1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Flaka olimpike kalon nëpër qytetin japonez Nagano

Pishtari olimpik kaloi nëpër qytetin japonez Nagano ishoqëruar me disa incidente të vogëla. Masat e sigurisë ishin të ashoëra - rreth 3000 policë ishin në detyrë

Pamje nga protestat ne Nagano

Pamje nga protestat ne Nagano

80 vrapues përcollën sot nga dora në dorë flakën olimpike përgjatë 18 kilometrave nëpër rrugët e qytetit të lojarëve dimërore olimpike të vitit 1998. Nagano, në qendër të ishullit kryesor Honshu, qytet i cili shtrihet në mes të kodrave ishte krenar që u përzgjodh për të pritur flakën olimpike. Por gëzimi shumë shpejt mbeti nën hijen e protestave të dhunshme në qytetet tjera japoneze. Tempulli i famshëm Zenkoji në qendër të qytetit tërhoqi deklaratën e mëparshme se është i gatshëm që të jetë vendi prej nga do të nisej flaka olimpike. Në këtë mënyrë vrapuesit të parë, menaxherit të klubit olimpik basketbollistik japonez i është dashur të niset nga një vendparkim i makinave. Pasi që kaloi flakën olimpike në duart e vrapuesit të dytë ai u shpreh:


'Unë e bëra rrugën time dhe e dhashë tutje pishtarin olimpik. Ishte kënaqësi e madhe'.


Ndërkaq pronari i një dyqani në Nagano para dritareve të së cilit do të kalonte flaka olimpike u shpreh:


'Përkundër të gjithave unë do të përshndes zjarrin olimpik. Unë do të lë mënjanë të gjitha çështjet politike. Ky duhet të jetë një manifestim zbavitës'.


Rreth 3000 policë ishin vënë në dispozicion për mbarëvajtjen e ceremonisë. Secili vrapues shoqërohej nga disa policë që po vraponin gjithashtu si dhe nga dy pjestarë të sigurimit kinez të cilët guxonin të ndihmonin vetëm kur pishtari kalohej nga një vrapues tek tjetri. Një pjesë të rrugës vrapuesit e kaluan larg syve të publikut, në disa pjesë banorët kishin dal të përshendesin flakën olimpike ndërkohë që në disa pjesë të tjera demonstruesit tibetian po kërkonin një Tibet të lirë. Përballë tyre grupe studentore kineze të cilat valëvitnin flamuj të kuq kinez. Policia japoneze përkujdeseshin që të dyja grupet të mbahen larg njëra-tjetrës. Megjithatë pak para mbylljes së ceremonisë janë regjistruar disa incidente të veçuara. Shumë prej tyre kishin udhëtuar nga pjesë të tjera të vendit që ditën e premte për në Nagano, pjesërisht me të njëjtit autobuzë.


'Mendoj që nesër këtu do të jenë shumë studentë kinezë. Ne do t'i përmbahemi rregullave dhe do të themi atë që duam: ne e mbështesim pishtarin olimpik'.


Ndërkaq një i ri japonez i cili nën xhaketën e tij kishte veshur një bluzë verore me mbishkrimin 'Tibeti i lirë', tha:


'Unë kam ardhur nga Tokio për të protestuar kundër flakës olimpike. Në një udhëkryq unë do të valëvis flamurin tibetian'.