1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Fitore me pikë për demokracinë

Gjykata Kushtetuese Gjermane i hodhi poshtë ankesat ndaj ombrellës së ndihmave për euron dhe Greqinë, por forcoi pozicionin e parlamentit në lidhje me tekstin e këtij ligji. Peter Stützle komenton.

default

Gjyqtarët kushtetues në Karlsruhë arritën një vepër të vogël mjeshtërore. Ata i kthyen parlamentit, përfaqësuesit të popullit gjerman, të drejta që duket se po i rrëshqisnin prej duarsh në kuadrin e masave për shpëtimin e euros. Dhe këtë e bënë pa e rrezikuar vetë euron.

Parë hollë-hollë Gjykata Kushtetuese gjermane duhet ta kishte hedhur poshtë ligjin për mekanizimin e stabilizimit të euros, pra ligjin me të cilin Gjermania është dakord me ombrellën e shpëtimit të euros për vendet e zhytura në borxhe. Sepse ky ligj i heq nga dora Bundestagut kontrollin ndaj financave të shtetit, gjë që i takon sipas kushtetutës. E drejta e buxhetit konsiderohet si e drejta mbretërore e parlamentit. Ligji për ombrellën e shpëtimit të euros e detyron qeverinë gjermane vetëm që të "përpiqet" për të rënë dakord me komisionin parlamentar për buxhetin, përpara se të miratojë ndihma të reja për shtetet e eurozonës. Kjo do të thotë që edhe në rast se përpjekja nuk del e sukseshme, qeveria mund t'i miratojë këto ndihma.

Marifeti i gjyqtarëve

Një gjë e tillë është në vetvete antikushtetuese. Në rast se Gjykata Kushtetuese gjermane do ta kishte hedhur poshtë ligjin, ajo do të rrezikonte të gjitha masat për shpëtimin e euros – gjë që do të ishte me pasoja të paparashikueshme. Prandaj gjyqtarët përdorën një marifet: ata e shpallën ligjin si konform kushtetutës, por e detyruan qeverinë gjermane që ta interpretojë fjalinë vendimtare ndryshe nga si është shkruar. E pra që qeveria gjermane nuk ka të drejtë të marrë përsipër garanci të reja pa marrë përpara miratimin e komisionit parlamentar për buxhetin.

Në një farë mënyrë vendimi i Gjykatës Kushtetuese i përshtatet edhe qëndrimit të politikanëve, sepse duke filluar nga sot në Bundestag po diskutohet për një ligj në lidhje me vendimin përfundimtar të parlamentit për vendime të tilla. Kjo bëhet sepse shumica e deputetëve janë të pakënaqur me idenë se parlamentit mund t'i hiqet nga dora mundësia për të vendosur për buxhetin. Gjykatësit kushtetues i mbështesin përpjekje të tilla. Përveç kësaj ata i vunë fre edhe për të ardhmen shfuqizimit të parlamentit. Vendimi i tyre është një pikë fitoreje për demokracinë.

Autor: Peter Stützle

Redaktoi: Pandeli Pani