1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Franca rishikon integrimin në NATO

Presidenti socialist francez Hollande është duke u shkëputur gjithnjë e më shumë nga pararendësi Sarkozy. Tani do të rishikohet edhe roli i Francës në NATO.

Siç bëri të ditur Zyra e Presidentit, Hollande ka ngarkuar ish-ministrin e Jashtëm Hubert Vedrine që të kontrollojë integrimin e Francës në strukturat komanduese ushtarake të NATO-s. Presidenti i ka kërkuar shokut të tij nga Partia Socialiste të bëjë një analizë të marrëdhënieve me SHBA-në si dhe të përpunojë rekomandimet për raportet transatlantike për dhjetë vitet që pasojnë. Vedrine duhet ta prezantojnë raportin e tij deri në fund të tetorit.

Me kthimin e Francës në rrethet e ngushta vendimmarrëse ushtarake të NATO-s, në vitin 2009, Sarkozy pati ndryshuar politikën e pararendësve duke e ofruar vendin më shumë me Aleancën dhe me SHBA. Në vitin 1966, Franca e drejtuar nga Presidenti Charles de Gaullle, pati dalë nga strukturat ushtarake të NATO-s duke protestuar për hegjemoninë e pretenduar amerikane. Para Sarkozy-së, asnjë pasardhës i de Gaulles nuk e kishte vënë në pikëpyetje këtë vendim.

Zhvleftësohen ligjet e Sarkozy-së

Paralelisht me këtë hap të Hollande, shumica e re socialiste në Asamblenë Kombëtare të Francës zhvleftësoi dy ligje të rëndësishme që vijnë nga periudha e Sarkozy-së. Pas debateve të gjata deputetët votuan për të mos lehtësuar më nga takstat orët e punës të bëra jashtë orarit të, të cilën Sarkozy e pati futur në vitin 2007. Socialistët argumentojnë tani se nuk ka kuptim që me papunësinë e lartë prej 10 përqind të kërkohet në Francë që të bëhen orë pune mbi orarin.

Më parë Asambleja e Përgjithshme mori vendim për të hequr pas 1 tetorit rritjen e taksës mbi vlerën e shtuar. Socialistët patën premtuar në fushatën elektorale që ta kthenin mbrapsht këtë masë të marrë në muajin shkurt, sepse ngarkonte më shumë njerëzit me rroga të ulta. Sarkozy donte të financonte me rritjen e taksave mbi vlerën e shtuar uljen e kostove të prodhimit, në mënyrë që t`i bënte sipërmarrjet franceze më të afta për konkurencë.

Frankreich - Nationalfeiertag 14.7.2012 Interview im Fernsehen

Francois Hollande, presidenti i Francës

Bisedimet e mëtejshme për buxhetin shtesë kanë të bëjnë me masat e tjera që duhen marrë për t`u shkëputuar edhe më shumë nga politika e qeverisë së mëparshme. Në të bëjnë pjesë rritja e taksave për sipërmarrjet dhe njerëzit me të ardhura të larta. Buxheti shtesë duhet të kalojë në Senat dhe të vendoset përfundimisht deri në fund të muajit korrik.

Në ambicjet e saj për reforma, qeveria nuk druhet të futet në konflikt as me mbretin e futbollit. Ndërkohë që tifozët e klubit futbollistik të kryeqytetit FC Paris Saint-Germain ëndërrojnë angazhimin e sulmuesit suedez Zlatan Ibrahimovic për Ligën e Kampioneve, zyra e taksave mendon vetëm për të ardhurat shtesë.

Zëdhënësja e qeverisë Najat Vallaud-Belkacem bëri të ditur se Ibrahimovic duhet të paguajë për një pjesë të madhe të rrogës së tij vjetore prej 15 milionë eurosh, taksa deri në 75 përqind. Hollande pati premtuar gjatë fushatës elektorale se do të fusë për rrogat mbi 1 milionë euro taksa deri në 75 përqind.