1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Franca pas vdekjes së të dyshuarit si atentator

Lehtësim në Tuluzë e në të gjithë Francën. Angazhimi i madh i policisë në qytetin e Francës jugore mori fund. Në një shtëpi këtu qe fshehur një burrë, i cili besohet se kishte kryer atentatet vdekjeprurëse.

Trupat speciale tërhiqen

Trupat speciale tërhiqen

Moderation:
Lehtësim në Tuluzë dhe në të gjithë Francën. Angazhimi i madh i policisë në qytetin e Francës jugore mori fund. Në një shtëpi në këtë qytet qe fshehur një burrë, i cili besohet se kishte kryer atentatet vdekjeprurëse ndaj një shkolle hebreje dhe kundër disa ushtarëve. Daniela Kahls informon:

Më shumë se 30 orë zgjati angazhimi i gjerë i policisë në Tuluzë. Në këto orë u vra atentatori i dyshuar me motocikletë, i cili sipas fjalëve të tij kishte vrarë shtatë vetë. Kur policia shpërtheu të enjten në mesditë derën e banesës ku ndodhej ai, 23 vjeçari hapi zjarr - ai me sa duket qe futur në banjo. Ministri i Brendshëm francez, Claude Gueant tregon si përfundoi ndërhyrja:

"Në fund, Mohammed Merah kërceu nga ballkoni, duke hapur zjarr gjithë kohën rreth vetes. Kur mbërriti në tokë ai kishte vdekur. Kështu ndodhi. Në fakt ne donim ta kapnim të gjallë, për t'a nxjerrë para drejtësisë."

Prokurori kryesor ndërkohë bëri të ditur se Mohamed Merah u vra nga një e shtënë në kokë prej policëve, të cilët patën mbrojtur veten. Që mund të luhej një skenar i tillë në sulmin ndaj banesës, kjo nuk erdhi krejt papritur për trupat speciale. Sepse pak para se natën të ndërpritej kontakti me të dyshuarin si atentator, ky e shpalli një gjë të tillë, tha prokurori Francois Mollins:

"Ai u tha hetuesve se dëshiron të vdesë me armë në dorë. Veç kësaj ai tha: po u godita unë, unë do të shkoj në parajsë. Po u goditët ju, do të keni qenë pa fat.!"

Që francezi i ri i vrarë tani është dorasi që kërkonin - kjo është e sigurtë për autoritetet hetimore. Kështu ai u përshkroi policëve se ku e kish fshehur kamerën, me të cilën kishte xhiruar aktet e tij. Në filma, sipas prokurorisë dëgjohet vërtet i riu, që pas vrasjes së një ushtari thërret "Allah akbar". Sepse megjithëse ka siguri, që është gjetur burri, i cili nuk ndalej as përballë krimeve të fëmijëve të vegjël, hetimet vazhdojnë, thotë prokurori Molins:

Nicolas Sarkozy u flet francezëve

Nicolas Sarkozy u flet francezëve


"Hetimet vazhdojnë. Ne po verifikojmë, për shembull, a ka pasur edhe bashkëpunëtorë, të cilët kanë ndihmuar në planifikimin e atentateve ose që e kanë furnizuar me materialet e nevojshme."

Në kohën kur hetimet vazhdojnë, presidenti francez bëri të ditur masat e para të marra si pasojë e ngjarjeve. Në një konferencë të shkurtër shtypi në Paris, Nikolas Sarkozy tha se do të verifikohet se në ç'masë radikalizohen të burgosurit e rinj në burgjet franceze nga propaganda islamike. Sepse Mohamed Merah kishte qenë në burg për shumë vepra penale në Francë. Veç kësaj, Sarkozy-a bëri të ditur masa të reja për përndjekjen penale.

"Ai që viziton rregullisht në internet faqe që kanë të bëjnë me terrorizmin ose që propagandojnë urrejtje dhe dhunë, do të ndëshkohet."

Me vdekjen e atentatorit të Tuluzës mori fund edhe armëpushimi në fushatën elektorale franceze. Në bazë të deklaratave të para shihet se palët po luftojnë me doreza boksi.

Autor: Daniela Kahls/ Auron Dodi
Redaktoi: Angjelina Verbica