1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

081109 USA Gesundheitsreform

9 Nëntor 2009

Reforma në shëndetësi e planifikuar nga Presidenti Barak Obama ka kapërcyer një pengesë të rëndësishme. Megjithë kundërshtimin e opozitës republikane, Dhoma e përfaqësuesve në Uashington e aprovoi projektin.

https://p.dw.com/p/KRfs
Reforma në shëndetësi miratohet nga Dhoma e përfaqësuesve.
Reforma në shëndetësi miratohet nga Dhoma e përfaqësuesve.Fotografi: AP

Ishte thuajse mesnatë, kur projektligji kaloi në dhomën e përfaqësuesve. Ashtu siç pritej rezultati i votimit ishte i ngushtë. 220 deputetë votuan pro projektligjit: 219 demokratë dhe një republikan i vetëm. Në fund numri i votave pro ishte vetëm dy më shumë se kufiri i nevojshëm. 39 demokratë votuan kundër planit të Obamës.

Duke ditur mirë se sa i ngushtë mund të ishte rezultati, Presidenti Obama u angazhua personalisht edhe njëherë. Ai shkoi në Kongres për t'u kërkuar deputetëve demokratë të jepnin votat e tyre dhe e përsëriti këtë pak më vonë në një fjalim publik: "Ky është momenti, kur duhet të veprojmë. Unë i lutem anëtarëve të këtij Kongresi t'i përgjigjen thirrjes së historisë dhe të miratojnë këtë projektligj.“

Presidenti Barack Obama duke folur për reformën në shëndetësi.
Presidenti Barack Obama duke folur për reformën në shëndetësi.Fotografi: AP

Projekti ka një volum prej 2000 faqesh

Kostot për ristrukturimin e sistemit gjatë dhjetë viteve të ardhshme vlerësohen në projekt me rreth 808 miliardë euro. Plani premton ta bëjë sigurimin shëndetësor të përballueshëm financiarisht nga të gjithë dhe të mundësojë sigurimin e thuajse të gjithë amerikanëve.

Si alternativë ndaj ofruesve privatë do të krijohet një sigurim shtetëror. Firmat do të jenë të detyruara t'u ofrojnë punonjësve të tyre një sigurim shëndetësor. Vetëm sipërmarrjet shumë të vogla janë të përjashtuara. Shoqërive të sigurimit nuk do t'u lejohet më t'u refuzojnë sigurimin njerëzve për shkak të sëmundjeve të mëparshme.

Protesta për reformimin e sektorit të shëndetësisë.
Protesta për reformimin e sektorit të shëndetësisë.Fotografi: AP

Republikanët e luftuan projektligjin deri në sekondën e fundit dhe e kishin shtyrë votimin përmes trukeve të vazhdueshme proceduriale. Kryetari i republikanëve në dhomën e përfaqësuesve, John Boehner, paralajmëroi: "Reforma do të kushtojë vende pune, do të shtrenjtojë sigurimet dhe reduktojë shërbimet për të moshuarit. Të gjitha këto amerikanët nuk i duan."

Debati u zhvillua me pasion

U luftua deri në fund për çështje të caktuara, për shembull për disa paragrafë të konstestuar për financimin e aborteve. Zëdhënëses demokrate të dhomës së përfaqësuesve Nency Pelosi i shihej qartë lehtësimi pas votimit të suksesshëm. "Ne jemi shumë krenarë për suksesin tonë dhe për deputetët, të cilët e dinë se çfarë kanë arritur për popullin amerikan."

Për Presidentin e SHBA-së Barak Obama rezultati është një fitore e rëndësishme etape, por reforma në shëndetësi ka ende një rrugë të gjatë përpara. Së pari, aty ku shumica vlerësohet e pasigurtë, është senati ai, që duhet të vendosë. Më pas të dy dhomat e Kongresit duhet të hartojnë një projekt të përbashkët dhe më pas të votojnë përfundimisht.

Autor : Sabine Müller / Eliana Xhani

Redaktoi : Aida Cama