1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Fjalët duhet të ndiqen nga veprat

Perspektiva e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në BE mbetet, shkruan për DW Michael Roth, ministër shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme gjermane.

Klima për një zgjerim të BE-së nuk është ashpërsuar vetëm pas referendumit për Brexit. Në BE, qytetaret dhe qytetarët presin që më parë Bashkimi Evropian të zgjidhë problemet vetjake, përpara se të shtohen anëtarë të rinj. Kjo shkakton shqetësim edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Prandaj sinjali i konferencës në Paris në korrik, në kuadër të të ashtuquajturit procesi i Berlinit ishte kaq i rëndësishëm: Perspektiva e BE-së u ritheksua. Anëtarësimi në BE do të pasojë sapo të jenë plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme.

Në shtetet e Ballkanit Perëndimor nga ana tjetër, njerëzit mendojnë se afrimi me BE-në nuk ecën aq shpejt sa duhet. Reformat e nevojshme kërkojnë shumë prej tyre. Prandaj politikanet dhe politikanët ndodhen edhe më shumë para detyrimit që të bëjnë publicitet për qëllimin e përbashkët të anëtarësimit. Ai është në interesin e dyanshëm. Shtetet e Ballkanit Perëndimor përfitojnë nga një komunitet, i cili për të gjithë botën përfaqëson rritje ekonomike, pajtim solidar, liri dhe demokraci me vlera bazë të pathyeshme, kurse BE përfiton nga një rajon me stabilitet dhe demokratik.

Momentin e anëtarësimit në fund janë vetë vendet që e përcaktojnë: sa më shpejt t'i vënë ato në jetë reformat, aq më i afërt është anëtarësimi. Por megjithatë varet më pak nga BE-ja, se sa nga ritmi i ndryshimit në vendet përkatëse, se kur do të jetë i mundur një anëtarësim. Për kriteret ka marrëveshje të qartë. Dhe BE-ja nuk i lë vetëm vendet në fjalë, ato do të marrin edhe më tej mbështetje në këtë rrugë.

BE vështron me shumë vëmendje

Prioritet për ne ka zhvillimi demokratik dhe i shtetit juridik. Për ne ai është kriteri themelor për një anëtarësim të mundshëm. BE-ja dhe Serbia hapën para pak kohësh kapitullin vendimtar të negociatave: një hap i rëndësishëm dhe që të gëzon. Tani rëndësi ka që fjalët të pasohen nga veprat. Bëhet fjalë për vënien në jetë të të gjithë atyre që ka ndërmarrë konkretisht në planet e saj të veprimit qeveria serbe për kapitujt 23 dhe 24. Serbia ndodhet këtu në rrugë të mirë. BE shikon me shumë vëmendje, kur bëhet fjalë për lirinë e medias, për pavarësinë e drejtësisë, për të drejtat bazë dhe të njeriut.

Kjo në një kohë kur është e qartë se një ndryshim që prek të gjithë shoqërinë nuk mund të kryhet brenda natës. Reformat e nevojshme megjithatë nuk janë as qëllim në vetvete, as lëshim ndaj BE-së, përkundrazi ato duhet të bëhen që të përfitojnë qytetaret dhe qytetarët serbë. Po kështu paraqitet situata përsa i përket pajtimit në rajon dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë - ato i shërbejnë stabilitetit të qendrueshëm në rajon dhe synojnë të përmirësojnë bashkëjetesën e njerëzve.

Pozicion i përbashkët ndaj Rusisë

Shtetet anëtare të BE-së, megjithë përvojat e ndryshme historike dhe perceptimet kanë rënë dakord për një qëndrim të përbashkët përballë Rusisë. Në këtë kuadër, në trajtimin e Rusisë Bashkimi Evropian nuk është fokusuar vetëm tek sanksionet, por po ashtu edhe te dialogu. Ajo për të cilën e kemi fjalën nuk është në asnjë mënyrë një politikë pro ose kundër Rusisë. Nuk është fjala as që Serbia t'i ndërpresë lidhjet e saj me Rusinë.

Ajo që ka rëndësi në BE është një pozicionim i përbashkët politik - edhe përballë Rusisë. Vendimin për t'u bërë anëtare e BE Serbia e ka marrë me dijeni të plotë se në kuadër të afrimit me BE-në edhe politika e saj e jashtme duhet të afrohet në mënyrë të vazhdueshme me Politikën e Përbashkët të Jashtme të BE-së.

 

*Michael Roth, lindur më 1970, është prej shumë vitesh deputet i Partisë Socialdemokrate Gjermane, SPD, dhe prej vitit 2013 është ministër shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme gjermane. Në mes të shtatorit ai bëri një udhëtim në Serbi, për të shkëmbyer mendimet atje me përfaqësues qeveritarë, deputetë, studentë dhe me shoqërinë civile.