1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fitojnë të gjithë - Regjistrimi i popullsisë me rëndësi jetike për Greqinë

Regjistrimi i banesave dhe i popullsisë në Greqi kryhet sipas modelit evropian. Ai pritet të fiksojë edhe numrin e saktë të emigracionit, që përllogaritet në rreth 1 milionë vetë, shumica dërrmuese shqiptarë.

default

Drejtoresha e përgjithshme e Studimeve Statistikore të Autoritetit Statistikor Grek Athanasia Ksenaqi, (majtas) me kolegun Andrew George (në qendër)

Deri më 24 maj dhe për 15 ditë më radhë, 55.000 regjistrues anekënd Greqisë do të kurorëzojnë regjistrimin e popullsisë dhe banesave, 10 vjet pas regjistrimit të mëparshëm të vitit 2001. “Regjistrimi bëhet për mirë. Do të na ndihmojë të gjithë” thotë drejtoresha e përgjithshme e Studimeve Statistikore të Autoritetit Statistikor Grek Athanasia Ksenaqi. Apeli i saj: T'u hapen dyert regjistruesve dhe t'i përgjigjemi me sinqeritet dhe pa asnjë “droje” të gjitha pyetjeve. “Nuk kërkojmë asnjë vërtetim” sqaron Ksenaqi për 21 pikat e pyetësorit - me 17 pyetje për banesat dhe 21 për personat - të formuluar sipas modelit evropian, i cili kërkon përgjigje për emrin, identitetin, moshën, gjendjen familjare, nivelin arsimor, profesionin dhe shtetësinë, por jo për besimin fetar, origjinën, kombësinë, apo besimin partiak të të intervistuarit.

Asnjë frikë pej deklarimit, të dhënat janë konfidenciale

Me të njejtin formular, të përkthyer në 6 gjuhë, përfshi edhe shqipen, bëhet edhe regjistrimi i imigrantëve, të cilët “s'kanë pse t'i tremben diçkaje”. “Nuk kërkojmë asnjë shkresë nga asnjë, nëse është i ligjshëm apo jo” thotë Ksenaqi. “Regjistrohuni, të dhënat janë konfidenciale, nuk keni asgjë për të humbur, vetëm për të fituar. Unë vetë jam regjistruar ditën e parë” thotë për DW, Ira Londo, kryeredaktore e së përjavshmes “Plus gazeta Athina”. Në regjistrimin e para 10 vjetëve, kur popullsia e Greqisë rezultoi 10.964.000 vetë, nga të cilët 797.091 imigrantë, ajo ka qenë vetë regjistruese.

Griechenland Zensus

Ira Londo, kryeredaktore e së përjavshmes “Plus gazeta Athina"

Si më të integruarit, imigrantët shqiptarë nuk duhet të neglizhojnë

Për Irën jo frikë, por as neglizhencë nuk duhet të tregojnë bashkatdhetarët e saj, me shkallën e lartë të integrimit të tyre, “me familje shembullore por dhe fëmijë të shkëlqyer nëpër shkolla”, që i bëjnë të ngjajnë si “elita e imigracionit”. “Është shumë e rëndësishme të zbatojmë ligjin, është shumë e rëndësishme që qeveria greke të di se kush jemi, sa jemi dhe çfarë kërkojmë” thotë Ira. Botimi i mesazhit të ministrisë së Brendshme për regjistrimin, siç sqaron, “nuk është reklamë e paguar”, por “obligim gazetaresk” për të informuar dhe nxitur lexuesit e saj për t'u regjistruar.

Në skedat e regjistruesve edhe të pastrehët e rrugëve por edhe klandestinët e porteve

“Syrit” të regjistruesve nuk i shpëtojnë as mijërat e klandestinëve jo vetëm të qendrës së Athinës, por edhe të porteve detare si Patra apo Igumenica, ku dynden përditë me shpresën e kalimit nëpër vendet e tjera evropiane. “Përdorim përkthyes për të ardhur në kontakt me të gjithë ata njerëz për t'i regjistruar. Po iu them se në masën 99% nuk kemi probleme” thotë kryetari i Autoritetit Statistikor Grek, Andreas Gjeorgjiu duke vlerësuar rolin që luajnë shoqatat e imigrantëve por edhe OJQ për rastin e të pastrehëve.

Regjistrimi i saktë me rëndësi jetike për Greqinë

Rezulzatet e regjistrimit nuk fshehin thjesht “kuriozitetin” e numrit të popullsisë vendase apo të të huajve, por edhe piketat e politikave që do të projektohen dhe zbatohen në të ardhmen. “Të gjitha regjistrimet kanë rëndësinë e tyre se përmbajnë të dhëna që do të përdoren më vonë për politikën, politikën sociale, ekonomike, kulturore etj.” i thotë DW ish-nënkryetari i parlamentit grek, ministër dhe profesor i Universitetit të Athinës, Manolis Dhretaqis, i cili në rastin e Greqisë e konsideron si jetik për numrin e madh të imigrantëve por edhe natalitetit të ulët të popullsisë vendase.

Griechenland Zensus

Profesori i Universitetit të Athinës, Manolis Dhretaqis

“Pra duhet të shohim edhe lindjet në lidhje me nënshtetësinë e nënës, në mënyrë që të shohim se si popullsia vendase evoluoi në lidhje me popullsinë e të huajve. Kjo ka rëndësi për të gjitha vendet, por veçanërisht për Greqinë që përballet me problemin e mprehtë të prezencës së rreth 1 milioni imigrantësh. Ndaj dhe ka përparësi regjistrimi sa më i saktë i të huajve, sa janë, sa janë fëmijët e tyre, nëse shkojnë në shkollë apo jo etj.” thotë Dretaqis, i cili ka rreth 40 vjet që po “eksploron” problemin demografik të vendit të tij.

Pa imigrantët Evropa do të ishte shembur

Vlerësimi i politikanit dhe studiuesit grek është shumë pozitiv për rolin e imigrantëve: “Sipas mendimit tim, në qoftë se nuk do të ishim imigrantët e gjithë Evropa, nënkuptoj Bashkimin Evropian, do të ishte shembur” thotë Dhretaqis për kontributin jo vetëm ekonomik por edhe demografik të të huajve në shoqëritë e plakura evropiane. “Mjafton, sipas tij, që imigrantët të jenë veçse të ligjshëm”. Por si çdo vend edhe Greqia duhet të dijë edhe numrin e imigrantëve të paligjshëm, që “nuk do të regjistrohen si të tillë, por indirekt nga vitet e qëndrimit do të bëhet një dallim i tillë” dhe të vendosë se çfarë duhet të bëjë me këtë kategori: do ta integrojë apo ekstradojë.

Regjistrimi ka rëndësi edhe për imigrantët

Imigrantët vetë kanë për të fituar nga regjistrimi sa më i saktë i tyre. “Regjistrimi është i një rëndësie ndoshta më të madhe për imigrantët se sa për grekët, thotë profesori Dhretaqis. Për arsyen e thjeshtë se një numër i madh i tyre janë familjarë, me fëmijë nëpër shkolla, që sipas ligjit të fundit të nënshtetësisë do të jenë grekë në qoftë se do të qëndrojnë në Greqi.” Ndërsa përsa i përket çështjes së klandestinëve, profesori Dhretaqis që pret me shumë interes rezultatet e regjistrimit është i mendimit se edhe ata kanë interesin e tyre. "Shumë thuhen në kurriz të tyre, por pjesa e tyre dërrmuese nuk janë elementë të inkriminuar, por njerëz që kanë ardhur për një copë bukë që u privohet në vendin e tyre, apo si refugjatë.” thotë Manolis Dhretaqis. Të dhënat e para për numrin e përgjithshëm dhe seksin do të publikohen në muajin qershor dhe pas një viti e gjysëm, me limit kohor marsin e vitit 2014, të dhënat më analitike.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Lindita Arapi