1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Fischer: Rusia nuk duhet të përjashtohet

Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja kanë kohë që e konsiderojnë si kritike situatën në Ukrainë, sidomos në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokratizimit.

Tani Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kërkon madje sanksione ndaj delegacionit rus. Axel Fischer (CDU) anëtar i parlamentit gjerman dhe kryetar i delegacionit gjerman pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, thotë në intervistë me DW, se nisma për këtë ka ardhur nga kolegu i tij britanik Robert Walter, i cili kërkon edhe prapësimin e akreditimit të delegacionit. Por sipas Fischer-it ajo që duhet sqaruar është "se cilat ishin kushtet ligjore në të cilat u zhvillua referendumi në Krime më 16 mars dhe se si funksionoi pas referendumit aneksimi i gadishullit ukrainas të Krimesë. Ukraina i dorëzoi armët e saj atomike dhe SHBA, Britania e Madhe dhe Rusia premtuan se do të garantojnë integritetin e saj."

Axel Fischer mendon në lidhje me kërkesën për prapësimin e akreditimit të delegacionit rus, se si kompromis mund të arrihet heqja e së drejtës së votës për delegacionin rus, sepse sipas tij "nuk ka pasur shkelje të parimeve themelore të Këshillit të Evropës" dhe se prandaj KE synon një zgjidhje paqësore dhe me marrëveshje të konfliktit .

Axel Fischer nuk mendon se delegacioni rus do të largohet nga asambleja e Këshillit të Evropës para votimit për kërkesën për prapësimin e akreditimit të delegacionit rus. Ai shprehet se "ne nuk duam acarim të mëtejshëm me Rusinë, por edhe se nuk lejojmë të na bëjnë shatazh." Axel Fischer thotë se asambleja do t'i dëgjojë mendimet e rusëve dhe argumentet e tyre dhe do t'i analizojë gjërat me qetësi. Por ai thekson edhe se nuk shkon që Evropa të tregohet e përmbajtur dhe rusët vetëm të paraqesin pretendime dhe kërkesa.

Sipas Axel Fischer pavarësisht interpretimeve të ndryshme nga ana e Rusisë dhe e Perëndimit në lidhje me ngjarjet në Ukrainë dhe protestat në Kiev, e rëndësishme është që pushtetmbajtësit në Kiev të respektojnë të drejtat e njeriut dhe të garantojnë shtetin ligjor.