1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Forcimi i së djathtës shqetëson izraelitët kritikë

Izraelin e quajnë shpesh "të vetmen demokraci në Lindjen e Afërme". Trajtimi që shteti hebre u bën palestinezëve dhe shtetasve të tij arabë dhe rrymat e djathta e kompromentojnë këtë pozicion.

Jeruzalemi me Katedralen e shkëmbit

Jeruzalemi me Katedralen e shkëmbit

"Vdekje së majtës, vdekje së majtës" bërtasin të rinj izraelitë në një demonstratë në Jeruzalem. Kampi i djathtë në Izrael tregohet i bindur në vetvete dhe agresiv, i mbështetur në një shumicë të konsiderueshme në parlament. Të paktën dy parti të koalicionit, partia ultra-ortodokse Schas dhe Ysrael Beiteinu ("shtëpia jonë Izrael") nuk janë përsa i përket ndërtimit të tyre demokratik, beson politologu i Jeruzalemit, Yaron Ezrahi: "Në thelb ato janë parti antidemokratike në një demokraci parlamentare. Si politolog, që vëzhgon prej më shumë se 40 vjetësh politikën izraelite, unë besoj se sistemi ynë parlamentar në plan afatgjatë është mjaft i fortë për t'i mbijetuar këto hapa pas dhe regjimin e komunikimit demokratik në parlament. Në plan afatshkurtër unë shoh një forcim të politikës së djathë, e cila, këtë mund ta themi pa ngurruar, ka edhe tipare fashiste. Ajo drejtohet nga urrejtja, frika dhe përjashtimi total i tjetrit."

"Jo nënshtetësi. Vetëm Liebermanni kupton arabisht." Me këtë slogan elektoral krijoi shefi i partisë Ysrael Beiteinu Avigdor Liebermann atmosferë kundër izraelitëve me origjinë arabe dhe luftoi për votat e zgjedhësve. Me sukses. Liebermanni ndërkohë është ministër i Jashtëm dhe konkuron me kryeministrin Netanjahu dhe Partinë e tij Likud për të kryesuar në opinione në kampin e djathtë.

Shtohen grupet që nuk besojnë tek demokracia

Një problem në rritje në shoqërinë izraelite për politologun Yaron Ezrahi është që minoritetet që nuk besojnë në një demokraci parlamentare që u shërben qytetarëve të saj po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Emigrantët hebrenj me origjinë ruse besonin tek një shtet kombëtar, thotë Ezrahi, i cili bazohet në të drejtën e më të fortit, ndërsa hebrenjtë ultra-ortodoksë dhe nacionalistë-fetarë thjesht nuk e njohin qeverinë. Kjo nis që në shkolla.

"Shkollat e shasëve për shembull tërheqin breza hebrenjsh ultra-ortodoksë. Për ta demokracia, ideja e pushtetit, që vjen nga populli, është jo vetëm e huaj, por edhe krejt absurde", thotë ai.

Koalicioni qeveritar me drejtim të djathtë, ndërkohë ka vënë në rrugë dhe pjesërisht ka miratuar një sërë ligjesh, që drejtohen kundër minoritetit arab dhe kritikëve të qeverisë. Para pak kohësh u miratua ligji anti-bojkot. Ai parashikon ndëshkimin e bojkotimit të mallrave nga kolonitë në zonat e pushtuara. Pak pas kësaj, Likudi dhe partia Ysrael Beiteinu do të miratojnë projektligje për konstatimin e burimeve të financimit të grupeve të të drejtave të njeriut.

Autor: Tim Aßmann/ Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani