1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fitorja e Nikoliqit "tërmet politik" në Serbi

Brukseli, por edhe Moska shpresojnë të kenë bashkëpunim të ngushtë me presidentin e ri serb, Nikoliq, por ekspertët paralajmërojnë për shkak të së kaluarës së tij. Një ndër sfidat më të mëdha mbetet Kosova.

Tomislav Nikoliq

Tomislav Nikoliq

Gabimisht por sikur ta dinin: tre orë para mbylljes së vendvotimeve në Serbi, në faqet e internetit në Bruksel u botua urimi i Jose Manuel Barrosos dhe Herman Van Rompuy për fitoren e Tomisllav Nikoliqit në zgjedhjet presidenciale. "Urimi" i përshpejtuar u tërhoq shpejt nga interneti, por tre orë më vonë u dëshmua: Boris Tadiq humbi garën për rizgjedhje në postin e presidentit nga Tomisllav Nikoliq.

Në urimin e bërë publik zyrtarisht pas zgjedhjes së Nikoliqit thuhet se: "Populli serb ka dhënë sinjal të qartë në këto zgjedhje për vazhdimin e rrugës evropiane." Krerët e BE-së paralajmërojnë Nikoliqin se kushti për anëtarësimin e Serbisë në BE është "përmirësimi i dukshëm dhe i qëndrueshëm i raporteve me Kosovën". Edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle ka kërkuar prej Nikoliqit të vazhdojë rrugën evropiane të Serbisë. "Vendimtare është që Serbia të vazhdojë këtë kurs", tha ai.

Por urime të shpejta për Nikoliqin kanë mbërritur edhe nga presidenti i Rusisë Vlladimir Putin. "Jam i bindur se me angazhimet e përbashkëta do të vazhdojnë punën në realizimin e marrëveshjeve dhe projekteve të mëdha për investime dhe do të koordinojmë aktivitetet në arenën ndërkombëtare", shkruan Putin.

Boris Tadiq humbi zgjedhjet

Boris Tadiq humbi zgjedhjet

Kush është Tomislav Nikoliqi

Tomisllav Nikoliqi ka lindur në vitin 1952 në Kragujevc. Për herë të parë në politikë është angazhuar në Partinë Popullore Radikale në vendlindje. Ndërsa me iniciativën e tij në vitin 1991 kjo parti është bashkuar me Lëvizjen Çetnike Serbe të Vojisllav Sheshelit. Nga këto dy parti është krijuar Partia (ultranacionaliste) Radikale Serbe, ku Sheshel ishte kryetar ndërsa Nikoliq nënkryetar. Pas mosmarrëveshjeve serioze ata të dy janë ndarë para tre vitesh dhe Nikoliqi me Aleksandar Vuçiqin kanë themeluar Partinë Përparimtare Serbe, e cila në zgjedhjet e fundit parlamentare ka fituar më së shumti vota.

Nikoliqi është deputet i parlamentit të Serbisë që nga viti 1992. Ai ishte edhe kryetari i Parlamentit të Serbisë ndërsa në kohën e luftës së Kosovës 1998-1999 ishte edhe zëvendëskryeministër i Serbisë dhe Jugosllavisë.

Në atë kohë Shesheli dhe ai personifikonin politikën radikale, e cila angazhohej për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Pas ndarjes nga Shesheli, presidenti i ri i Serbisë ka modifikuar disa qëndrime, por analistët thonë se ende është më i afërt me politikën nacionaliste dhe me Rusisë se sa me qarqet demokratike dhe Bashkimin Evropian.

Reagimet e tjera

Dy mesazhet kryesore të presidenti të ri Tomisllav Nikoliq me rastin e shpalljes së fitores ishin se "Serbia nuk do të largohet nga rruga e integrimeve evropiane" dhe se do të angazhohet për "mbrojtjen e popullit serb në Kosovë e Metohi". Ai tha se është i interesuar për raporte të mira edhe me shtetet fqinje ndonëse vizitat e para me siguri që do t'i realizojë në disa vende të tjera.

Ish-presidenti i Kroacisë Stjepan Mesiq shpreson se Nikoliqi do të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane. Mediat kroate rikujtojnë rolin e Nikoliqit në kohën e luftës së atjeshme. Fitoren e Nikoliqit e quajnë një lloj "termeti politik në Serbi" por shpresojnë vazhdimin e përmirësimit të rapoteve mes Beogradit dhe Zagrebit. Ndërsa lideri i partisë Serbia e Re, Velimir Iliq, pohon se Nikoliqi do të ndjekë rrugën e Vlladimir Putinit, që do të thotë se do të jetë më i afërt me Moskën se me Brukselin.

Guido Westerwelle, ministër i Jashtëm gjerman

Guido Westerwelle, ministër i Jashtëm gjerman

Opinionet e ekspertëve

Eksperti gjerman Franz Lothar Altmann pohon e kaluara dëshmon se Nikoliqi është një politikan, të cilit nuk mund t'i besohet shumë, sepse shpesh ka ndryshuar pozicionet politike. Por kjo mund të jetë edhe pozitive në qoftë se kupton se ka dhe opsione të tjera dhe jo vetëm ato nacionaliste. Sipas tij, fitorja e Nikoliqit nuk do të thotë se në Serbi ka fituar rryma nacionaliste, për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime. "Njerëzit janë të lodhur dhe të pakënaqur. Ata kanë pritur ndryshime të shpejta dhe përparim. Pasi kjo nuk është realizuar tani kërkojnë ndryshime", pohon Altmann i cili është i bindur se Brukseli, Berlini, Parisi, Londra dhe metropolet e tjera evropiane do të jenë të hapura për bashkëpunim dhe se bashkëpunimi varet nga sjelljet e Nikoliqit.

Ndër sfidat kryesore Kosova

Edhe eksperti amerikan Daniel Server pohon se bota do ta vlerësojë Nikoliqin në bazë të veprave dhe jo të kaluarës së tij. "Por fitorja e tij e ka komplikuar shumë skenën politike në Serbi, sepse Nikoliqi i përket një partie tjetër, ndërsa Partia Demokratike dhe socialistët kanë paralajmëruar vazhdimin e bashkëpunimit, që komplikon situatën rreth krijimit të qeverisë", pohon Server. Të dy këta ekspertë janë të mendimit se një prej sfidave më të mëdha për Serbinë, Nikoliqin dhe qeverinë e re do të jetë Kosova. "Nikoliqi deri tani ka qenë i prerë se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërsa Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se pa marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit rreth statusit të Kosovës nuk mund të ketë anëtarësim të Serbisë në BE. Ky do të jetë problem serioz për Nikoliqin", pohon Altmann.

Detyrat e presidentit të Serbisë

Detyra e presidentit të Serbisë ka më shumë një karakter përfaqësues dhe "fuqia" e tij varet nga koalicioni qeveritar. Nëse presidenti vjen nga koalicioni qeveritar atëherë edhe influenca e tij në pushtetin ekzekutiv është shumë më e madhe. Në të kundërtën ai ka në dorë disa mekanizma të kontrollit të pushtetit. Presidenti në Serbi shpall ligjet, i propozon parlamentit mandatarin për krijimin e qeverisë (sipas të gjitha gjasave kandidate e parë do të jetë Jorgavanka Tabakoviq e Partisë Përparimtare Serbe, pasi kjo është partia e Nikoliqit dhe ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare), emëron ambasadorët e vendit në bazë të propozimeve të qeverisë, pranon letrat kredenciale, është komandant i Forcave të Armatosura të Serbisë. Presidenti i Serbisë nuk mund të ushtrojë ndonjë detyrë tjetër politike, profesionale apo publike.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi