1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

170611 Berliner Rede

18 Qershor 2011

Fjalimi i Berlinit i presidentit federal gjerman është një datë fikse në kalendarin politik të Berlinit.Këtë vit fjalimi nuk u mbajt nga presidenti Christian Wulff, por nga një i ftuar: presidenti polak Komorovski.

https://p.dw.com/p/11enc
Presidenti polak Komorovski mban fjalimin e Berlinit.
Presidenti polak Komorovski mban fjalimin e Berlinit.Fotografi: picture-alliance/dpa

Presidenti polak Komorovski foli në universitetin Humboldt në Berlin për raportet gjermano-polake dhe bashkimin e Evropës. Për Komorovskin pajtimi gjermano-polak është edhe pjesë e historisë personale:

"Në shtëpinë e prindërve të mi, ishte gjithnjë i gjallë kujtimi për xhaxhain tim. Ai ishte 16 vjeç kur me një urdhër gjerman u ekzekutua në Vilniusin atëherë ende polak, nën akuzën për konspiracion. Unë jam rritur në një familje e cila ka humbur gjithçka në Lindje. Por unë kam lindur në një shtëpi në afërsi të Breslaut, të cilën një familje gjermane ishte detyruar ta braktiste. Edhe ata kanë përjetuar dramën e tyre, kur humbën gjithçka në atdheun e tyre të vogël."

Marrëveshja gjermano-polake e vitit 1991 "një nga shtyllat" e Evropës së sotme

Tradita e fjalimit të Berlinit ka nisur në vitin 1997. Atëherë presidenti gjerman Roman Herzog u bëri thirrje gjermanëve të ndërmerrnin "një shkundje" të shoqërisë. Dy herë ka ndodhur që në vend të presidentit fjalimin ta mbajë një i ftuar. Në vitin 1998 foli ish presidenti finlandez Martti Ahtisaari dhe vitin në vazhdim ish sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan. Që tani nderin për të mbajtur fjalimin e Berlinit e ka Bronislav Komorovski, ka të bëjë edhe me një përvjetor të veçantë. Para plot 20 vjetësh, në 17 qershor 1991, Polonia dhe Gjermania nënshkruan marrëveshjen e fqinjësisë gjermano-polake dhe i dhanë kështu fund përgjithmonë historisë së pasluftës.

Nënshkrimi i marrëveshjes së pajtimit gjermano-polak në Bonn, 17.06.1991.
Nënshkrimi i marrëveshjes së pajtimit gjermano-polak në Bonn, 17.06.1991.Fotografi: picture-alliance/dpa

Hapje pas Luftës së Ftohtë

"Marrëveshja gjermano-polake e fqinjësisë është bërë një nga gurët e themelit të Evropës së sotme, ashtu si marrëveshja gjermano-franceze e Elizeut, e nënshkruar nga kancelari Adenauer dhe presidenti De Gaulle në 1963" - tha Komorovski.

Komorovski, i cili në kohën e socializmit bënte pjesë në lëvizjen e ndaluar opozitare, e cilësoi Evropën "realizimin e ëndrrave të shumë popujve" dhe kërkoi të çohet përpara integrimi evropian, edhe pse iu desh të pranonte se aktualisht Evropa nuk ndodhet në gjendje të mirë.

"Bashkimi i vendeve evropiane është bërë plotësisht viktimë e suksesit të tij. Zgjerimi i bashkimit në fusha të tjera politike dhe me vende të reja, ka ngjallur shumë pritshmëri. Evropa filloi të shihej si një shkop magjik që zgjidh çdo problem. Kjo pritje është kthyer tani në një pretekst për kritika boshe dhe për humbjen e besimit tek Evropa."

Megjithatë Komorovski, theksoi se populli polak edhe në krizën aktuale, mbështet me shumicë predominuese idenë evropiane. Falë pajtimit gjermano-polak dhe zgjerimit në Lindje, BE është bërë më i fortë. Sa i takon pranimit të kandidatëve të tjerë, Komorovski u shpreh i kujdesshëm:

"Nuk kam ndërmend të demonstroj optimizëm pa bazë. Përgjigja për pyetjen se sa e hapur duhet të jetë Evropa, nuk është e lehtë. Identiteti i Evropës duhet të përcaktojë kufijtë e tij. Evropa nuk është vetëm një nocion gjeografik, ajo është edhe një nocion kulturor."

Me rezerva u shpreh presidenti polak edhe në çështjen e pranimit të imigrantë të tjerë në Bashkimin Evropian. Evropa nuk duhet të pyesë tani veten vetëm nëse është në gjendje t'u ofrojë këtyre njerëzve kushte përkatëse, për të ndërtuar një ekzistencë. Imigracioni nuk duhet të minojë themelet sociale, politike dhe ekonomike të unionit evropian.

Autor: Matthias Bölinger / E.Xhani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi