1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Fitore historike për opozitën

Fitore historike për opozitën socialdemokrate në Sllovaki, e cila është në gjendje të qeverisë e vetme.

Gëzim në selinë e partisë socialdemokrate. Eshtë një fitore historike për opozitën. Asnjëherë më parë në historinë e Sllovakisë së pavarur një parti nuk ka mundur të fitojë kaq shumë vota. Pas një nate të gjatë fituesi i zgjedhjeve Robert Fico doli para mikrofonëve:

„Socialdemokratët kanë arritur një rezultat, që ne na befasoi. Ne kemi marrë më shumë se një milionë vota. ëndrra ime e fshehtë është plotësuar.„

Ish-kryeministrja Iveta Radicova

Ish-kryeministrja Iveta Radicova

Me rezultatin prej rreth 45 përqind socialdemokratët mund të qeverisin të vetëm në katër vitet e ardhshëm. Shumicën e tij absolute kryeministri i ardhshëm dëshiron ta shfrytëzojë për reforma socialpolitike:

„Ne do të kemi një shtet social, që nuk i rregullon financat në kurriz të njerëzve të varfër. Ne do të gjejmë zgjidhje që të mos e ulim edhe më tej nivelin e jetesës së atyre, që kanë të ardhura të pakëta."

Humbje e madhe për partitë e qendrës së djathtë

Partitë e qendrës së djathtë të rënduara me një aferë korrupsioni mezi arritën të kapërcejnë pragun e 5 përqindëshit. Partia deri tani më e fortë në pushtet SDKU humbi dy të tretat e votave. Një humbje dramatike për kryetarin e partisë, ministrin e Jashtëm Dzurinda: „Ishte fare e qartë se afera e madhe e korrupsionit ka dëmtuar partinë tonë. Ne nuk kemi mundur që të mposhtim këto emocione kundër nesh."

Skandali i korrupsionit ishte tema kryesore në fushatën zgjedhore. Për javë me rradhë sllovakët demonstruan në shumë qytete të vendit. Protesta e tyre drejtohej kundër një rrjeti të ngushtë nga politika dhe ekonomia që kishte në dorë privatizimin e ndërmjarrjeve shtetërore. Politikanë të të gjitha partive duhet të kenë bashkëpunuar për vite me rradhë. Qeverisja e socialdemokratëve në të ardhmen si forcë e vetme politike, mendon analisti politik Jan Baranek, nuk është lajm i mirë: „Eshtë gjithmonë më mirë, kur në një koalicion ka një farë kontrolli. Ne e dimë ndërkohë se në Sllovaki ka kudo korrupsion. Një qeveri pa mekanizma kontrolli është gjithmonë në rrezik."

Robert Fico, kryetar i SMER-it socialdemokrat, fitues i zgjedhjeve.

Robert Fico, kryetar i SMER-it socialdemokrat, fitues i zgjedhjeve.

Me të vertetë në aferat korruptive ka akuza edhe kundër socialdemokratëve. Por natën pas zgjedhjeve Robert Fico deklaroi një luftë energjike kundër korrupsionit. Edhe në parketin evropian kryeministri i ardhshëm do të luajë një rol pozitiv:

„SMER-i është një parti proeuropiane. BE mund t'u besojë socialdemokratëve. Ne jemi një vend i vogël dhe duam ta mbajmë eurozonën.“

Ekonomia sllovake, e orientuar fort nga eksporti, vuan nga kriza enkonomike dhe financiare. Me afro 14 përqind ky vend ka papunësinë më të lartë në Europë. Sidomos investorët e huaj paralajmërojnë për rrezikun e largimit nga kursi i reformave ekonomike dhe kthimi në një politikë sociale në kontenkstin e financimit të borxhit.

Autor/Stefan Heinlein/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama