1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fitou: Prania ndërkombëtare vazhdon të jetë e rëndësishme në Kosovë

Ajo që duhet të bëjmë tani, dhe në ditët e ardhshme është t'u japin njerëzve qetësinë dhe vullnetin për të nisur bisedimet, që janë shumë të rëndësishme, thekson për DW ambasadori i Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou

default

Deutsche Welle: Si mendoni Ju, cila është arësyeja përse qeveria e Kosovës e ndërmorri hapin këto ditë për të vënë nën kontroll kufijtë në veri të vendit?

Fitou: Qeveria e Kosovës e ndërmorri këtë hap për vendosjen e reciprocitetit dhe ka vepruar shumë shpejt, për faktin se Beogradi nuk i njeh pullat doganore të Kosovës. Gjithashtu Kosova e mori këtë hap për të shkuar në veri, sepse duhet të merrte kontrollin e pikave kufitare, që quhen "Porta 1" dhe "Porta 31". Pra janë dy faza në të cilat qeveria ndërmorri aksionin.

Deutsche Welle: Kryeministri Thaçi deklaroi se Kosova si shtet i pavarur ka të drejtë të kontrollojë kufinjtë e shtetit të vet. Pra ku është konflikti në këtë veprim të ndërmarrë nga qeveria e Kosovës në kontekstin e konventave ndërkombëtare?

Tregtia, pika ku Kosova dhe Serbia nuk duan të lëshojnë pe

Fitou: Në fakt nuk është çështje konflikti, është çështja e rëndësishme e zgjidhjes së problemit të statusit të Kosovës si edhe të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi siç e dimë të gjithë kjo është një çështje shumë e komplikuar dhe integrale. BE-ja është munduar që t'i zgjidhë konfliktet me anë të hapave konkretë për dialog mes Prishtinës dhe Beogradit. Në më të shumtën e kohës ka pasur arritje dhe dialogu ka shkuar mirë, me rezultate konkrete me të vërtetë domethënëse. Në një moment, pati vështirësi, pasi tregtia ishte pika në të cilën dy shtetet nuk donin të lëshonin pe.

Deutsche Welle:Sa ka qenë i involvuar komuniteti ndërkombëtar në këtë aksion?

Në sajë të trupave të KFOR-it, situata është nën kontroll

Fitou: Komuniteti ndërkombëtar ka qenë i përfshirë në shumë aspekte pasi ai ka pasur si detyrë të sigurojë jetën e njerëzve dhe të objekteve. Për shembull ushtarët e vendit tim, ata gjermanë, dhe ata amerikanë, qëndruan gjatë natës në pikën numër 31, për të siguruar jetën e personave që banojnë aty. Pra komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar në çështjen kryesore, të mbrojë jetën e njerëzve. Situata atje mesa jam informuar është sigurisht shumë e komplikuar dhe e paqëndrushme. Situata në veri është nën kontroll dhe dhuna nuk është shtrirë në pjesën veriore të vendit dhe kjo në sajë të trupave të KFOR-it nën komandën e gjeneralit Bühler.

Deutsche Welle: Pyetja ishte më shumë se sa ka qenë i involvuar komuniteti ndërkombëtar në iniciativën e qeverisë së Kosovës për vënien nën kontroll të pikave doganore në veri të vendit?

Fitou: Me sa di unë, komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë përfshirë në aksionet dhe veprimet para ndërhyrjes së policisë në veriun e vendit. Edhe unë personalisht nuk jam përfshirë në vendimmarrje, dhe nga sa kam folur me kolegët e mi ndërkombëtarë, asnjë prej tyre nuk dinte mbi aksionin e policisë në veri.

Deutsche Welle: Si mund të ofrojë ndihmë BE-ja për zgjidhjen e problemit në perspektivën edhe të afrimit evropian të dy vendeve kur tashmë BE ka më shumë ekspertizë se si të hiqen kufinjtë sesa si të ngrihen dhe të kontrollohen ato?

Palët duhet të kthehen sërish në tryezën e bisedimeve

Fitou: Kjo është një çështje shumë e komplikuar. Një pyetje 1 milion dollarëshe. Ne nuk kemi arritur ende te kjo çështje. Çfarë duhet të bëjmë tani, dhe në ditët e ardhshme është që t'i japin njerëzve qetësinë dhe vullnetin për të nisur bisedimet që janë shumë të rëndësishme. Presidenti serb Tadiç po e bën këtë, dhe gjithashtu edhe kryeministri kosovar Thaçi dhe kjo është dhe detyrë e komunitetit ndërkombëtar. Do të duhet të arrihet qetësimi i situatës që Kosova dhe Serbia të ulen sërish në tryezë për të rifilluar aty ku e kanë lënë pezull. Por për momentin nuk jemi në këtë pikë.

Deutsche Welle: Serbia i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të marrë në shqyrtim çështjen e kontrollit të pikavë doganore. Cili është mendimi juaj për rezualtatin e konsultimeve në Këshillin e Sigurimit?

Njerëzit në veri të vendit duhet të qetësohen dhe të bëjnë një jetë normale

Fitou: Nuk e di sepse tani për tani jemi në një moment krize në veri të Kosovës dhe kur je në këtë gjendje, duhet që në fillim të gjesh rrugëdaljen nga situata dhe jo të shohim për hapin tjetër. Nuk duhet të bëhen analiza, kush e bëri, çfarë bëri dhe kujt. I kemi kërkuar njerëzve në veri, që të rifillojnë jetën normale dhe të sillen paqësisht. Nuk pres që Këshilli i Sigurimit apo ndonjë institucion tjetër me gjithë respektin që kam për to të gjejë dhe dënojë fajtorët.

Deutsche Welle: Ju citoheni në mediat kosovare të keni deklaruar, se tashmë nuk është e nevojshme prania ndërkombëtare në Kosovë. Do të thotë kjo se prania ndërkombëtare tashmë e ka kryer detyrën në Kosovë?

Prania e ndërkombëtarëve në Kosovë është e nevojshme

Fitou: Unë nuk e kam thënë këtë. Përkundrazi unë mendoj se prezenca ndërkombëtare në Kosovë është ende e nevojshme, por ndoshta ngjarjet që kanë ndodhur kohët e fundit tregojnë se Kosova është më e pavarur dhe më autonome se pak muaj më parë. Kosova po shkon drejt një sovraniteti të plotë. Nuk po them që ky sovranitet është sot aktualisht por po shkon drejt kësaj.

Deutsche Welle: A mund të thoni së në çfarë termash kohore mund të vazhdojë të jetë e nevojshme prania ndërkombëtare në Kosovë?

Fitou: Unë jam diplomat dhe nëse do të mund t´i përgjigjesha një pyetje të tillë do të isha në një detyrë tjetër shumë më të rëndësishme. Është një çështje shumë e komplikuar. Them që Kosova po shfaq gjithmonë e më shumë dëshirë për t'u marrë me punët e saj direkt. Nuk po them që prezenca ndërkombëtare është e panevojshme. E përsëris, se unë nuk mendoj së prezenca ndërkombëtare nuk është e nevojshme, fjalët e mija janë keqkuptuar. Unë mendoj të kundërtën se ato janë akoma shumë të dobishme.

Intervistoi Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Mimoza Kelmendi