1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fondacioni “Friedrich Ebert” mbështet në procesin e integrimit europian të Shqipërisë

Në 20 vite aktivitet në Shqipëri ky fondacion gjerman ka kontribuar për forcimin e institucioneve demokratike si dhe përmbushjen e objektivit strategjik të integrimit europian të vendit.

Punonjëse të Fondacionit Fridrih Ebert në Shqipëri

Punonjëse të Fondacionit Fridrih Ebert në Shqipëri

Në ceremoninë e përkujtimit të 20 vjetorit të fillimit të aktivitetit në Shqipëri të Fondacionit “Friedrich Ebert”, FES, që u zhvillua ditët e fundit në Tiranë, ra në sy pjesëmarrja e politikanëve kryesorë të mazhorancës dhe të opozitës. Në deklaratat e tyre përshëndetëse si kryeministri Sali Berisha, ashtu dhe shefi i opozitës Edi Rama shprehën mirënjohje për suportin që kanë marrë nga ky fondacion gjerman, për kontributin e projekteve në dobi të konsolidimit të demokracisë shqiptare dhe veçanërisht në procesin e integrimit europian. Megjithëse është një institucion me orientim të caktuar politik, në Shqipëri gjatë këtyre dy dekadave FES ka bashkëpunuar me të gjithë spektrin politik. 

Konsolidimi i funksionalitetit të sistemit politik

“Unë mendoj se oferta jonë ka qënë e distancuar nga mjedisi bipolarizues e konfliktual politik, që zyra jonë në Shqipëri të mos bjerë në instrumentalizimin e njërës palë ose nga pala tjetër. Pavarësisht se ne qartësisht kemi orientimin socialdemokrat, kjo nuk na ka penguar të punojmë me përfaqësues të sektorit publik, të institucioneve shtetërore të pavaruara me shoqërinë civile etj. Sepse në fund të fundit fokusi ynë kryesor që nga fillimet e punës këtu në Shqipëri ka qënë dhe mbetet forcimi i institucioneve demokratike, për të sjellë më shumë ekspertizë dhe përvojë ndërkombëtare për Shqipërinë, por dhe duke gjallëruar burimet e brendshme.

Michael Weichert, drejtor i Fondacionit Fridrih Ebert në Shqipëri

Michael Weichert, drejtor i Fondacionit Fridrih Ebert në Shqipëri

Mbështetja jonë në 20 vite ka qenë fleksibël, gjithmonë në varësi të zhvillimeve dhe problematikës shqiptare. Duke nisur nga çështjet më bazike si përmirësimi i kuadrit legjislativ, ndërtimi i institucioneve të pavaruara, decentralizmi i pushtetit vendor, mbështetje të iniciativave të shqopërisë civile, angazhimi i të rinjve etj. Kjo përshtatje me realitetin e ka bërë më efektive axhendën tonë, më të prekshme. Konsolidimi i funksionalitetit të sistemit politik dhe i kulturës demokratike në politikë mbetet një nga anagzhimet thelbësore të FES në Shqipëri,”- thotë për DW drejtori i Fondacionit, Michael Weichert.

Qysh nga fillimet e punës për FES-in gjallërimi i aktivitetit sindikal ka qënë pjesë e axhendës, si një nxitje e pjesëmarrjes aktive të tyre në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë. Sipas përfaqësuesve të Fondacionit “Friedrich Ebert” në Shqipëri prej një kohe të gjatë është mbështetur me projekte trajnimi i personelit drejtues të sindikatave. Synimi për të ardhmen është që këto trajnime të fokusohen më shumë tek përmbajtja dhe ana organizative dhe duhet të plotësohen më tej nëpërmjet mbështetjes së qëllimtë në çështje kyçe strategjike.

Mbështetje me projekte rajonale

FES në Shqipëri në dy vitet e fundit ka nisur mbështetjen dhe të projekteve dy ose shumëplanëshe rajonale. Duke e parë kooperimin rajonal si një instrument të rëndësishëm për një fqinjësi të mirë dhe gjallërim të mëtejshëm të marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore, shkencore etj.

“Para së gjithash duke nxitur marrëdhëniet dy palëshe më shumë në nivel ekspertësh. Një projekt i tillë nisi vitin e kaluar mes Shqipërisë e Serbisë. Pas dy raundeve të takimeve që u zhvilluan në Beograd dhe në Tiranë, ka filluar një raundi ri debatesh me ekspertë nga Shqipëria dhe Kosova. Në qendër të diskutimeve janë marrëdhëniet dhe bashkëpunimi kulturor, politik dhe ekonomik. Ky projekt realizohet në bashkëpunim me Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe Klubin për Politikën e Jashtme nga Kosova. Një tjetër debat që po përgatitet para fundit të këtij viti është mes Greqisë dhe Shqipërisë,” - thotë për DW-në Michael Weichert.

Procesi i integrimit europian si një prioritet

Fondacioni “Friedrich Ebert” është mjaft i angazhuar në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, jo vetëm në partneritet me Ministrinë e Integrimit, por dhe me rrjetin e shoqatave joqeveritare që punojnë në këtë fushë. Lëvizja Europiane në Shqipëri, EMA, është një nga organizatat joqeveritare që bashkëpunon prej kohësh me Fondacionin. Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i EMA-s thotë për DW-në se partneriteti ka qënë dhe është jetik për organizatën e tij, pasi si një strukturë e re e dedikuar tërësisht procesit të integrimit europian ajo e ka patur të vështirë të gjejë partnerë brenda vendit të cilët i kushtojnë rëndësinë e duhur këtij procesi.

Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i EMA-s

Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i EMA

“Fondacioni na dha mbështetje për grupin tonë të të rinjve, duke qënë koshient për nevojën që ka vendi për kontributin e gjeneratës sonë dhe nxitjen e ideve të reja në jetën publike në Shqipëri. EMA ka gjetur tek ky partner ato veçori të cilat janë me pakicë në realitetin shqiptar: orientimin e qartë europian, dinamizmin dhe fleksibilitetin. Së bashku në kemi realizuar shumë forume publike, ku janë trajtuar problematikat shqiptare të procesit të integrimit me fokus të veçantë në demokratizimin e vendit dhe njëkohësisht në dimensionin social të procesit të integrimit. Përveç studimeve të prezantuara, në këto forume kanë kontribuar dhe personalite të larta si: zëvendëskryeministra, ministra, ambasadorë, diplomatë të rëndësishëm perëndimorë dhe ish komisionerë e zyrtarë të rëndësishëm të Komisionit Europian”.

Gjipali shton se bashkëpunimi rajonal ka patur dhe ka një rol të rëndësishëm në bashkëpunimin me “Friedrich Ebert”, ku EMA-s i është dhënë mundësia të njohë e të vihet në kontakt me personalitete dhe organizata të rëndësishme duke rritur cilësinë e studimeve dhe debateve zhvillimin e vendit.

“Dedikimi dhe qëndrueshmëria e fondacionit në këto 20 vite në Shqipëri është një ogur i mirë për të gjithë ne se do të jemi pjesë e Europës së bashkuar, si dhe një kujtesë e përditshme se shqiptarët nuk janë vetëm në këtë rrugëtim”, thotë Gledis Gjipali për DW-në.

Fondacioni “Friedrich Ebert” e ka nisur aktivitetin në Shqipëri në vitin 1991 dhe kontributi i parë ishte organizimi në qëershor të atij viti i një konference ndërkombëatre për demokracinë dhe ekonominë e tregut. Zyra e Tiranës është njëra prej zyrave që Fondacioni ka në 90 vende të botës. Fondacioni u themelua në vitin 1925, si një trashëgimi politike e presidentit të parë gjerman, Friedrich Ebert, të zgjedhur në rrugë demokratike, i cili vdiq në po atë vit.


Autor: Arben Muka / Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi