1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forca të specializuara për provincën

Naomi Conrad/ Auron Dodi2 Korrik 2013

Gjermania tërheq nga jashtë infermierë e inxhinierë: në vendet e krizës së Evropës, kurset janë të mbushura plot - por jo të gjithë qendrojnë në Gjermani. Shkaku: pak shanse për karrierë dhe zona ekonomike jointeresante.

https://p.dw.com/p/18zw2
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ai në fakt qe mësuar me stanjacionin, tregon Christoph Mücher. Që gjithnjë e më pak studentë regjistrohen në kurset e Institutit Gëte, ku ai punon që prej 20 vjetësh, dhe që një pjesë e tyre e ndërpret kursin. Por që prej saktësisht dy vjetësh, kjo ka ndryshuar rrënjësisht, thotë Mücher, i cili është zëdhënës shtypi i Institutit: para pak ditësh, Mücher ishte në Portugali. Atje ai takoi nxënës të gjermanishtes, të cilët megjithë vështirësitë luftojnë për arritje në kurs. Kuota e atyre që e ndërpresin kursin qe zero. "Kurrë nuk kam parë nxënës me një motivacion të tillë gjigant, " thotë Mücher.

Kjo nuk e çudit: në fund të fundit, pjesëmarrësit e kursit janë të interesuar për të ardhmen e tyre. Që prej dy vjetësh fryn nëpër Evropën Jugore furtuna e krizës ekonomike dhe merr me vete para së gjithash vendet e punës të të rinjve. Që atëherë, gjithnjë e më shumë spanjollë, portugezë, grekë, po edhe italianë regjistrohen në kurset e gjuhës të Institutit Gëte. Sipas Mücherit, kuota e spanjollëve të regjistruar është rritur me rreth 60 përqind, në Portugali kjo kuotë është e ngjashme. Shkaku: të rinjtë shpresojnë të gjejnë një vend pune në Gjermani. Prandaj kolegët e Mücherit kanë zhvilluar një plan mësimor krejtësisht të ri, për t'u mësuar gjermanisht inxhinjerëve, mjekëve dhe infermierëve. Në Greqi ka ulje speciale çmimi për të rinj të papunë, të cilët mësojnë paradite. Pra në kohën kur të tjerët venë në punë.

Shumë masa pozitive të veçuara

Shpesh, thotë Mücher, firmat gjermane që kërkojnë forca të specializuara i drejtohen Institutit Gëte. Ky institut pastaj ndërmjetëson me Dhomat Gjermane të Tregtisë ose me Agjencinë Federale të Punës. Sepse Gjermanisë i mungojnë forcat e specializuara: deri në vitin 2030, llogarit Christina Ramb nga Organizata Federale e Shoqatave të Punëdhënësve Gjermanë, Gjermania do të ketë një boshllëk prej katër milionë të punësuarish. Që sot Gjermanisë i mungojnë kujdestarë për azile pleqsh dhe mjekë, por edhe inxhinjerë dhe specialistë të IT-së. Për ta mbuluar këtë nevojë, thotë Ramb, nevojitet një strategji e përzier: kështu, në profesion duhet të punësohen më tepër gra dhe punonjës në moshë më të madhe - por të tërhiqen edhe forca të specializuara nga jashtë.

Ajo beson se qeveria gjermane është "në rrugë të mbarë". Kështu, para së gjithash zbutja e ligjit të migrimit ua ka lehtësuar vitet e fundit migrantëve të kualifikuar ardhjen në Gjermani. Kësaj i shtohen edhe një sërë masash të tjera: kështu, muajt e fundit, qeveria ka ngritur faqe interneti, në të cilat forca të specializuara nga e gjithë bota lëvdojnë Gjermaninë dhe ekipet e saj të futbollit dhe japin këshilla për të marrë viza. Kësaj i shtohen programe, të cilat u mundësojnë të rinjve një mundësi shkollimi në Gjermani. Në fillim të vitit, Agjencia e Punës lidhi marrëveshje me Bosnjë-Hercegovinën dhe me Filipinet, për të ndërmjetësuar kujdestarë. Kësaj i shtohet edhe një "program gjigant në Indi," thotë Mücher: kështu qeveria gjermane lidhi në mars një marrëveshje me qeverinë indiane, në bazë të së cilës do të jepet mësim gjuha gjermane në shkollat shtetërore. Instituti Gëte tani ka marrë si detyrë që të kualifikojë personelin mësimor në rreth 1000 shkolla. Gati një milionë nxënës do të vendosin në plan afatmesëm në këtë mënyrë kontakt me Gjermaninë.

Sa qendrojnë në Gjermani?

E paqartë është se sa nga forcat e kërkuara të specializuara qendrojnë vërtet në Gjermani. Ulrike Heitzer-Priem nga Qendra e Kompetencës Sigurimi i Fuqisë Punëtore thotë se kjo kuotë është e lartë. Në shumë prej sipërmarrjeve të mesme dhe të vogla shpesh flitet vetëm gjermanisht, gjë që e vështirëson integrimin e fuqisë punëtore të huaj, me shumë pak njohuri të gjermanishtes. Kësaj i shtohet edhe pozicioni gjeografik: shpesh kërkohen inxhinierë nga qytete të mëdha si Barcelona dhe Lisbona, për t'i dërguar ata pastaj në qytete periferike gjermane, me pak oferta të kohës së lirë. Po edhe akademikë të integruar mirë kthehen shpesh në vendet e tyre ose shkojnë në një vend tjetër. Shkak është "tavani i qelqtë", tek i cili vazhdojnë të ndeshen njerëz me prejardhje migranti, kur bëhet fjalë për pozicione drejtuese. Këtu bëjnë përjashtim të rinj nga vendet evropiane të krizës si Spanja ose Portugalia: tek ata kuota e kthimit është gati zero, sepse ata nuk kanë asnjë perspektivë në vendet e origjinës.