1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Fjalimi i Rohanit në OKB ngjall shpresa

Në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti iranian Rohani theksoi të drejtën e Iranit për një program bërthamor civil. Vëzhguesit shohin megjithatë shanse për një kthesë diplomatike.

Me „ofensivën e tij plot sharm“ të javëve të kaluara, Presidenti iranian Hasan Rohani e përgatiti opinionin ndërkombëtar për tonin e ri, të cilin e përdori të martën (24.09.2013) në fjalimin e tij të parë si president në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ai hoqi dorë nga sulmet verbale kundër Izraelit dhe theksoi synimet paqësore të Iranit, natyrën paqësore të programit të tij bërthamor si dhe gatishmërinë e „menjëhershme“ për negociata të Teheranit.

Parakusht për këtë është megjithatë që bashkësia ndërkombëtare të respektojë „të drejtën nga e cila nuk do hiqet dorë kurrë“ të Iranit, për pasurim uraniumi në vendin e vet, tha Rohani duke ritheksuar qendrimin e deritanishëm të Teheranit. Këtë Perëndimi duhet ta pranojë, shprehet politologu Siebo Janssen nga Universiteti i Kölnit, në bisedë me Deutsche Welle-n: „Ndoshta Irani merr leje për të pasuruar uranium. Megjithatë kjo do të ndodhte nën vëzhgim ndërkombëtar.“

Këto tema mund të diskutohen që të enjten (26.09.2013), kur pritet një takim i kryenegociatorit iranian në konfliktin bërthamor, ministrit të Jashtëm Mohamad Xhavad Sarif me homologun i tij amerikan John Kerry. Takimi do të mbahet në kuadër të një takimit të raundit „pesë plus një“ në Nju Jork. Ky do të ishte kontakti i parë diplomatik i rangut të lartë mes dy vendeve pas shumë dekadash.

"Teherani duhet të shfrytëzojë momentin e favorshëm"

Presidenti i SHBA-së Barack Obama

Rohani nuk ishte ende gati për t'i dhënë dorën Presidentit amerikan Obama

Një takim personal i Rohanit me Presidentin amerikan Barack Obama, për të cilin ishte spekuluar shumë, nuk ndodhi të martën. Rohani tha për kanalin televiziv CNN se kishte marrë një ftesë për një takim me Obamën, të cilën nuk kishte mundur ta pranonte për shkaqe kohore. Ai u shpreh megjithatë parimisht i gatshëm për një takim me Obamën.

Vëzhguesit mendojnë se gatishmërina e Iranit për një kthesë në politikën e jashtme ka të bëjë kryesisht me situatën e tij katastrofale ekonomike: „Asnjëherë më parë nuk ka qenë Irani në një gjendje kaq të vështirë ekonomike. Nëse udhëheqësit e vendit nuk shfrytëzojnë momentin e favorshëm për të arritur dhënien fund sanksioneve përmes diplomacisë, e shoh të zezë të ardhmen e Iranit“, thotë këshilltari ekonomik i BE-së Mehrdad Emadi në bisedë me Deutsche Welle-n.

„Politika iraniane ka kuptuar se sanksionet veprojnë. Rohani duhet të reagojë ndaj pasojave të tyre ekonomike“, thotë edhe politologu Janssen nga Universiteti i Kölnit. Duket se Rohani ka ndërkohë edhe mbështetjen e udhëheqësit shpirtëror Ajatollah Ali Kamenei, i cili në të kaluarën nuk është treguar aspak i gatshëm për kompromis në konfliktin bërthamor.

"Rrugë të reja të mundshme në konfliktin e Sirisë“

Ushtria e Lirë siriane nuk pranon ndërmjetësimin e Iranit në konfliktin në Siri

Ushtria e Lirë siriane nuk pranon ndërmjetësimin e Iranit në konfliktin në Siri

Nga një afrim mes Iranit dhe Perëndimit do të përfitonin edhe BE dhe SHBA, beson këshilltari i BE-së Emadi. „Irani është tregu më i rëndësishëm në rajon. Për shkak të sanksioneve Perëndimi nuk ka thuajse asnjë mundësi të veprojë atje. Një zgjidhje e konfliktit është pra në interes të të dyja palëve“, thotë Emadi.

Në fjalimin e tij Rohani u mor edhe me luftën civile në Siri, të cilën e cilësoi si një „katastrofë humanitare“. Një zgjidhje ushtarake të konfliktin ai e kundërshtoi me vendosmëri. Kohët e fundit Irani ka ofruar të ndërmjetësojë në konflikt, por kjo nuk u pranua nga opozita siriane. „Duket se Rohani është gati të ecë në rrugë të reja“, thotë Jansen. „Ndoshta ai mund të ushtrojë trysni ndaj Asadit, në mënyrë që ai të largohet nga vendi pa qenë e nevojshme që partia e tij Baath, e mbështetur nga Irani, të dorëzojë pushtetin.“

Për SHBA-në një Iran relativisht i qendrueshëm në politikën e brendshme, do të ishte një aktor i parashikueshëm dhe madje një faktor potencial stabiliteti në Lindjen e Afërt, shprehet Janssen. Nëse Irani tregohet më bashkëpunues në politikën e jashtme, në të ardhmen ai mund të ushtrojë ndikim pozitiv në Irak, Afganistan por edhe në Siri.