1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Francё: Fillon kandidati i konservatorёve pёr president

Nё zgjedhjet e konservatorёve pёr kandidatin pёr president nё Francё François Fillon ka marrё rreth 67 % tё votave. Konkurenti i tij Alain Juppé pranoi humbjen. Kush ёshtё François Fillon?

François Fillon si person privat është një tifoz pasionant i garave me makina. Në qytetin e tij Le Mans, të famshëm për garën 24-orëshe, ai udhëton ndonjëherë edhe vetë me automjete të shpejta. Politikisht ai deri tani nuk ka qenë ende në pistën e parakalimit.

Sepse për një kohë të gjatë, François Fillon ka luajtur rolin e politikanit të radhës së dytë. I zellshëm, besnik, por jo fare në dritën e projektorëve. Karriera e Fillonit mund t'i kishte ngjarë asaj të një pasardhësi të dështuar të fronit. Por në raundin e parë të zgjedhjeve paraprake në kampin borgjez-konservator Fillon papritur e parakaloi atë që besohej si favorit, Alain Juppé e edhe Nicolas Sarkozy-në. Papritur Fillon tani ka shanse që në zgjedhjet e balotazhit të dielën e ardhshme kundër Juppé-së, të zërë vend lart në shkallët e fitimtarëve. Politikani profesionist 62-vjeçar tani mund të hyjë më në fund në Pallatin Elysee.

Serioz në vend të një personi të rrethuar me skandale

"François Fillon përfaqëson seriozitet absolut," i thotë politologu Dominik Grillmayer nga Instituti Gjermano-Francez Ludwigsburg DW-së. Në daljet në publik ai të lë përshtypjen e njeriut "të menduar, modest dhe sovran". Fillon ka punuar për pesë vjet, nga viti 2007-2012 si kryeministër nën presidentin Nicolas Sarkozy pa rënë në sy negativisht. François Fillon është i pari kryeministër i Francës, i cili ka arritur të qendrojë për një mandat të plotë në post nën një president. Më parë Fillon ka qenë ministër për Çështje Sociale dhe pastaj ministër i Arsimit.

Në elitën politike ai konsiderohet figurë e pastër. I lindur në Le Mans të Francës veriperëndimore, ai përfaqëson vlera klasike katolike. Juristi i diplomuar konsiderohet si konservator i flaktë. "Mariage pour tous", martesën për homoseksualët, e edhe një të drejtë adoptimi për çiftet e së njëjtës gjini ai e kundërshton. Ai vetë është i martuar që prej 36 vjetësh dhe ka pesë fëmijë me gruan e tij. Ata jetojnë në një kështjellë te shekullit të 12-të në departamentin jugperëndimor Sarthe. Fillon përfaqëson një kurs të djathtë, kritik ndaj fesë islame. Jo më larg se vjeshta u botua libri i tij për "islamin radikal".

Fillon dëshiron t'i kontrollojë më fort xhamitë dhe t'i arrestojë njerëzit që kanë pasur kontakt me organizata si milicia terroriste "Shteti Islamik". Veç kësaj, të huajve ai kërkon që t'u vështirësohet qasja në sistemin social dhe të shëndetësisë. Fillon kërkon edhe një kufi të sipërm për migrantët.

Përfaqësues i vijës së fortë dhe me ide liberale në ekonomi

Programi i Fillonit përfaqëson edhe një liberalizëm të fortë ekonomik. Ai e admiron ish-kryeministren britanike Margaret Thatcher. Ish-kryeministri synon t'i shkurtojë me 100 miliardë shpenzimet shtetërore dhe të eleminojë veç kësaj 500.000 vende pune në shërbimin publik. Ai nuk ndalet as para "lopëve të shenjta" të Francës: ai kërkon të eleminojë javën me 35 orë pune, që është në fuqi prej dekadash në Francë dhe të rrisë moshën e daljes në pension. Njëkohësisht kërkon të ulë dukshëm taksat dhe shpenzimet për sipërmarrjet, për ta bërë Francën sërish të aftë për konkurrencë.

Zgjidhës problemesh apo përçarës i shoqërisë?

Filloni e paraqet veten si zgjidhës problemesh, thotë eksperti për Francën, Grillmayer. Por me programin e tij të diskutueshëm liberal ekonomik ai "guxon shumë". Jo vetëm të majtët, por edhe kampi i tij e akuzon se po e përçan shoqërinë. Sepse Fillon konkuron me një program radikal. Kërkesat e tij u ngjajnë në shumë vende atyre të populistëve të djathtë. Por ndryshe nga rasti i Sarkozysë, zgjedhësve Fillon u duket më i besueshëm. Bindjet e tij janë të njohura prej vitesh. Me një kod vlerash katolik, konservator dhe kapitalist Fillon-i ka kohë që jeton. Por edhe nëse Filloni e kalon më 27 nëntor Juppé-në, garën për zgjedhjet presidenciale ende nuk e ka fituar.