1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Fqinjët e Sirisë kanë frikë nga zgjerimi i konfliktit

Lufta civile në Siri rrezikon të përfshijë edhe shtetet fqinje. Turqia do të mbrohet nga sulmet me raketa Patriot. Edhe shkatërrimi i strukturave shtetërore siriane përbën shqetësim.

Raketat Patriot nga Gjermania dhe vende të tjera do të mbrojnë pas disa javësh Turqinë nga sulmet e mundshme të raketave nga Siria. Vendosja e sistemeve të armatimit ka filluar të martën (08.01.2013). Frika nga një përhapje e luftës civile po preokupon edhe fqinjët e tjerë të Sirisë. Izraeli njoftoi se do të sigurojë lartësitë Golan, të marra prej Sirisë në vitin 1967, me një gardh kundër hyrjes së luftëtarëve armiq.

Civilët ikin nga dhuna në Aleppo, janar 2013

Civilët ikin nga dhuna në Aleppo, janar 2013

Politologu turk Mehmet Akif Okur thotë se presidenti i Sirisë Bashar al-Assad mund ta zgjerojë me dashje luftën civile përtej kufirit. Nga kjo regjimi i armatosur rëndë i Asadit shpreson një përshkallëzim të situatës, me qëllim që ta mbajë më gjatë në pushtetin. Por edhe pa sulmet siriane gjendja e pesë shteteve fqinje është e kërcënuar "Përshkallëzimi i konfliktit përbën një rrezik të vërtetë për të gjitha shtetet fqinje të Sirisë", thotë studjuesi i institutit strategjik në Ankara. Në një intervistë me Deutsche Wellen ai i referohet në rradhë të parë Libanit dhe Irakut. Shumë sunitë irakianë janë farefis, ose janë të lidhur ngushtë me rebelët në Siri. Libani nga ana tjetër është i lidhur aq ngushtë me fqinjin e madh, saqë çdo zhvillim në Siri mund ta prekte direkt Libanin.

Siria ndërhyn në Liban

Damasku influencon politikën në shtetin e vogël të Libanit. Koalicioni qeverisës në Bejrut është kryesisht prosirian. Nga ana tjetër grupe të ndryshme politike duan ta dobësojnë ndikimin e Sirisë. Në qytetin port të Tripolit forcat pro dhe anti siriane kanë shtënë disa herë kundër njëra-tjetrës.

Edhe Turqia ka kohë që është prekur nga lufta civile. Më shumë se 150.000 refugjatë sirianë janë arratisur në Turqi. Disa herë predhat siriane kanë rënë brenda kufirit turk. Në fshatin kufitar Akcakale në tetor humbën jetën pesë turq nga granatimet. Sulmet e mundshme me raketa nga shteti fqinj jugor do të pengohen që nga shkurti 2013 nga bateritë Patriot. Qeveria gjermane ka theksuar natyrën mbrojtëse të misionit të Bundeswehrit. Nga vendndodhja e tyre e ardhshme pranë Kahramanmaras raketat gjithsesi nuk e arrijnë Sirinë, që ndodhet rreth njëqind kilometra larg.

Raketat Patriot si mbrojtje dhe simbol solidariteti

Ngarkesa të raketave Patriot rrugë për në Turqi

Ngarkesa të raketave gjermane Patriot rrugë për në Turqi

Megjithatë Okur nuk është i sigurtë, nëse raketat Patriot sigurojnë mbrojtje të plotë kundër raketave siriane. "Por ata janë të rëndësishme si simbol", thekson profesori turk. Sistemet Patriot japin mesazh solidariteti. "Kjo tregon se NATO e mbron Turqinë nga rreziqet në kufinjtë e saj", thotë studjuesi.

Parlamenti turk menjëherë pas sulmit në Akcakale i dha lejen qeverisë në Ankara, që të marshojë në rast nevoje në Siri. Një ndërhyjre të tilë Okur e konsideron në këtë moment të pamundur. Edhe kërkesat e rebelëve sirianë për të hyrë në Siri Turqia nuk do t'i përmbushë, thekson analisti politik. "Por nëse Bashar al-Assadi do të përdorë armë kimike kundër popullsisë, atëherë kjo do të ndryshonte gjithçka", mendon Okur. Përdorimi i armëve kimike, nga rrëziku i të cilave kanë paralajmëruar disa herë qeveritë perëndimore, do të ishte sipas profesorit horror.

Ekonomia e Jordanisë e goditur rëndë

Tashmë edhe vendi fqinj Jordania vuan nga lufta civile. Afro 200.000 refugjatë nga veriu kanë kërkuar strehim në këtë vend. Për më tepër ekonomia është goditur rëndë, thotë analisti politik jordanez, Hasan al-Momani. Të gjitha eksportet e rëndësishme në drejtim të Evropës kanë kaluar para luftës civile nëpër Siri.

Kamp i refugjatëve sirianë në Jordani

Kamp i refugjatëve sirianë në Jordani

Për studjuesin e University of Jordan rasti më i keq do të ishte një rritje e konsiderueshme e luftimeve dhe një shkatërrim i plotë i strukturave shtetërore në Siri: "Atëherë do të kishim një përshkallëzim të dhunës, që do të kishte ndikim të madh në Jordani", thotë drejtori i qendrës rajonale universitare për parandalimin e konflikteve. Në fund Siria mund të bëhej një Somali e dytë me pasoja të pallogaritshme për të gjithë rajonin.

Por ndryshe nga Libani në mbretërinë e Jordanisë nuk do të kishte luftime ndërmjet përkrahësve dhe kundërshtarëve të regjimit të Assadit. "Megjithatë ne kemi patur disa shkëmbime zjarri dhe sulme dhe disa ushtarë jordanezë janë plagosur."