1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Francë: 'Papunësia është problemi ynë më i madh'

Kryeministri i Francës Macron paraqiti dje kabinetin e tij të ri qeveritar. Ky kabinet trashëgon një barrë të rëndë: për shembull shifrat e larta të papunësisë, të cilat janë mbi mesataren evropiane.

Më pak se 300 metra prej Place de le Republique, prej ku nisin tradicionalisht demonstratat në Francë, ndodhet zyra e Claude Pauschet dhe Bernard Aznar. Të dy luftojnë për të drejtat e të papunëve francezë dhe të atyre me punë të pasigurtë.

Bilanc i keq për qeverinë e Hollande-s

"Sado objektivë që të jemi, nuk mund të themi se Hollande luftoi me të vërtetë për të drejtat e më të dobtëve", thotë Aznar, drejtor i Mouvement National des Chromeurs et Precairs (MNCP), lëvizja nacionale për të papunët dhe për ata me punë të pasigurtë. Muret e zyrës së vogël janë plot me fotografi nga demonstratat.

"Macroni do të mbështesë ngritjen e sipërmarrjeve. Por mendoje se çfarë do të thotë kjo vërtet", thotë Claire Pauchet. "Kjo do të thotë që të gjithë të kthehen në të vetëpunësuar. Si të rinjtë që shpërndajnë ushqime me biçikletë", thotë Pauchet. "Të gjithë ata nuk punojnë me kontratë, nuk kanë siguri sociale. Asgjë!" Aznari dhe Pauchet kërkon që qeveria e re t'i marrë seriozisht interesat e të papunëve dhe të ofrojë alternativa.

"Papunësia është së bashku me deficitin tregtar dhe borxhet e larta të shtetit problemi ynë më i madh ekonomik", shpjegon ekonomisti i Parisit, Philippe Crevel. "Ajo te ne është më e lartë se mesatarja evropiane. Ne jemi në këtë drejtim të prekur njësoj si Italia, Spanja ose Greqia", thotë Creveli. Gati dhjetë përqind e të gjithë francezëve të rritur janë pa punë, te nën 25 vjeçarët madje kjo kuotë është 25 përqind.

Kohë e humbur

"Prej 15 vjetësh bëhen përpjekje për ta përmirësuar situatën në tregun e punës. Por një president i lë vendin tjetrit", thotë eksperti "dhe asgjë nuk ndryshon". Shpenzimet për një fuqi punëtore vazhdojnë të jenë të larta, rregullat për kohën e punës tepër të ngurta dhe fuqia punëtore e Francës nuk është e kualifikuar mirë për kthesën digjitale. "Mbi Emmanuel Macronin bie një përgjegjësi e madhe.Tani vërtet duhet të ndodhë diçka", thotë Philippe Creveli. Për ta ulur papunësinë në mënyrë të qendrueshme, ekonomisti kërkon një paketë masash: kontribute më të ulëta për sigurimet shoqërore, kualifikim më të mirë, më shumë investime dhe më shumë kompetencë.

Ekonomisti Crevel thotë se Presidenti i ri Macron ka shanse të mira për sukses. "Ai është i ri, energjik dhe nuk bën pjesë në asnjë nga partitë tradicionale të Francës". Emmanuel Macroni dhe partia e tij e re politike "La République en Marche" duhet të konkurojnë në qershor në zgjedhjet parlamentare. "Kjo parti ndodhet para një sfide të madhe. Aktualisht ajo nuk ka asnjë mandat të vetëm në Parlament, por ka nevojë për një shumicë absolute", thotë eksperti.

Rezistencë kundër reformave

"François Hollande u përpoq që ta përmirësojë situatën në tregun e punës", thotë Patrick Vignaux, një punonjës social që kujdeset që prej dhjetë vitesh vullnetarisht për të papunët. "Por nuk e arriti". Papunësia nën François Hollande ra me vetëm 0,1 përqind. "Na nevojiten reforma ekonomike të thella", kërkon Vignaux.

Mijëra vetë demonstruan në 2016-ën në Paris dhe në qytete të tjera të mëdha franceze kundër reformës së tregut të punës të qeverisë François Hollande. Ish-Presidenti donte rregulla më të zhdërvjellta për punën jashtë orarit, reformimin e kontratave të punës dhe të lehtësonte pushimet nga puna. Pas protestave disamujore dhe grevave, Hollande e miratoi ligjin me dekret presidencial, për ta shmangur një votim në parlament. 

"Sindikatat po përgatiten për luftën tjetër", thotë me buzëqeshje ekonomisti Philippe Crevel. Lajmërimi se Macroni do të miratojë po këtë verë me dekret presidencial një reformë ekonomike, me të vërtetë që nuk pritet mirë nga aktivistët."Po të jetë e nevojshme,  do të marshojmë edhe nën Emmanuel Macronin", konfirmon Claire Pauchet.