1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Forcat speciale amerikane i lenë forcave afgane përparësi

Kryekomandanti i trupës ndërkombëtare ISAF dhe forcave të armatosura amerikane në Afganistan, gjenerali John Allen dhe ministri afgan i Mbrojtjes Abdul Rahim Wardak kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme.

Njësi speciale afgane

Njësi speciale afgane

Amerikanët mund të vazhdojnë kërkimin e terroristëve dhe talibanëve radikale në tokën afgane. Por në të ardhmen kjo nuk do të ndodhë pa lejen zyrtare të njësive speciale afgane, veçanërisht në kontrollet që bëhen natën.

Raportimi për këtë marrëveshje ka patur pasqyrim të gjerë në mediat amerikane. Pyetja kryesore që bëhet është nëse i ashtuquajturi "afganizim i ndërhyrjeve speciale në tokën afgane" prek aftësi të caktuara të forcave amerikane dhe se çfarë do të thotë kjo duke patur parasysh korrupsionin e madh në radhët e qeverisë afgane. E paqartë është tani edhe nëse kjo marrëveshje ka të bëjë me fluturimet me telekomandë të avionëve pa pilotë, të cilat presidenti amerikan Barack Obama i ka autorizuar me frekuencë dhe ashpërsi të madhe. Presidenti afgan, Hamid Karzai është shprehur në mënyrë shumë kritike kundër ndërhyrjeve të avionëve pa pilotë, për shkak të rritjes së numrit të viktimave civile që ka patur.

Kontroll në Afganistan

Kontroll në Afganistan

Ajo që është e qartë është se duke filluar që tani komandot e ISAF-it dhe ato amerikane nuk mund të bëjnë kërkim terroristësh dhe udhëheqësish talibanë dhe nuk mund të kërkojnë në zona të banuara, pa lejen e zyrtarëve afganë. Nëse ata e konfirmojnë kohën e misionit atëherë në shtëpitë private duhet të hyjnë vetëm forcat speciale afgane. Navy Seals dhe forca të tjera speciale ndërkombëtare do të qëndrojnë në afërsi gjatë kohës së kryerjes së operacionit. Ato mund të ndërhyjnë nëse kjo kërkohet nga afganët.

Një grup afgan kontrolli do i japë bekimin operacioneve speciale. Përveç kësaj ministri afgan i Mbrojtjes Abdul Rahim Wardak do të drejtojë një grup bilateral detyra e të cilit është të bëjë bashkë pikëpamjet e ndryshme.

Vitin e kaluar gati një e katërta e operacioneve speciale në Afganistan janë kryer gjatë natës, rreth 2.200 gjithsej. Këtë e njoftoi në muajin mars gjenerali John Allen, para komisionit amerikan të Mbrojtjes në Senat. Po ashtu ai njoftoi se "në 9 nga 10 kontrollet e bëra gjatë natës amerikanët nuk kanë hapur zjarr". Në rreth "50 përqind të rasteve personat që kërkoheshin janë kapur ose eliminuar së bashku me personat që kanë pasur pranë".

Kritikat afgane ndaj operacioneve të kërkimit janë shtuar megjithëse 97 përqind e tyre janë bërë nën bashkëpunimin afgano- amerikan. Prandaj përgjegjësia kthehet tani në zbatimin e tyre. Ambasadori amerikan në Afganistan, Ryan Crocker, e quajti marrëveshjen "ilustrim të partneritetit". Kjo do të sigurojë që kalimi i përgjegjësisë deri në vitin 2014 trupave afgane të mos bëhet "papritur". Në këtë mënyrë hapet rruga "e objektivave të qarta për të ngritur aftësinë e forcave afgane," për tu kujdesur për stabilitetin dhe sigurinë e vendit.

Operacione natën, Afganistan

Operacione natën, Afganistan

Shefi i ISAF-it dhe trupave amerikanë në Afganistan vlerësoi "tempon e jashtëzakonshme që kanë zhvilluar forcat afgane". Ato përbëhen, thotë gjenerali John Allen, nga "njerëz të guximshëm dhe të aftë."

Autor: Silke Hasselmann/ Aida Cama

Redaktoi: Elert Ajazaj