1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Forcimi i bashkëpunimit në fokusin e konsultimeve ndërqeveritare Kosovë-Gjermani

Në Prishtinë përfunduan me sukses konsultimet ndërqeveritare mbi bashkëpunimin zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj bilateral në Kosovë.

Qeveria gjermane do të vazhdojë të mbështesë projekte në Kosovë, projekte këto që kanë të bëjnë me fushën e energjisë, reformat në sektorin e financave publike si dhe në sistemin e drejtësisë. Kështu thuhet në një deklaratë për media të lëshuar nga ambasada gjermane në Prishtinë, pas konsultimeve ndërqeveritare ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Këto konsultime mbahen me dyer të mbyllura një herë në vit ndërmjet përfaqësuesve të të dyja vendeve që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Konsultimet e marsit sivjet u zhvilluan pikërisht në jubileun e 15-të të tyre : "Gjatë konsultimeve ndërqeveritare gjermano-kosovare mbi bashkëpunimin zhvillimor politik, që cilat u mbajtën më 25 mars 2014 në Prishtinë, qeveria gjermane u zotua për mbështetjen e mëtjeshme të shtetit më të ri në Evropë, në mënyrë që të përmirësohen kushtet e jetës dhe të përparojë afrimi me BE-në", thuhet në deklaratën për media të lëshuar nga ambasada gjermane në Prishtinë.

Më tej thuhet se "delegacionet e të dyja vendeve janë pajtuar për të forcuar bashkëpunimin në fushat e nxitjes së punësimit të të rinjve, sundimit të ligjit, zhvillimit të arsimit, si dhe sektorët e energjisë dhe menaxhimit të sistemit të ujërave të zeza".

Në sektorin e energjisë, Gjermania planifikon mbështetjen e qeverisë kosovare me mjete shtesë për ndërtimin e kapaciteteve të rrjetit të transmisionit të rrymës, që njëkohësisht të jepet edhe një kontribut në integrimin e tregut kosovar në tregun evropian të energjisë.

Arsimi luan një rol kyç në zhvillimin social dhe ekonomik. Për këtë arsye është parashikuar që në kuadër të një faze të re të projektit të mbështeten me mjete shtesë planet aktuale në fushën e arsimit bazë.

Poashtu, nëpërmjet bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e financave publike është parashikuar përmirësimi i sundimit të ligjit. Në këtë kuadër do të mbështeten institucionet kosovare me qëllim që me transparncë dhe në përputhje me standardet evropiane të ketë një angazhim në të mirë të popullatës.

Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj bilateral në Kosovë. Që nga fillimi i bashkëpunimit, në vitin 1999 qeveria gjermane ka investuar rreth 420 milionë euro në kuadër të angazhimit të susksesshëm në rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës.