1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Franca debaton ashpërsimin e ligjit për të huajt

Pas kritikave të ashpra për dëbimin e shumë romëve, Franca tani do të forcojë ligjin e saj të migracionit. Parlamenti francez filloi të martën (28.9.) debatin për ligjin e diskutueshëm të migracionit.

Emigrantë në Francë

Emigrantë në Francë

Në kohën që ministri i Migracionit Erik Besson po paraqiste mbrëmë (28.9.) projektligjin e ri për të huajt në parlament shumë njerëz ishin mbledhur para Asamblesë Kombëtare për të mbrojtur një prej parimeve themelore franceze: barazinë para ligjit.

"Nën pretekstin e integrimit të direktivave evropiane, ai krijon kushte shumë të vështira këtu në Francë. Me ligjin e tij dhe humbjen e shtetësisë Bessoni fyen të gjithë francezët, para së gjithash ata, të cilët pas fitimit të shtetësisë e ndiejnë veten si francezë dhe nuk kanë llogaritur që krejt papritmas të jenë qytetarë të dorës të dytë."

Armelle Gardien, e cila është aktive në organizatën humanitare për refugjatë RESF lexon paragrafin, i cili ka shkaktuar pakënaqësi të madhe në Francë: Një migrant, i cili ka marrë nënshtetësinë, i cili plagos apo vret një polic mund të humbasë nënshtetësinë franceze. Me siguri, kjo është një shaka mund të mendojë njeriu, sepse jo të gjithë emigrantët në Francë vrasin policë. Megjithatë për demonstruesit, ky pasazh në të drejtën e re për të huajt është një dëshmi që qeveria e Nikolas Sarkozy-s debatin aktual për sigurinë po e nxit në mënyrë populiste. Dhe në parlament nga habia fërkojnë sytë edhe disa deputetë konservatorë. Etiènne Pinte ka lindur si belge dhe do të votojë kundër propozimeve të partisë së tij.

"Sipas pikëpamjes sime, kështu si na u paraqitën ato bien ndesh me kushtetutën dhe nuk mund të zbatohen fare. Dhe ajo çfarë më ka tronditur më shumë është se njerëzit nuk do të ishin më të barabartë në rrafshin juridik, në këtë rast posaçërisht nëse kanë kryer ndonjë krim."


Ligjit i shtohen 21 nene

Ministri i Migracionit, Eric Besson thotë se nuk e kupton tërë këtë shqetësim. Ligji i tij është në pajtim me ligjet evropiane.

"Bashkimi Evropian dëshiron të harmonizojë politikën e tij të azilimit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ne francezët, sepse sa i përket çështjes së azilit ne jemi shumë bujarë. Dhe BE-ja gjithashtu do të ndihmojë vendet e emigrimit. Kjo quhet ndryshe solidaritet apo partneritet i ndihmës për zhvillim."

Megjithatë, ligji i miratuar në mars nga Këshilli i Ministrave kishte 86 nene. Në Asamblenë Kombëtare, deputetët tani duhet të votojnë edhe për 21 nene shtesë. Në ligj kanë zënë vend tani edhe dëbimet e romëve të javëve të kaluara: Franca i rezervon vetes të drejtën që të dëbojë qytetarët e vendeve të reja të BE-së, të cilët disa herë me radhë udhëtojnë për të qëndruar për nga tre muaj në Francë.

Socialisti Manuel Vals nuk është i vetmi, që akuzon presidentin Sarkozy se me veprimet e tij dëshiron të bëjë për vete elektoratin e djathtë për zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen pas dy vitesh në Francë.


"Presidenti vazhdon të mendojë ende se duhet të tregojë me gisht nga migrantët apo romët. Dhe ata janë pastaj përgjegjës për të gjitha problemet që kanë francezët."


Autor: Johanes Duchrow/Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 29.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PPYG
  • Data 29.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PPYG