1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fleckenstein: Reforma në Drejtësi - pozitive për luftën kundër korrupsionit dhe krimit

Intervistë për Deutsche Welle-n e raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein. Ai mendon se Shqpëria duhet të bëjë reforma serioze në shumë fusha.

Knut Fleckenstein

Knut Fleckenstein

Intervistë për Deutsche Welle-n e raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein. Ai mendon se Shqpëria duhet të bëjë reforma serioze në shumë fusha.

DW: Zoti Fleckenstein, ditët e fundit ishit në një viztë pune në Shqipëri. Shkurtazi, me çfarë impresioni jeni për zhvilimet e brendshme në Shqipëri?

Knut Fleckenstein: Çështja kryesore në diskutimet gjatë vizitës javën e kaluar në Tiranë ishte procesi i reformave në Shqipëri, që do të hapin rrugën për pranimin e vendit në BE. Diskutova mbi ecurinë e reformës në drejtësi me kryeministrin, me disa përfaqësues të tjerë të qeverisë, përfshirë ministrin e Brendshëm, kryetarin e Kuvendit, kryetarin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi dhe shefin e opozitës. Në këtë kuadër folëm dhe rreth faktit se si kjo reformë do të ndikojë pozitivisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Knut Fleckenstein MdEP

Knut Fleckenstein

Nga kontaktet me qytetarët shqiptarë kuptoj se ata kanë pritmëri të lartë nga të gjithë liderët politikë, në qeveri e opozitë, që të dakordohen sa më shpejt të jetë e mundur rreth asaj se si të forcojnë sundimin e ligjit në vend. Më duket se kjo është një ndër shqetësimet më të rëndësishme të njerëzve. Natyrisht që situata ekonomike ka rëndësi. Por unë jam i bindur se marrja e masave nga reforma në vendosjen e shtetit ligjor do të ndikojë pozitivisht në klimën e biznesit në vend. Zbatimi i ligjit do ta bëjë Shqipërinë atraktive për investime dhe kjo do të ndihmojë gjenerimin e rritjes ekonomike dhe për të krijuar vende pune.

DW: Është i njohur fakti se për Shqipërinë ka pesë prioritete kyçe, realizimi i të cilave përcakton për hapat drejt integrimit Evropian. Si një ndjekës shumë i afërt i zhvillimeve në vend, në çfarë aspektesh ka avancim? Cilat janë sfidat që mbeten për të arritur objektivat?

Knut Fleckenstein: Unë së shpejti do të përgatis një raport tjetër për kolegët e mi në Komitetin e Punëve të Jashtme në Parlament mbi progresin e vendit në të ashtuquajturat prioritetet kyçe. Këto prioritete duhet të plotësohen para se vendi të mund të hapë negociatat për pranimin në BE. Unë jam duke pritur që Komisioneri për Zgjerim të prezantojë Progres Raportin 2015 për Shqipërinë. Nga përvoja personale, por dhe nga bisedimet e javës së kaluar me përfaqësues të qeverisë, politikanë të opozitës, kolegë nga Parlamenti, si dhe nga shoqëria civile, kam përshtypjen se Shqipëria po bën përparim të qëndrueshëm. Reformat e tanishme janë reformat më sfiduese dhe përfshirëse, të cilat nuk do të jetë e mundur të bëhen brenda natës. Në të vërtetë, një reformë e suksesshme në gjyqësor do të kërkojë vite për t'u zbatuar plotësisht. Ajo që është më e rëndësishme është që qytetarët shqiptarë të jenë në gjendje që të ndjejnë ndryshime pozitive në jetën e tyre të përditshme.

DW: Ju e përshkruat Reformën në Drejtësi si një tregues të rëndësishëm për integrimin europian të vendit. Por mazhoranca dhe opozita nuk janë ende në harmoni për disa prej aspekteve të saj. Mendoni z. Fleckenstein se të dyja palët do ta finalizojnë këtë proces?

Knut Fleckenstein: Po, në të vërtetë, nuk mund ta kuptoj se si Shqipëria do të mund të bindë 28 vendet e tanishme anëtare të BE-së që të bëhet anëtari i 29 i tij, nëse nuk do do të ketë një gjyqësor funksional pa ndikimin e korrupsionit dhe të politikës dhe që të garantojë sundimin e ligjit në vend. Nga koha kur jam në detyrën e raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Evropian kam marrë shumë letra nga qytetarë shqiptarë, të cilët kërkojnë mbështetje në mbrojtjen e të drejtave të tyre. Shumica e rasteve lidhen me çështjet pronësore. Ndaj jam i kënaqur të shoh se qeveria është duke punuar në drejtim të forcimit të të drejtave të pronësisë. Gjatë vizitës sime të fundit në Tiranë, si shumica qeverisëse ashtu dhe opozita nënvizuan rëndësinë e reformës në drejtësisë. Të dyja duken plotësisht të vetëdijshme se do të mbajnë përgjegjësi para votuesve të tyre, nëse nuk kanë sukses në realizimin e reformës. Ndaj besoj se do të jetë e mundur që të miratohet reforma vitin e ardhshëm.

DW: Në skenën e brendshme politike prej kohësh ka një debat të nxehtë mbi procesin e dekriminalizimit të politikës dhe administratës në nivel qëndror dhe lokal. Pozita dhe opozita shprehen pro procesit, por ama kur vjen puna te mënyra e zbatimit ato mbeten në konflikt. Bazuar në kontaktet që patët së fundmi në Tiranë, a arritët z. Fleckenstein të kuptoni pengesat?

Knut Fleckenstein: Pajtohem plotësisht që është e domosdoshme të punohet mbi një mekanizëm ku të sigurohet se nuk do të ishte e mundur që njerëzit me rekorde kriminale të kërkojnë dhe të marrin mandate publike. Duke përfaqësuar popullin është një nder dhe një detyrë dhe jo një model biznesi, apo një mënyrë për t'i shpëtuar hetimeve. Unë jam i informuar se një projekt-marrëveshje mbi të ashtuquajturin "dekriminalizimin" është përgatitur dhe unë kam përshtpjen se partitë politike janë shumë afër për të rënë dakord mbi të.

DW: Në shtete rreth Shqipërisë aktualisht ka situatë të tensionuar politike. Mendoni se edhe Shqipëria mund të përfshihej në të tilla spirale të tensionit politik e social?

Knut Fleckenstein: Shqipëria ka kontribuar shumë në mënyrë aktive drejt bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe ka ndihmuar për uljen e tensioneve. Unë mendoj se vendi do të vijojë ta bëjë këtë. Nuk shikoj ndonjë rrezik për Shqipërinë, nisur nga eksperiencat e ndonjë lloj krize politike, siç kemi parë përshembull në Shkup këtë vit.

DW: Çfarë keni apeluar më shumë gjatë takimeve të fundit me liderët politikë kryesorë në Tiranë?

Knut Fleckenstein: Jam i impresionuar nga angazhimi për të reformuar vendin dhe i uroj të gjithë udhëheqësit politikë që të mbajnë tempin e reformave vitin e ardhshëm. Detyrat që kemi përpara janë të mëdha dhe programi i reformave është ambicioz, por progresi do të jetë vendimtar për të ardhmen e vendit. Është përgjegjësi e të gjithëve - qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile - për të kontribuar në realizimin me sukses të reformave.