1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Franca dhe Izraeli kërkojnë shtimin e presionit ndaj Iranit

Në bisedimet mes Hollande dhe Netanjahut , të dyja palët u shprehën për një zgjidhje paqësore të konfliktit. Netanjahu kërkon "linjë të kuqe" kundër programit bërthamor iranian.

Franca dhe Izraeli angazhohen për shtimin e presionit politik dhe ekonomik ndaj Teheranit. Presidenti francez François Hollande kërkoi të mërkurën (31.10.) në Paris, pas një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, një dëshmi që Irani po heqë dorë nga programi i tij bërthamor. Më parë ishte njoftuar se Irani ka ngrirë përkohësisht planet e tij për prodhimin e armëve bërthamore.

Në bisedimet e para të drejtpërdrejta mes Hollande dhe Netanjahut që prej marrjes së detyrës në maj të presidentit francez, të dyja palët u shprehën për një zgjidhje paqësore të konfliktit. Netanjahu nuk i ka përjashtuar asnëjherë veprimet ushtarake kundër Iranit. Kjo kishte nxitur spekulimet në lidhje me një sulm të afërt izraelit. Megjithatë në fund të shtatorit në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Netanjahu e pati bërë tërthorazi të qartë se një hap i tillë nuk mund të pritet para pranverës ose verës së ardhshme. "Për fat të keq edhe pse sanksionet janë duke ndikuar në ekonominë e Iranit ato deri tani nuk kanë arritur të ndalojnë programin iranian bërthamor. Ai po vazhdon për fat të keq dhe kjo është diçka që unë mendoj se është një shqetësim i përbashkët për Izraelin dhe Francën, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropën, për të gjitha vendet arabe në Lindjen e Mesme dhe për të gjithë ata që duan të shohin një botë të sigurt", ka thënë kryeministri izraelit.

Netanjahu kërkon "linjë të kuqe" kundër programit bërthamor iranian

Kryeministri izraelit Netanjahu kërkon nga bashkësia ndërkombëtare vendosjen e një "linje të kuqe" kundër programit bërthamor iranian. Në një intervistë dhënë të përjavshmes franceze "Paris Match" ai siguroi se shtetet arabe do ta ndjenin veten të lehtësuara në rast të një sulmi izraelit ndaj Iranit. Disa vende fqinje e kanë kuptuar se një Iran me armë bërthamore është kërcënim edhe për ato e jo vetëm për Izraelin.

Qeveria gjermane ka reaguar e përmbajtur ndaj deklaratave të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Ehud Barack sipas të cilave Irani ka ngrirë planet e tij për prodhimin e armëve bërthamore. Barack i tha të mërkurën (31.10.) gazetës "Daily Telegraph" se Teherani ka ndarë më shumë se një të tretën e uraniumit të tij të pasuruar për fushën e hulumtimeve civile dhe në këtë mënyrë ka shtyrë "momentin e së vërtetës" për tetë deri në dhjetë muaj. Përndryshe Irani do të ofronte një shkas për konfrontim qysh para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në nëntor.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin theksoi se për qeverinë gjermane nuk ekziston ndonjë gjendje e re në Iran. Kjo do të thotë që Irani edhe më tej duhet të largojë "dyshimet në lidhje me përdorimin vetëm për qëllime paqësore" të programit të tij bërthamor, tha zëdhënsi.