1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Forcohen marrëdhëniet ushtarake gjermano-shqiptare

Ministri gjerman i mbrojtjes Karl Theodor zu Guttenberg priti të martën (14.09.2010) në Berlin homologun e tij shqiptar Arben Imami. Të dy politikanët ishin të një mendimi në të gjitha temat e bisedës.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg pret në Berlin homologun shqiptar Arben Imami, 14.09.2010

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg pret në Berlin homologun shqiptar Arben Imami, 14.09.2010

"Shqipëria nuk është vetëm një partnere në NATO, por edhe një miqësi në rritje", tha ministri gjerman i Mbrojtjes Karl Theodor zu Guttenberg pas takimit me homologun e tij shqiptar, Arben Imami, në Berlin (14.09.2010). Temat e bisedës ndërmjet delegacionit shqiptar dhe homologëve gjermanë ishte strategjia e re NATO-s, që do të miratohet në nëntor të këtij viti, si dhe bashkëpunimi ushtarak në kuadër të misioneve paqësore ISAF në Afganistan dhe Althea në Bosnjë. Po ashtu dy ministrat folën edhe për situatën në Ballkan dhe e cilësuan Kosovën si një histori suksesi, siç bënë të ditur ata pas takimit.


Ministri gjerman i Mbrojtjes e lavdëroi gjithashtu kontributin e deritanishëm të Shqipërisë në misionet ushtarake, sidomos në Afganistan. "Është një vend i fortë e që po zhvillohet më së miri dhe që jo vetëm i plotëson detyrat e tij në kuadër të NATO-s, por edhe jep rezultate të shkëlqyera", tha politikani kristiansocial. "Kur e shoh se çfarë arrin Shqipëria në Afganistan në krahasim me ndonjë vend tjetër shumë më të madh, atëherë mund të them se meriton konsideratë mjaft të lartë." Shqipëria aktualisht ka 305 ushtarë që veprojnë në kuadër të misionit ISAF në Afganistan, dhe planifikon ta rrisë këtë numër vitin e ardhshëm deri në 350.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg


Marrëdhëniet bilaterale të shkëlqyera

Zu Guttenberg i cilësoi të shkëlqyera marrëdhëniet midis dy vendeve, sidomos në fushën ushtarake. Imami nga ana e tij e falënderoi atë për angazhimin gjerman në Shqipëri dhe ndihmën që ka dhënë Gjermania gjatë këtyre njëzet vjetëve edhe për integrimin euroatlantik. "Ky takim i shërbeu konsolidimit të marrëdhënieve dypalëshe në të ardhmen", tha i më tej.


Të dy ministrat përmendën si fushë bashkëpunimi të suksesshme specializimin e oficerëve shqiptarë në Gjermani. Sipas burimeve të ministrisë shqiptare të mbrojtjes deri tani kanë qenë rreth 1500. “Ne jemi shumë të interesuar që ta forcojmë dhe ta cementojmë këtë partneritet”, tha zu Guttenberg.

Pritet forcimi i bashkëpunimit

Ministri i shqiptar i Mbrojtjes Arben Imami

Ministri i shqiptar i Mbrojtjes Arben Imami


Imami i tha Deutsche Welle-s, se në takim u vendos që të rriten kapacitetet e bashkëpunimit: "Kam parasysh shkollat tona ushtarake, shkollimin e oficerëve këtu, shkëmbimin e tyre, si dhe ndihmën që mund të jepet dhe do të jepet për brigadën e mbrojtjes rajonale për emergjencat civile, për mjekësinë ushtarake dhe ndonjë element tjetër", tha Imami pas takimit. Ai nënvizoi gjithashtu se Shqipëria tani nuk është më një vend që pret ndihma, por që mbështetet në kapacitetet e veta dhe mundohet t’i rrisë ato së bashku me partnerët dhe aleatët e NATO-s.

Kosova një histori suksesi

Të dyja palët ishim të një mendimi, që Kosova është një histori suksesi. "Nuk shohim një rrezik eminent, por rruga drejt stabilitetit shkon nëpërmjet integrimit të Kosovës, nëpërmjet ndihmës së gjithanshme institucionale, ekonomike në çdo fushë që duhet të japin Bashkimi Evropian - në radhë të parë, - por edhe NATO, si forcë militare dhe ne, si vende – në se mund të thuhet – fqinjë", tha Imami në intervistë për Deutsche Well-en. Ministri shqiptar i Mbrojtjes gjithashtu nënvizoi se një rol të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit do të kenë qëndrimet e Serbisë. "Në qoftë se ato do të jenë konstruktive, do t’i ndihmohet stabilitetit", shtoi ai.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 14.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PC2p
  • Data 14.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PC2p