1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fqinjë të stabilizuar - Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov viziton Tiranën

Marrëdhëniet politike mes Tiranës dhe Shkupit kanë njohur stabilitet vitet e fundit, ndërkohë që komunitetet e biznesit shqiptar dhe maqedonas kanë një bashkëpunim të ngushtë në sektorin bujqësor, ndërtim, turizëm etj.

default

Presidenti maqedonas Ivanov

Vizita e kreut të shtetit maqedonas të enjten (17.03 ) zhvillohet në një moment kur bashkëpunimi ekonomik mes dy shteteve fqinje është dinamik dhe me interes të ndërsjelltë. Por kontaktet në nivelin më të lartë politik japin shtysa dhe impulse për ta forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregëtar, shprehet Gëzim Podgorica, sekretar i përgjithshëm i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Ai thotë se mes komuniteteve të biznesit ka kontakte të ngushta qoftë në linjë institucionale, nëpërmjet dhomave të tregtisë dhe industrisë, por edhe në linjë bilaterale mes vetë kompanive e firmave që operojnë në të dy shtetet.

Gorge Ivanov und Bamir Topi in Skopje

Presidenti maqedonas Ivanov dhe ai shqiptar Topi gjatë vizitës së këtij të fundit në Shkup, prill 2010

Tregu maqedonas dhe ai shqiptar të ndërlidhur me njëri-tjetrin

Vitin e kaluar është zhvilluar një forum i gjerë i biznesit shqiptaro – maqedonas që u shoqërua me propozime dhe akorde konkrete në bashkpëunimin dypalësh, thotë Podgorica për DW-në. “Maqedonia mbetet një vend prioritar në shumë fusha, në produktet bujqësore, në prodhimin e pijeve, në ndërtim, në industrinë e rëndë, sepse mjaft impiante dhe makineri të kësaj industrie që janë prodhuar në këtë vend, përbëjnë një orientim tregu të rëndësishëm për Shqipërinë. Për Maqedoninë mendoj se tregu shqiptar ka interes në fushën e turizmit. Ne e kemi ndjerë këtë pasi vitet e fundit ka patur një bum turistik nga Maqedonia jo vetëm thjesht në nivelin e disa kompanive, por ka qënë një kërkesë shumë globale, e gjerë”.

Raportet tregtare dhe ekonomike mes dy fqinjëve kanë nisur të marrin trende të reja, sipas Gëzim Podgoricës, dhe kjo pritet të materializohet qysh nga viti 2011. “Ky trend rritës merr një invers tjetër. Një trend rritës për të eksportuar nga Shqipëria drejt Maqedonisë, ndryshe nga çfarë ndodhte shumë vite më parë, kur ne importonim në sasi të mëdha jo vetëm produkte ushqimore, por dhe një sërë produktesh të tjera nga Maqedonia. Kjo tregon që tashmë edhe Shqipëria e ka rritur në disa nivele cilësore e konkurueshmërie duke e bërë atraktive produktin dhe biznesin shqiptar”.

Ekspertët: Nuk ka probleme madhore mes dy vendeve

Ilir Alia, drejtor i Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve i vlerëson pozitivisht relatat politike mes dy shteteve. Sipas tij Shqipëria dhe Maqedonia duket se kanë hedhur pas të kaluarën me retorikë dhe përmbajtje nacionaliste. Prezanca e shqiptarëve në Maqedoni dhe e pakicës maqedonase në Shqipëri nuk përbën shkak dhe argument thelbësor për situata konfliktuale, apo raporte të vështira mes dy vendeve, thotë Ilir Alia për DW.

Kosovo Albanien Tourismus Wirtschaft

Vitet e fundit vihet re bum turistik nga Maqedonia në Shqipëri

“Në marrëdhëniet mes dy vendeve ka vetëm një qëllim: integrimi në BE. Nuk kemi të bëjmë me probleme madhore mes dy vendeve. Mesa duket tregtia e lirë, hapja e tregut ka ndikuar pozitivisht dhe në ‘hapjen e mendjes' së njerëzve në të dy vendet respektive, ç'ka tregon se procesi i integrimit europian është vendimtar për gjithë rajonin dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë e Maqedonisë po kthehen në një shëmbull pozitiv. Me avancimin e procesit të integrimit europian problemet që mund të ekzistojnë mes dy shteteve vijnë duke u reduktuar”.

Alia mendon se pakicat maqedonase që jetojnë kryesisht buzë liqenit të Prespës në rrethin e Korçës nuk diskriminohen në raport me pjesën e popullatës që banon në atë zonë ose në pjesë të tjera të teritorit shqiptar. “Ndërkohë që për shqiptarët që jetojnë në territorin e Maqedonisë gjithçka varet nga niveli i zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, e cila është pranuar nga palët dhe ka bekimin e ndërkombëtarëve”, thotë Ilir Alia për DW.


Takimet: Në axhendën e tij për ditën e sotme presidenti Ivanonv zhvillon bisedime me homologun shqiptar Bamir Topi, me kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli, si dhe pritet të përshëndesë deputetët në Kuvend. Para se të largohet nga Tirana të premten në mesditë Ivanov pritet të ketë një takim dhe me shefin e opozitës Edi Rama dhe me një përfaqësi të pakicës maqedonase.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 17.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10axr
  • Data 17.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10axr