1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Fondacionet gjermane përsëri në Greqi

Pas shumë vitesh mungese fondacionet politike gjermane kthehen përsëri në Greqi. Arsyet janë kriza ekonomike në vend dhe marrëdhëniet e tensionuara greko-gjermane.

Në fund të viteve 1990-të fondacionet gjermane hapën njëri pas tjetrit zyrat e tyre në Evropën Lindore dhe Qendrore. Ata donin të ndihmonin në konsolidimin e demokracisë në vendet në tranzicion si Bullgaria, Rumania dhe shtetet balltike dhe të forconin shoqërinë civile. Meqë shteti gjerman pikërisht në atë kohë shkurtoi mbështetjen financiare për fondacionet politike, ata duhej ta reduktonin diku tjetër punën e tyre, ose ta ndërprisnin atë. Fondacioni Friedrich Naumann i liberalëve, fondacioni Konrad Adenauer i kristiandemokratëve, Fondacioni Friedrich Ebert i socialdemokratëve i mbyllën njëri pas tjetrit zyrat e tyre në Athinë, për shkak se Greqia konsiderohej një demokraci e qëndrueshme dhe anëtare solide e Bashkimit Evropian.

Fondacionet për përmirësimin e marrëdhënieve gjermano-greke

Por me shpërthimin e krizës dramatike të borxhit në Greqi nuk u prish vetëm ekuilibri ekonomik. Kësaj iu shtuan destabilizimi politik, divergjencat mes shtetit dhe shoqërisë dhe rritja e tensioneve në marrëdhëniet gjermano-greke. Në këtë situatë fondacionet politike gjermane vendosën të rifillojnë punën e tyre në Greqi. "Ishte e qartë se marrëdhëniet gjermano-greke nuk ishin në gjendje veçanërisht të mirë, ishte dëmtuar jo vetëm komunikimi me njëri tjetrin, por edhe komunikimi mbi njëri-tjetrin", shpjegon Kristos Katsioulis, i cili që nga muaji maj drejton së bashku me bashkëshorten zyrën e fondacionit Friedrich Ebert Athinë. Fondacioni socialdemokat Friedrich Ebert do t'i drejtohet në Greqi sidomos sindikatave greke dhe do të merret me studimet për luftimin e papunësinë.

Christos dhe Nicole Katsiouli drejtojnë së bashku fondacionin Friedrich Ebert

Christos dhe Nicole Katsiouli drejtojnë së bashku fondacionin Friedrich Ebert

Qëllimin e përbashkët Evropën e kanë humbur disi nga sytë në Greqi dhe në Gjermani, ankohet kreu i zyrës së fondacionit Friedrich Ebert në Athinë. Për t'iu kundërvënë një zhvillimi të tillë, Komisioni i Buxhetit në Parlamentin gjerman, i ka dhënë ministrisë së Jashtme pesë milionë euro për tre vitet e ardhshme, që t'ia vërë në dispozicion gjashtë fondacioneve partiake për punën e tyre në Greqi.

Të sponzorizuar nga shteti, por jo të varur nga shteti

Puna e sponsorizuar nga shteti e fondacioneve politike gjermane jashtë vendit duhet të kryhet brenda kuadrit të parimeve të politikës së jashtme të qeverisë federale. Por megjithatë ato nuk janë krahu i zgjatur i ministrisë së Jashtme.

Në praktikë ndodh që ata veprojnë kundër dëshirës së qeverisë gjermane: për shembull, me aktivitetet për Tibetin apo opozitën iraniane. Edhe pse fondacionet ia paraqesin diplomatëve gjermanë programin e tyre për jashtë vendit, nuk ndodh thuajse kurrë që ata të refuzojnë diçka. Edhe për faktin se duan të evitojnë, që partitë e afërta me këto fondacione të ushtrojnë kritikë në parlament në lidhje me një vendim të tillë.

Çdo fondacion ka një pikërëndesë të vetën

Të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit, por edhe nxitja e bashkëpunimeve janë në qendër të punës së fondacionit liberal Friedrich Naumann, i cili do ta koordinojë punën e tij në Greqi nga zyra e tij në Bruksel. Fondacioni Hanns Seidel, i afërt me Unionin kristian-social të Bavarisë, fokusohet veçanërisht në çështjet, që lidhen me trajnimin dhe kualifikimin e punonjësve, përcjelljen e njohurive të menaxhimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe mbështetjen administrative.

Fondacioni Hans Seidel dhe fondacioni Rosa Luksemburg, që është i lidhur me Partinë e së Majtës, do të hapin në vjeshtë zyrat e tyre në Athinë dhe do të vendosin atje stafin lokal. Forcimi i neonazizmit në Greqi, migracioni, pasuria dhe varfëria dhe pasojat e krizës, sidomos për gratë, do të jenë temat kryesore të fondacionit Rosa Luksemburg në Athinë.

"Për të kuptuar vendin"

Drejtuese e fondacionit Heinrich Böll, Olga Drosou

Drejtuese e fondacionit Heinrich Böll, Olga Drosou

Fondacioni Heinrich Böll i kushtohet jo vetëm çështjeve të shoqërisë civile, por dhe çështjeve të mjedisit, ai është i afërt me partinë "Të Gjelbrit". Këtyre u shtohen edhe fusha të tjera: "Për të modernizuar ekonominë greke, ne kemi shumë sugjerime, që mund të krijojnë vende pune dhe të hapin mundësi të reja për vendin", thotë shefja e zyrës së fondacionit Heinrich Böll në Greqi, Olga Drosou. Për shembull, fondacioni do të financojë studime dhe projekte, që tregojnë rrugë të reja, me qëllim që ishujt grekë të mbulojnë nevojat e tyre për rrymë nga burimet e rinovueshme.

Puna e fondacioneve politike gjermane do të jetë e kufizuar vetëm në Greqi vetë, thotë drejtuesja e zyrës së fondacionit Konrad Adenauer në Athinë, Susanna Vogt. Eshte planifikuar, që të ofrohen bursa për studentët grekë, që duan të studiojnë në Gjermani.

Në të njëjtën kohë ne jemi në Athinë edhe "për të kuptuar vendin", thotë Suzana Vogt. Zyra vendore e Fondacionit Konrad Adenauer kërkon nga ana tjetër "të përcjellë zhvillimet në Gjermani, në mënyrë që të krijojë imazh të asaj, që ndodh në Greqi."