1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Fortesa" Elmau pret krerët e politikës botërore

Në samitin e G7-s në alpet bavareze krerët e shteteve e qeverive do të debatojnë për sfidat në politikën e sigurisë. Por edhe rezistenca e njeriut ndaj antibiotikëve e mbrojtja e klimës do të jenë tema të samitit.

Deutschland Schloss Elmau G7 Gipfel

Kështjella Elmau

Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve më të industrializuara -Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Japonisë, Kanadasë dhe SHBA-së takohen në kështjellën bavareze Elmau të dielën dhe të hënën (07-08.06)në samitin e G7-s, në një kohë kur presidencën e radhës e ka Gjermania. Në program qëndrojnë tema të rëndësishme si sfidat në politikën e jashtme dhe të sigurisë, terrorizmi ndërkombëtar dhe zhvillimi i ekonomisë botërore. Edhe konflikti në Ukrainë pritet të jetë temë e samitit në darkën që shtrohet të dielën në mbrëmje - Qarqe nga Berlini bëjnë të ditur se nuk do të ndryshojë asgjë nga "Jo"-ja e Gjermanisë për furnizimin e Ukrainës me armë.

Presidenti amerikan, Barack Obama megjithatë synon të nxisë partnerët europianë në samit për më shumë sanksione kundër Rusisë -sipas tij sanksionet ekzistuese së paku duhet të mbeten me qëllim të rritjes së presionit ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Mbi konfliktin në Ukrainë do të diskutohet pa pjesëmarrjen e Rusisë. Rusia u përjashtua nga samiti i G8-s si reagim pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Edhe në çështjen se kur do të kthehet Rusia në rrethin e G8-s nuk pritet ndonjë ndryshim qëndrimi. Për kancelaren Angela Merkel në këtë kohë është e papërfytyrueshme pjesëmarrja e Rusisë në samit për shkak të aneksimit të Krimesë. Të premten pas bisedës telefonike të kancelares Merkel me presidentin ukrainas Poroshenko, të dy kërkuan nga separatistët se duhet të respektojnë armëpushimin.

Deutschland G7 Gipfel Proteste

G7 shoqërohet me protesta

Merkel kërkon "Po" të qartë pro klimës

Para fillimit të samitit të G7-s në kështjellën Elmau, kancelarja gjermane, Angela Merkel ka kërkuar të shtunën nga krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve më të industrializuara një "Po" të qartë për mbrojtjen e klimës. Të shtunën ajo u shpreh se krerët e vendeve dhe qeverive të vendeve më të industrializuara duhet të jenë të gatshëm për ta bërë realitet objektivin e vënë -reduktimin e ngrohjes globale me 2 gradë, dhe se ajo shpreson që "shtetet e G7-s të thonë: Ne e mbrojmë këtë qëllim". Vetëm po qe se do të mbahen premtimet që do të bëhen në samitin në Gjermani, do të jetë e mundur një marrëveshje për klimën në konferencën e pritshme në fund të vitit në Paris, ka thënë kancelarja gjermane.

Vendet e G7-s duhet të konfirmojnë mbështetjen e tyre për fondin e premtuar prej 100 miliardë dollarësh, i cili duhet të jetë gati nga viti 2020 për financimin e mbrojtjes së kliëms, tha Merkel. Zërave shqetësues se mbrojtja e klimës dëmton ekonominë botërore, Merkel u është kundërpërgjigjur në videon e saj të fundjavës. Gjermania ia ka dalë, ka thënë Merkel, "të shkëpusë rritjen ekonomike nga emetimi i gazrave karbonikë". Edhe ministrja gjermane për Mjedisin, Barbara Hendricks (SPD) kërkoi "një konfirmim të besueshëm" ndaj mbrojtjes së klimës, ndërsa opozita gjermane ka hedhur dyshime në suksesin e këtij samiti në drejtim të mbrojtjes së klimës. Këtë herë samiti do t'i kushtohet edhe një teme të shëndetësisë -efekti shëndetësor dhe rreziku pas zhvillimit të rezistencës kundër antibiotikëve. Specialistët kanë vënë alarmin se mund të vijë një ditë që do të humbasin jetën më shumë njerëz nga mosveprimi i antibiotikëve se nga kanceri.

Bundeskanzlerin Angela Merkel

Merkel kërkon premtime të qarta për mbrojtjen e klimës

"Fortesa" Elmau

Kështjella Elmau është kthyer ndërkohë në një fortesë - masat e sigurisë janë të nivelit më të lartë për pritjen e presidentëve dhe krerëve të qeverive të vendeve më të industrializuara të botës G7. Disa mijëra policë do të garantojnë sigurinë e samitit. "Atmosfera është shumë e mirë" në kështjellën Elmau citon agjencia gjermane e lajmeve, dpa zotëruesin e kështjellës dhe pronarin e hotelit, Dietmar Müller-Elmau. Në rrugët e Garmisch-Partenkirchenit policia forcoi të shtunën radhët për demonstratën e organizuar kundërshtarët e samitit. Moti i keq me shira të rrëmbyeshëm ua vështirësoi protestuesve të shtunën qëndrimin në çadra.