1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Firmat gjermane i druhen sanksioneve kundër Rusisë

Ekonomia sheh me shqetësim vendimet e politikës për sanksione kundër Rusisë si pasojë e krizës së Krimesë. Por edhe ndikimi mbi ekonominë ruse do të ishte mjaft negativ.

I vendosur dhe energjik u prezantua Presidenti i SHBA gjatë vizitës së tij në Evropë: "Jemi të një mendje se Rusia duhet të paguajë për veprimet e saj të deritanishme", tha Barak Obama në Amsterdam pas një takimi me kryeministrin holandez Mark Rutte. Fjalën e ka për sanksione më të ashpra ekonomike të Perëndimit kundër Rusisë. Obama duket i bindur për efektivitetin e tyre. "Shtimi i sanksioneve do të ketë pasoja të ndjeshme për ekonominë ruse".

Barack Obama në aeroportin Schiphol në Amsterdam

Barack Obama në aeroportin Schiphol në Amsterdam

Por partnerët evropianë janë skeptikë. Në fund sanksionet mund të kishin ndikim negativ mbi ekonomitë e tyre pasi ato janë të lidhura shumë më fort me Rusinë se SHBA. Qoftë sektori i turizmit në Greqi dhe Qipro, qoftë metropoli financiar Londër: evropianët tregohen disi më të përmbajtur sa i takon sanksioneve ekonomike kundër Rusisë.

Kur kapitali nuk rrjedh më

Edhe në Gjermani sipërmarrjet i druhen kostove të larta që mund të lindin si pasojë e masave më të ashpra ndëshkuese. Pasi për ekonominë gjermane janë në lojë shumë gjëra. Të paktën kjo është përshtypja që të krijohet kur dëgjon me vëmendje çfarë thuhet nga bordet drejtuese të kompanive të mëdha. "Ne ndiejmë që tani ngarkesat nga kursi i këmbimit me rublën", tha shefi i Opelit, Karl-Thomas Neumann për gazetën e sektorit "Automobilwoche". Rusia në 2020 do të jetë tregu më i madh i automobilëve në Evropë. Dhe zhvillimi deri atëherë do të jetë si në një maratonë, me ulje dhe ngritje, thotë Neumann.

Ka edhe të tjerë që paralamërojnë: "Kush kërkon në debatin aktual sanksione më të forta kundër Rusisë, luan me zjarrin", thotë Martin Sonnenschein, konsulent pranë A.T. Kearney dhe përgjegjës për Evropën Qendrore. "Pasojat do të ishin fatale për ekonominë dhe mirëqënien shoqërore në Gjermani". Kush do të investojë tani në Rusi duhet të marrë me siguri parasysh rreziqe të larta, thotë eksperti.

Jürgen Pfister

Jürgen Pfister

Kriza e Krimëse - një akt i vështirë ekuilibri për ekonominë. Sipërmarrjet ndjekin zhvillimet politike dhe shpresojnë të shpëtojnë me plagë të lehta. Firmat që eksportojnë apo investojnë në Rusi i kanë reduktuar për momentin pritjet e tyre : "2014 duhej të ishte në të vërtetë një vit shumë i mirë investimesh për sipërmarrjet gjermane në Rusi", thotë Volker Treier, zv/drejtor i Konferencës së Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë gjermane, "por tani investimet po shtyhen, disa prej tyre thjesht po anulohen. Kapitali del dhe bankat e rendisin Rusinë tani si partner të rrezikshëm dhe japin pak kredi." Po bëhen përgatitje për skenarin më të keq dhe shpresohet më e mira, kjo duket se është strategjia e sipërmarrësve të huaj në Rusi.

Frikë e përligjur?

"Në të vërtetë rëndësia e tregtisë së jashtme mes Gjermanisë dhe Rusisë është shumë e vogël për ta lënë të kthehet në problem", thotë eksperti i financave Jürgen Pfister. Ndërmarrje të veçanta do të preken vërtet, por në aspektin makroekonomik nuk kemi të bëjmë me një rrezik të madh, thotë Pfister në intervistë me Deutsche Welle.

Rusia kontribuon me vetëm 3,8 për qind në totalin e eksporteve gjermane. Në vitin 2018 eksportet drejt Rusisë ishin vetëm 38 miliardë euro në një total eksportesh prej 1 bilion eurosh. Pjesa në totalin e investimeve jashtë vendit llogaritet në 1,8 për qind.

Edhe pse shifrat flasin vetë, Volker Treier nga DIHK nuk e sheh fare pa shqetësim situatën dhe mendon për pasoja të tjera të sanksioneve të mundshme: si makroekonomi Gjermania mund t'i përballojë ato, "por dëme për ne ka. Në Gjermani një në tre vende pune është i varur nga eksporti. Nëse sanksionet do të viheshin në zbatim, do të prekeshin plot 400.000 vende pune këtu në Gjermani."

Moska tregohet e sigurt për fitoren

Deri tani Rusia mban një qendrim krejtësisht indiferent për planet e kryetarëve të shteteve dhe qeverive të G7 në Hagë. Shefi dhe aksioneri më i madh i bankës ruse "Rossija", Juri Kovaltschuk deklaroi të dielën se sanksionet e SHBA i kanë sjellë bankës madje klientë të rinj nga radhët e rusëve patriotë. Presidenti rus Vladimir Putin kishte thënë pak kohë më parë se ai do të hapte një llogari pranë bankës "Rossija". Instituti bankar me qendër në Shën Petërburg sipas të dhënave të ditës së hënë, këshillon që një herë për një herë të mos bëhen pagesa dhe transferta në valutë të huaj në llogaritë e bankës. Transfertat në rubla janë pa problem.

Por Rusia nuk është e paprekshme. Vendi mund të preket fort nga kufizimet e marrëdhënieve tregtare me Perëndimin, mendon Jürgen Pfister. "Të gjitha të ardhurat nga eksporti rezultojnë në pjesën kryesore nga shitjet në Perëndim. Nëse ai vihet në rrezik do të rrezikohej edhe rritja ekonomike në Rusi, e cila vitet e fundit ka qenë shumë e dobët", thotë eksperti.

Ndërtesa e bankës Rossija në Shën Petërburg

Ndërtesa e bankës Rossija në Shën Petërburg

Edhe për këtë arsye Rusia duhet të mendohet dy herë nëse ia lejon dot vetes në periudhë afatgjatë të mbyllë rubinetin e gazit. Komisioneri i BE-së për energjinë Günther Oettinger nuk pret ndërprerje të furnizimit të Evropës me gaz nga Rusia për shkak të konfliktit të Ukrainës: "Unë mendoj se rusët nuk kanë interes ta bëjnë këtë", tha politikani i CDU-së për revistën "Wirtschaftswoche". "Gazprom është i interesuar për të ardhurat e përditshme nga shitjet", tha Oettinger duke iu referuar koncernit të kontrolluar nga shteti. Rusia ka nevojë jo vetëm për të ardhurat por edhe për investimet nga BE. Do të ishte në interes të saj që makinat gjermane të mos prodhoheshin vetëm në Ingolstadt apo Sindelfingen por edhe në qendra në Rusi."

Nëse kërcënimet nga të dy palët do të ashpërsohen, në fund do të ketë me siguri më shumë humbës se fitues. Ekspertët për këtë arsye bëjnë thirrje për qendrime të moderuara. "Nëse Rusia kufizohet me aneksimin e Krimesë dhe nuk ndërhyn më shumë në Ukrainë, duhet të distancohemi nga sanksione më të ashpra ekonomike", thotë Pfister. Ky është një qendrim pragmatist që i kundërvihet një ashpërsimi të krizës. Por a do t'i përmbahet atij palët?