1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fituese partitë e mëdha - Publikohen rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale të ditës së dielë. Prishtina fitohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kurse në shumicën e komunave të tjera kryeson me vota PDK-ja.

Zgjedhjet në Kosovë

Zgjedhjet në Kosovë

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të publikuara nga KQZ-ja, shpallin që në raundin e parë fitues në kryeqyet Isa Mustafën nga Lidhja Demokratike e Kosovës. PDK-ja fiton Ferizajn, me Bajrush Xhemajlin, kurse AAK-ja fiton garën për Gjakovën me kandidatin Pal Lekaj. Qendrat e tjera të mëdha të Kosovës, Peja, Prizreni, Mitrovica dhe Gjilani, do të shkojnë në balotazh ku për kryetar komune do të garojnë sërish nga dy kandidatët, ata që kanë marrë maksimumin e votave në raundin e parë të zgjedhjeve.

Zgjedhjet në Kosovë

Zgjedhjet në Kosovë

Zgjedhjet u zhvilluan në 36 komuna të Kosovës përfshirë edhe ato serbe. Sipas të dhënave paraprake, Partia Demokratike e Kosovës e cila udhëheq me qeverinë ka fituar që në raundin e parë në pesë komuna, në Drenas, Skënderaj, Ferizaj, Shtime dhe Zubin Potok, komunë kjo me shumicë serbe, por serbët nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje. Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar tashmë në Prishtinë, Podujeve dhe Fushë Kosovë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në Deçan dhe Gjakovë dhe kryeson me vota komunat veriore me shumicë serbe, Zveçan e Leposaviç, ku pjesëmarrja e votuesve serbë ishte shumë e vogël. Katër komuna të reja të krijuara në bazë të planit të decentralizimit, tashmë u takojnë pakicave kombëtare.

Partia Demokratike Turke e Kosovës ka fituar në Mamushë. Partia Liberale Serbe në Graçanicë dhe Kllokot, ndërsa Nisma Qytetare Serbe ka fituar në komunën e Ranillugut.

Zgjedhjet në Kosovë

Zgjedhjet në Kosovë

Kryetarja e KQZ-ve Nesrin Lushta, thotë se votat nuk janë numëruar ende të gjitha, mirëpo kjo nuk mund të ndikojë dukshëm në rezultatet e publikuara deri tash. Zonja Lushta, thotë se në bazë të rezultateve të dhëna deri tani është e qartë se 20 komuna të Kosovës pritet të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve, i cili është menduar që të zhvillohet me 13 dhjetor, megjithatë kjo nuk është vendosur ende nga KQZ-ja.

Rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve për kryetar komunash pritet të bëhen publike gjatë ditëve në vijim. Në zgjedhjet e ditës së dielë pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje ishte 45 përqind. Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se procesi i zgjedhjeve është zhvilluar përgjithësisht konform standardeve ndërkombëtare.

Autor : Bekim Shehu

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 17.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KYup
  • Data 17.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KYup