1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

“Forumi civil 2010” iniciativa e ish-presidentëve një institucion për sensiblizim ndaj klasës politike

Rreth 1 vit e gjysmë pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri situata politike vijon të jetë në ngërç. Dy ish - presidentët e republikës Meidani dhe Moisiu kanë afruar personalitete shoqëria civile në “Forumi civil 2010”

Ish-presidenti Alfred Moisiu

Ish-presidenti Alfred Moisiu

“Forumi civil 2010” nuk është parti apo lëvizje e mirëfilltë politike. Në përbërje të tij janë juristë të njohur, konstitucionalistë, pedagogë të shkencave politike dhe sociale, përfaqësues të spikatur të medias dhe të shoqërisë civile. Ish - presidenti i republikës Alfred Moisiu, një gjeneral ushtrie në pension, shprehet se në krijimin e bërthamës së “Forumit 2010” nuk është synuar sasia por cilësia e pjestarëve. Ne jemi organizuar për të artikuluar ide, propozime e zgjidhje për situatën e rëndë të krijuar në vend, thotë Alfred Moisiu për DW-në. “Në vijimësi kemi akuza të ndërsjellta, kriza të strëgjatura, flitet për korrupsionin, por korupsioni është galopant, flitet për gjyqësorin, por gjyqësori vijon të ketë defekte serioze sa i takon korrupsionit, flitet për institucione të pavarura dhe me kushtetutë janë të tilla, por de facto nuk janë të pavarura, flitet për ndarje pushtetesh dhe një gjë të tillë në fakt nuk e kemi. Shohim që e kemi të vështirë t'i shkëputemi reminishencave të së shkuarës të njëshit, të partisë. Forcat politike në rradhë të parë interesohen për problemet personale, klanore, për probleme partiake dhe në fund fare problemet e qytetarëve mbeten”. Ish - presidenti Alfred Moisiu thotë se nga kjo papërgjeshmëri e politikës rriten varfëria dhe papunësia dhe fenomene të tjera negative. Ndaj sipas tij “Forumi civil 2010” do jetë një panel permanent diskutimi mbi temat e ditës, një institucion për sensiblizim ndaj klasës politike, ndaj ligjëvënësve dhe të gjithë aktorëve relevantë të vendit. Do të japim sugjerime të argumentuara se si mund të dilet nga kjo situatë, si mund të zgjidhen këto probleme”.

Aleksander Cipa

Aleksandër Çipa

Kryeredaktori i së përditshmes “Shqip”, Aleksandër Çipa, shprehet se iniciativa më e fundit Mosiu – Meidani duhet vlerësuar me seriozitet, pasi kemi të bëjmë me dy profile të larta të jetës politike e publike në Shqipëri. Propozimet e tyre të pritshme i konsideroj si një mjet presioni për politikbërësit, thotë Çipa për DW, sidomos ato që kanë lidhje me ndërhyrjet e mundshme në Kushtetutë, apo me teza i ide të tjera. “Mendoj se është një nismë në kohën e duhur për të vetmen arësye, sepse praktikisht Shqipëria ndodhet në një impakt negativ politik, për shkak të të ashtuquajturit ngërç politik mes mazhorancës dhe opozitës, i cili po kapërcen afatin kohor të një viti e gjysmë. Nëse këtë impakt negativ e vendosim në kontekstin e përgatitjeve zgjedhore lokale bëhet edhe më eminent në kushtet e reagimit të një zëri të tillë autoritar dhe të besueshëm që vjen nga dy ish presidentët e vendit. Ata janë të vendosur në konsensus me një pjesë të mirë të emrave nga rradhët e konstitucionalistët shqiptarë”.

Enton Palushi

Enton Palushi

Por komentatori politik i së përditshmes “Tema”, Enton Palushi, megjithëse e përshkruan si pozitive nismën e dy ish - presidentëve shprehet skeptik për DW-në mbi impaktin e pritshëm të saj në opinionin publik. “Shkak për këtë është se mesa shoh në platformën e tyre kërkohen ndryshime në Kushtetutë, që synojnë të fuqizojnë rolin e presidentit e në një farë mënyre të dobësojnë rolin e kryeministrit. Mirëpo nuk preket thelbi i ngërçit politik në vend, që është problemi i zgjedhjeve të lira. Mendoj se për aq kohë sa nuk preket problemi që ka lindur këtë ngërç, atëhere situata mbetet në vendnumëro. Kjo nismë mbi palët është si të thuash në atë linjën e qeverisë që kërkon t' i bëjë të gjitha palët fajtore”.


Autor: Arben Muka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 29.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QLBK
  • Data 29.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QLBK