1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Forca e re e sigurisë në Kosovë - përgjegjësi dhe kufizime

Bekim Shehu14 Gusht 2008

Forca e re e Sigurisë do të krijohet në partneritet me NATO-n dhe do të jetë një forcë profesionale. KFOR-i do të trajnojë FSK-n, që nuk do të jetë drejpërdrejt e angazhuar në sigurinë e Kosovës.

https://p.dw.com/p/ExEd
KFOR-i do të trajnojë forcën e re të sigurisëFotografi: AP

Udhëheqësit politikë kosovarë premtojnë përkujdesje ligjore për pjesëtarët e TMK-së, pas shuarjes së saj për t'ja lënë vendin Forcës së re të Sigurisë së Kosovës. Shumë pjesëtarë të TMK-së, do të zhveshin uniformat e tyre dhe do të shkojnë në pensionim të parakohshëm, ndërsa një numër i vogël i tyre do të angazhohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

TMK nuk do të përfshihet e gjitha brenda forcës së re

Shpërbërja e TMK-së, do të jetë një proces i dhimbshëm, thotë komandanti aktual i kësaj trupe gjeneral, Sylejman Selimi: "Procesi nuk do të jetë i lehtë, do të jetë shumë i vështirë, sepse shumë pjesëtarë të TMK-së nuk do të përfshihen në forcën e re. Është shumë e rëndësishme që qeveria dhe parlamenti të miratojnë shumë shpejt ligjin për pensionim të parakohshëm".

Kosovo Unabhängigkeit Hashim Thaci im Parlament in Pristina
Parlamenti kosovarFotografi: AP

Si do të organizohet FSK

Autoritetet ushtarake të KFOR-it, premtojnë se do ta trajnojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës, por pjesëtarët e saj, nuk do të jenë drejpërdrejt të angazhuar në sigurinë e Kosovës. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, thotë se dallimet në kompetenca ndërmjet TMK-së dhe Forcës së re të Sigurisë, do të jenë të mëdha. "Trupa Mbrojtjes e Kosovës deri tash ka pasur një trajtim të një organizate civile. Ju e dini rolin, cili ka qenë. Pavarësisht pjesës së historikut të saj dhe një përkushtimi të jashtëzakonshëm në situata të ndjeshme për Kosovën, Forca e re e Sigurisë së Kosovës do të jetë realisht një ushtri e Kosovës", thotë Presidenti Sejdiu.

Forca e re e Sigurisë së Kosovës që pritet të krijohet këtë vit do të ketë 2500 pjesëtarë. Kjo forcë do të jetë e armatosur lehtë dhe do të jetë e mbikqyrur nga NATO-ja. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-os, Jaap de Hup Schefer, ka thënë se në këtë faze, nuk mund të thuhet se Forca e Re Sigurisë së Kosovës, do të jetë ushtri, mirëpo do të jetë e përfshirë në disa operacione së bashku me KFOR-in. Siguria e Kosovës dhe mbrojtja e kufijve të saj edhe për një kohë të gjatë do të jetë kompetencë e forcave paqerujatëse, të cilat veprojnë në bazë të rezolutës 1244 të KS-it.