1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fletëvotimet në Kosovë, me logo, apo pa të?

Bekim Shehu29 Gusht 2013

Thaçi: Institucionet qendrore nuk do të ndërhyjnë në punën e Komisionit Qendror Zgjedhor. Zyrtarë të KQZ-së thonë se vendimi për fletëvotimet do të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Kosovës.

https://p.dw.com/p/19YLd
Fotografi: dpa

Grupet teknike të Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian do ta diskutojnë çështjen e logos, që do të përdoret në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të tre nëntorit. Në takimin e 27 gushtit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daciq, është diskutuar gjerë e gjatë për zgjedhjet, mirëpo asnjëri nga kryeministrat nuk tha, nëse është diskutuar si pikë e veçantë çështja e përdorimit të logos në fletëvotime. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi vazhdon të deklarojë se çështja e logos është kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Institucionet qendrore nuk ndërhyjnë në punën e KQZ-së

“Sa i përket logos, institucionet nuk do të ndërhyjnë në punën e Komisionit Qendror Zgjedhor. KQZ e ka mandatin dhe fuqinë e vet vendimmarrëse”, tha kryeministri Thaçi. Nga ana e tij kryeministri serb Ivica Daciq tha se “logoja e fletëvotimeve do të jetë temë e bisedimeve gjatë ditëve në vijim në mes të ekipeve teknike të dialogut”, duke kërkuar që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt.

Vetë kryeministri Daciq kohë më parë ka deklaruar, se nëse në fletëvotime përdoret logoja e Republikës së Kosovës, atëherë ai nuk do t'i thërrasë serbët, që të marrin pjesë në zgjedhje.

Tash për tash Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akoma nuk ka dalë me një vendim, se si do të duken fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka deklaruar se vendimi do të jetë në harmoni me kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Kosovës. “Kosova dhe Serbia, më 19 prill, kanë nënshkruar një marrëveshje, e cila bazohet në ligjet e Kosovës, përkatësisht “pika 11 e kësaj marrëveshjeje parasheh, që zgjedhjet në Kosovë të mbahen sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare”, ka thënë Valdete Daka.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka
Kryetarja e KQZ-së, Valdete DakaFotografi: DW

Heqja e logos se Republikës se Kosovës nga fletëvotimet, përben shkelje të Kushtetutës

Përfaqësues të shoqërisë civile nga ana e tyre vazhdojnë të këmbëngulin, që logoja e Republikës së Kosovës duhet të jetë në fletëvotime.

Ismet Kryeziu, nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që vazhdimisht monitorojnë zgjedhjet, i tha DW, se ”heqja e logos se Republikës se Kosovës nga fletëvotimet përben shkelje te kushtetueses”. “Kolizioni i neneve brenda Ligjit Nr. 03/L-038 për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës, si dhe mungesa e legjislacionit sekondar, krijojnë hapësirë për interpretime të ndryshme, siç është e drejta dhe detyrimi i institucioneve për përdorimin e stemës”, thotë Ismet Kryezoi.

Por sa është e domosdoshme vendosja e logove në fletëvotime. Ismet Kryeziu, thotë se “shumë shtete nuk përdorin stema shtetërore në fletëvotime”. “Nëse ligji krijon mundësi interpretimi të ndryshme, atëherë jo domosdoshmërisht stema e shtetit duhet të përdoret në fletëvotime. Nga praktikat ndërkombëtare kemi shumë shtete, të cilat në fletëvotimet e tyre nuk përdorin stemat shtetërore”, thotë Ismet Kryeziu.

Ismet Kryeziu, kryetar i OJQ-së „Demokracia ne Veprim“
Ismet Kryeziu, kryetar i OJQ-së „Demokracia ne Veprim“Fotografi: DW

KQZ i kryen detyrat në bazë të Kushtetutës dhe Ligjeve të Republikës së Kosovës

Zyrtarë nga zyra e presidentes së Kosovës, e cila është garantuese e zbatimit të Kushtetutës, thonë se “është kompetencë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që të përcaktojë formën dhe dizajnimin e fletëvotimeve”. Kështu i tha DW-së zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arber Vllahiu. “Formën dhe dizajnimin e fletëvotimeve e përcakton Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të ligjit. KQZ është një institucion i pavarur dhe kryen detyrat e tij në bazë të Kushtetutës dhe Ligjeve të Republikës së Kosovës”, thotë Arbër Vllahiu.

Sidoqoftë, ka ende kohë deri me datën tre nëntor, që të sqarohen detajet teknike dhe te organizohen zgjedhjet lokale, që për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë pritet të mbahen edhe në komunat në veri të Kosovës të banuara më shumicë serbe. Të dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Ivica Daciq, deklaruan pas takimit të 27 gushtit,se “ekziston përkushtimi për pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve të të gjitha komuniteteve të Kosovës në zgjedhje”, duke theksuar se pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje është shumë e rëndësishme.