1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Franca mes Hollande-s dhe Evropës

Në fushatën elektorale Angela Merkel mbështet mikun e saj politik Nicolas Sarkozy. Demoskopët mendojnë se fitues do të dalë kandidati socialist François Hollande. Kjo do të ishte me pasoja për Evropën.

Francois Hollande

Francois Hollande

Lajmet e publicistit të njohur ekonomik francez Nicolas Baverez pak ditë para zgjedhjeve presidenciale nuk janë të këndshme. Këto zgjedhje mund të jenë mundësia e fundit për një demokratizim të Francës në rrugë demokratike. Nëse nuk ndodh asgjë, duke filluar nga vera ligjet do t'i përcaktojnë tregjet financiare, shkruan Baverez në një artikull të ditëve të kaluara.

Modernizimi i Francës

Nicolas Sarkozy

Nicolas Sarkozy ka një kundërshtar serioz

Franca si viktima e ardhshme e tregjeve financiare? Për sfiduesin e Sarkozy-së, François Hollande, një debat i tillë para raundit të parë të zgjedhjeve të dielën e ardhshme (22.4.12) vjen në një kohë të papërshtatshme. Për këtë arsye këshillari i socialistit, Jacques-Pierre Gougeon, e hedh poshtë me ashpërsi një skenar të tillë: "Franca aktualisht nuk ka asnjë vështirësi të shesë obligacionet e saj shtetërore në treg. Ne na duhet të paguajmë interesa disi më të larta, dhe kjo është natyrisht problematike, por jemi shumë larg një situate si ajo në vendet e tjera të Evropës.“ Franca si kërkuese ndihmash nga partnerët e tjerët ë BE-së? Një përfytyrim i tmerrshëm për François Hollande, i cili preferon t'i formulojë vetë kërkesat ndaj Evropës.

„Unë do të rinegocioj për paktin fiskalevropian“

Hollande kërkon për shembull rinegociim të paktit fiskal evropian dhe rregulla të rrepta për mëkatarët e buxhetit. Ky njoftim shihet si kërcënim në Berlin, pasi iniciatorja e marrëveshjes për paktin fiskal ishte kancelarja Merkel. Për Renaud Dehousse nga Qendra për Studime Evropiane, deklaratat e Hollande-s nuk janë edhe aq sinjal për partnerët evropianë por janë të motivuara nga politika e brendshme. Politologu i sheh si Sarkozy-në ashtu edhe Hollande-n të mbërthyer në një dilemë elektorale. Votat vendimtare për fitoren në raundin e dytë në 6 maj, mendon Dehousse, kandidatët e moderuar mund t'i marrin vetëm nga skajet radikale dhe armiqësore ndaj Evropës. Për Nicolas Sarkozy-në këta janë përkrahësit e Frontit Nacional dhe për François Hollande-n numri gjithnjë në rritje i mbështetësve të socialistit renegat Jean-Luc Mélenchon, kandidat i Frontit të Majtë.

Rinegociimi si sinjal në politikën e brendshme

Tubim parazgjedhor

Hollande ka mbështetje të shumë zgjedhësve francezë...

Kërkesa për negociata të reja rreth paktit fiskal evropian është pra më shumë një dredhi marketingu për zgjedhësit francezë se sa një korrektim kursi për BE-në, dyshon edhe Yann-Sven Rittelmeyer, nga Instituti Francez për Studime Ndërkombëtare (ifri). "Ende nuk është plotësisht e qartë se çfarë do me saktësi Hollande, por interpretimi më i thjeshtë është që bëhet fjalë për një gjest simbolik."

Sulm ndaj Bankës Qendrore

Në të njëjtën mënyrë duhet parë edhe debati për një rol më politik të Bankës Qendrore Evropiane. Edhe këtu Hollande kërkon para së gjithash t'u dërgojë sinjale zgjedhësve të tij, pasi dihet se të paktën Gjermania do të bllokonte çdo lloj ndryshimi të marrëveshjeve në këtë drejtim. Interesat e Francës janë të qarta thotë studiuesja e shkencave ekonomike Isabelle Bourgeois nga Instituti kërkimor gjermano-francez Chirac: "Ajo çfarë Franca shpreson nga një Bankë Qendrore që merr pak më shumë parasysh politikën është që të vazhdojë të marrë para me interesa të ulëta për të jetuar edhe në të ardhmen mbi mundësitë e veta."

Afërsi me planet gjermane për Evropën

Me përjashtim të disa pak kërkesave të spikatura në fushatën elektorale, François Hollande konsiderohet në skenën evropiane si fletë e pashkruar. Meqenëse në të kaluarën nuk ka mbajtur ndonjë post ministror deri tani ka pak pika prekje mes kandidatit dhe partnerëve evropianë. Angela Merkel dhe kryetarë të tjerë konservatorë shtetesh dhe qeverish nuk pranuan të takohen me socialistin Hollande gjatë fushatës elektorale. Por politologu Dehousse mendon se Hollande ka qendrim pozitiv ndaj Evropës. Për shumë vite ai ka lëvizur në ambjentin e presidentit të suksesshëm të Komisionit të BE-së Jacques Delors, dhe ka votuar "Po" për Kushtetutën Evropiane në vitin 2005. Sipas Dehousse ai jo vetëm është një pro-evropian por bën madje pjesë në përkrahësit e paktë në Francë të integrimit mbinacional, siç e dëshëronin themeluesit Monnet dhe Schuman.

Në politikën e jashtme kanë rëndësi interesat shtetërorë

Angela Merkel

...por kancelarja Merkel Merkel nuk do të takohet me te para zgjedhjeve.

Dehousse paralajmëron njëkohësisht ndaj vlerësimit të tepruar të ndryshimeve të mundshme mes kandidatëve pasi politika e jashtme përcaktohet para së gjithash nga interesat e shtetit. Këtu mes Gjermanisë dhe Francës ka dallime të forta sa i takon politikës ekonomike dhe sociale. Nuk është pra çudi që si Hollande ashtu edhe Sarkozy janë më të prirur ndaj zgjidhjeve shtetërore se sa qeveria gjermane.

Kaos gjatë tranzicionit?

Meqenëse në fushatën elektorale politika e jashtme luan rol të dorës së dytë, partnerët e Francës duhet të bëjnë edhe ca durim për të pasur një imazh të saktë të François Hollande. Sipas Renaud Dehousse: „François Hollande do të propozojë fillimisht një qeveri, qëllimi i vetëm i së cilës do të jetë të fitojë zgjedhjet parlamentare në verë." Përpara vjeshtës nuk priten iniciativa në politikën e jashtme.

Në periudhë afatmesme asgjë nuk flet kundër një tandemi Merkel-Hollande, mendon analisti Rittelmeyer: „Duhet kohë që ata të mësohen me njëri-tjetrin. Kështu ishte në fillim edhe mes Sarkozy-së dhe Merkelit."

Sa i takon karakterit Hollande me natyrën e tij të përmbajtur por me humor në rreth të ngushtë, është ndoshta më afër kancelares gjermane se sa Nicolas Sarkozy me natyrën e tij të rrëmbyer. Mbetet pyetja nëse tregjet financiare do t'u japin Hollande-s dhe Merkelit mundësinë për një fillim të ri të ngadaltë.

Autor: Andreas Noll/Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani