit, por problemi i vërtetë është ekonomia franceze. Dhe nëse Hollande është në gjendje që ta përmirësojë atë.

„Parajsat fiskale duhet të zhduken në Evropë dhe në të gjithë botën“, tha presidenti francez Francois Hollande në një konferencë shtypi që mbajti të mërkurën (10.4.2013), kur shpalli kërkimin e masave strikte për bankat, që ato të deklarojnë aktivitetin e tyre. Ai gjithashtu shpalli krijimin e një agjencie të re për luftimin e korrupsionit dhe një prokuror të posaçëm që të ndjekë mashtrimet me korrupsion e tatime.

Fjalimi i presidentit erdhi vetëm pak javë pasi ish-ministri i tij i buxhetit, Jerome Cahuzac pranoi se kishte depozituar qindra mijëra euro në një llogari bankare zvicerane, duke gënjyer për këtë.

Përpara se të jepte dorëheqjen, detyra e Cahuzacut pati qenë pikërisht të luftonte mashtrimet në tatime.

Megjithatë, disa kritikë i shohin masat e propozuara nga Hollande, që përfshijnë një legjislacion të ri për transparencën financiare si një përpjekje për të maskuar një problem më të madh: ekonominë pa vitalitet të Francës dhe mungesën e një lidërshipi politik.

Jerome Cahuzac, pas dorëheqjes

Jerome Cahuzac, pas dorëheqjes

‘Një gozhdë në qivur'

“ Ndoshta klasa politike është e korruptuar“, thotë analisti francez Philippe Moreau-Defarges nga Instituti Francez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Paris, në një intervistë me DW. “Po ajo që është më e rëndësishme është se klasa politike nuk është as shumë kompetente, as posedon shumë dije.“

Për ekonomistin Tomasz Michalski nga shkolla e biznesit HEC në Paris, qeveria e Hollandes „u tregua e paaftë që në fillim fare“, duke bërë propozime për ta përmirësuar ekonominë, për të krijuar vende pune në Francë dhe për të shmangur masat e kursimit, hapa të cilat deri tani nuk ka qenë në gjendje t'i ofrojë.

“Ata manifestuan shumë retorikë për mënyrën si duhet ta shpëtojnë ekonominë ose t'i ndihmojnë këto kompani, por në fund nuk bënë asgjë, sepse i kuptuan ku i kishin kufijtë e tyre,“ tha ai. „Ata nuk kanë para, nuk kanë besueshmëri dhe nganjëherë nuk kanë as ligje për të bërë atë që duan.“ Cahuzac, beson Michalski, ishte vetëm „gozhda në qivur.“

Një sondazh i publikuar nga e përditshmja franceze Le Journal du Dimanche arriti në përfundimin që gjashtë në dhjetë vetë duan që Hollande ta riorganizojë qeverinë e tij.

Papunësia ka arritur kuota mbi 10 përqind, në një kohë kur ekonomia pritet të rritet me vetëm 0.1 përqind në katërmujorin e parë të vitit. Kuotat e mbështetjes për Hollande, të cilin nuk e ndihmoi skandali, tani janë në nivelin 28 përqind. Komisioni Evropian konstatoi në një raport të mërkurën se krahas Italisë, edhe ekonomisë franceze i mungon aftësia konkuruese.

Medikamente të forta

Për Henrin, një nëpunës civil, eleminimi i korrupsionit në politikën në Francë është një detyrë primare.

Kundërshtarët politikë të Hollandes shkojnë edhe më larg.

Lideri i së majtës, Jean-Luc Melenchon kërkon asgjë më pak se një ndryshim të institucioneve për të krijuar një Republikë të Gjashtë në Francë. Marine le Pen, kryetarja e partisë së djathtë Fronti Nacional dhe partia e qendrës së djathtë UMP, e ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy – i cili ndodhet vetë nën hetime për një skandal – kanë qenë po kaq të ashpër në kritikat e tyre, duke thënë se masat e Hollandes për të luftuar korrupsionin janë të papërshtatshme.

“Rreziku i madh është se Franca do të kërkojë ndonjë zgjidhje radikale“, thotë analisti Defarges. „Dhe në njëfarë mënyre, Melenchoni dhe Le Pen mund të jenë zgjidhja – gjë që është shumë e rrezikshme.“ Edhe ekonomisti Michalski sheh nevojë për veprime drastike.

„I gjithë modeli, mbi të cilin ishte ndërtuar ekonomia franceze për katër vitet e fundit po i vjen fundit,“ tha ai. „Modeli shpenzo-tani-dhe-ngri-taksat-më vonë...Unë besoj se Franca ka nevojë për një reformim rrënjësor, si ai i Britanisë së Madhe në fund të viteve ‚70, kur erdhi në pushtet Margaret Thatcheri.“

Autor: Lisa Bryant/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti