1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forca e Sigurisë së Kosovës nis detyrën

19 Shtator 2009

Forca e Sigurisë së Kosovës nisi zyrtarisht detyrën. Kjo u bë e mundur pas vlerësimin të strukturave të NATO-s se Forca e Sigurisë e Kosovës ka arritur kapacitetet fillestare për të nisur detyrën.

https://p.dw.com/p/JkWT
Ushtar
Forca e Sigurisë së Kosovës nis detyrën.Fotografi: AP

Tetë muaj më parë, ushtarakë të NATO-s filluan të trajnojnë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Shumica e tyre ishin ish- pjestare të TMK-së, trupë kjo e cila u shpërbë në bazë të planit të Marti Ahtisarit. Tetë muaj më pas, Forca e Sigurisë së Kosovës arriti kapacitet e para dhe filloi zyrtarisht me detyrën. Në një ceremoni të organizuar në njërën nga kazermat kryesore të kësaj trupe, presidenti Fatmir Sejdiu, tha se FSK-ja, do të shërbejë si shembull i respektimit të larmisë etnike. “Republika e Kosovës është e vendosur që të ketë një forcë serioze të sigurisë, e cila do të shërbejë si shembull i respektimit të larmisë etnike që ka vendi ynë dhe diversitetit të pasur kulturor, që kemi trashëguar," thotë Sejdiu.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryeministri Hashim Thaçi. “FSK është dhe do të jetë gjithmonë e hapur për t'u pasuruar me pjesëtarë nga të gjitha komunitetet kosovare, për të gjithë ata që synojnë Kosovën evropiane," thotë kryeministri Thaçi.

Forca e Sigurisë së Kosovës në radhët e saj duhet të ketë së paku 20 përqind pjestarë të pakicave. Komandanti i kësaj force, gjeneral Sylejman Selimi, thotë për DW, se kjo trupë është e hapur për të gjithë. “Ka mjaft pjesëtarë të pakicave në radhët e tyre edhe pjesëtarë të komunitetit serb. Kjo është një gjë e mirë dhe besoj se ky numër në të ardhmen do të rritet. Jam i bindur që në FSK të gjithë pjesëtarët e pakicave do të ndjehen mirë dhe ne do të punojmë bashkë me ta”, thotë Gjenerali Sylejam Selimi.

Forca e re e Sigurisë së Kosovës do të ketë gjithsej 2500 pjesëtarë. Kjo forcë do të jetë e armatosur lehtë. Strukturat udhëheqëse të NATO-s disa herë kanë thëne se Forca e Re Sigurisë së Kosovës nuk do të jetë ushtri, mirëpo do të jetë e përfshirë në disa operacione të sigurisë së bashku me KFOR-in.

Autor : Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama