1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Firmat kineze investojnë me shtetin nga pas - Evropa ankohet për deformim të konkurrencës së lirë

Ndikimi i Kinës në ekonominë evropiane po rritet. Shtetet e Evropës qendrore e juglindore kanë nevojë për para, superfuqia e re ekonomike i ka këto para - madje me norma interesi të parrëzueshme nga ndonjë vend tjetër.

Pamje simbolike e rritjes ekonomike në Kinë

Pamje simbolike e rritjes ekonomike në Kinë

Investorët kinezë po sigurojnë në rajonin evropianolindor e atë qendror gjithnjë e më shumë projekte të mëdha, veçanërisht në infrastrukturë. Por përfaqësues nga ekonomia evropiane dhe gjermane akuzojnë Kinën për deformim të konkurrencës. Për shembull në ndërtimin e një segmenti autostrade në Poloni, vend që pret me gëzim Kampionatin Evropian të Futbollit 2012.

Por para se tifozët nga Evropa të vijnë në Poloni dhe Ukrainë duhet të jetë gati segmenti i autostradës nr. 2, që lidh Varshavën me Lodzin. Firma Covec, "Overseas Engineereing Group", bijë e Hekurudhës Shtetërore Kineze, fitoi në shtator 2009 tenderin për ndërtimin e këtij segmenti. Kjo është hera e parë që një koncern kinez fiton një projekt kaq të madh në BE.

Pamje nga projekti ndërtimor i segmentit Varshavë-Lodz. Firma kineze Covec fitoi tenderin

Pamje nga projekti ndërtimor i segmentit Varshavë-Lodz. Firma kineze Covec fitoi tenderin

Kina deformon konkurrencën

Kostoja e ndërtimit, që ofron firma kineze Covec, është 30% më e ulët se ofruesi i dytë në renditje. Për Shoqatën Evropiane të Ndërtuesve në Bruksel ky është një shembull i qartë i deformimit të konkurrencës: Kina ka mundësi të ofrojë këto çmime, sepse firma Covec mbështetet financiarisht nga shteti.

"Po qe se firmat tona do të mbështeteshin me 500 milionë dollarë subvencion nga shteti, atëherë edhe ato do të bënin oferta më të lira. Por me Republikën e Kinës firmat tona nuk mund të konkurrojnë në mënyrë të ndershme."

Kështu thotë Ulrich Paetzold, kryetari i Shoqatës Evropiane të Ndërtuesve. Kina i nxjerr jashtë loje firmat gjermane dhe ato evropiane në Evropën qendrore, lindore dhe juglindore në mënyrë sistematike, nganjëherë edhe me mjete të dyshimta. Ky është konkluzioni i një studimi të gjatë, të botuar nga Dhoma e Ekonomisë Gjermane për Lindjen.

Klaus Mangold, kryetari në largim i Dhomës së Ekonomisë Gjermane për Lindjen

Klaus Mangold, kryetari në largim i Dhomës së Ekonomisë Gjermane për Lindjen

Kryetari në largim i Dhomës së Ekonomisë Gjermane për Lindjen, Klaus Mangold: "Kina natyrisht diti ta përdorë krizën e industrisë në Evropën perëndimore, për të përfituar tregje...(...) Askush nuk është kundër financimeve me çmime të leverdishme, por ato nuk mund të quhen të tilla, kur pjesërisht kanë norma fikse interesi 1,5 apo 2% për 15 vjet. Kjo sigurisht është diçka, që nuk mund të justifikohet më në planin ndërkombëtar me përqindjet e normës së interesit, të orientuar nga tregu."

Evropa juglindore i hap derën Kinës

Shtetet e goditura rëndë nga kriza, si Greqia i pranojnë madje me falënderim investimet kineze, para së gjithash në kohëra, kur investorët perëndimorë tregohen mjaft të rezervuar. Qeveria e Athinës përmbylli në vitin 2007 partneritetin strategjik me Kinën. Gjatë një vizite në tetor kryeministri kinez, Ven Jiabao, tha në Athinë se Kina do të vazhdojë të blejë tituj të borxhit kinez. Greqia është ura ideale për tregtinë kineze në Evropë.

Kryeministri kinez Ven Jiabao dhe ai grek Papandreu në Athinë. Ven Jiabao vizitoi Athinën në 2 tetor 2010

Kryeministri kinez Ven Jiabao dhe ai grek Papandreu në Athinë. Ven Jiabao vizitoi Athinën në 2 tetor 2010

Edhe në Serbi Kina është mjaft aktive. Në prill 2011 fillon ndërtimi i një ure të re të Danubit në Beograd. 85% e fondeve janë kredi e bankës shtetërore kineze për eksport-importet. Kjo bankë i ka dhënë edhe Malit të Zi një kredi disamilionëshe për të ndërtuar anije kineze. Me Zagrebin Kina ka përfunduar marrëveshjen për ndërtimin e aeroportit të ri, ndërsa në Bullgari do të ngrihet pranë Sofjes një park industrial kinez. Në Rumani është bërë e ditur ndërkohë mbështetja kineze për zgjerimin e sektorit energjitik, që shfrytëzon energjinë eolike, po ashtu Kina do të investojë edhe në sektorët e infrastruktruës, minierave dhe bujqësisë së këtij vendi. Në Rumani aktualisht ekzistojnë 10.000 firma kineze.

Por çfarë interesash ndjek Pekini në këto vende? Eberhard Sandsschneider, ekspert për Kinën në Shoqatën Gjermane për Politikën e Jashtme: "Fillimisht synohej të siguroheshin burimet, përveç kësaj Kina dëshiron të pozicionohet me kujdes në mënyrë strategjike në tregjet e ndryshme. Nganjëherë janë pikërisht vendet e varfra, që impresionohen më lehtë nga shumat e investimeve kineze se sa shtete të tjera. Por kjo nuk është ndonjë strategji e fshehtë, por rruga e duhur, sipas pikëpamjes kineze."

Autor: Alexandra Scherle/Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 27.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PoNV
  • Data 27.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PoNV