1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Finlandezët ndihmojnë vetëm kundrejt garancive

Si i vetmi vend i eurozonës Finlanda merr garanci për kreditë e saj të ndihmës për shtetet me borxhe. Ata vlerësohen me notën "AAA" nga agjencitë e vlerësimit. Përse nuk kërkojnë të gjithë kredidhënësit garanci?

Kur pak kohë më parë agjencia e vlerësimit Moody's vuri në pikëpyetje kredibilitetin e Gjermanisë, të Luksemburgut dhe të Holandës, Ministria finlandeze e Financave lëshoi me krenari një deklaratë për shtyp. Vetëm për Finlandën sheh Moody's perspektivë "të qëndrueshme". "Jemi shumë të kënaqur, që Moody's i beson menaxhimit të politikës sonë financiare", shkroi Ministrja finlandeze e Financave Jutta Urpilainen (fotografia sipër). Pra Finlanda e ruan notën e saj "AAA" derisa Moody's sheh shenja mbingarkese te tri shtetet e tjera të euros, udhëheqëse ekonomikisht. Sipas gjykimit të agjencisë së vlerësimit Finlanda është siguruar me zgjuarsi gjatë shpëtimit të shteteve të eurozonës me borxhe dhe ka shmangur rrezikun financiar. Si bëhet kjo?

Ministrja finlandeze e Financave Jutta Urpilainen.

Ministrja finlandeze e Financave Jutta Urpilainen.

Finlanda kërkon garanci

Si i vetmi vend i eurozonës Finlanda mori garanci një vit më parë nga Greqia dhe tani për shpëtimin e bankave në Spanjë. Finlanda argumenton se çdo kredidhënës sigurohet kundër humbjeve, duke kërkuar një peng. Ministrja e Financave Urpilainen arriti në negociatat me qeverinë spanjolle, që 40 për qind e shumës së kredisë prej 2,2 miliardë eurosh të vihet si garanci. Pra qeveria spanjolle duhet të paguajë rreth 800 milionë euro në llogaritë finlandeze, për të marrë 1,4 miliardë euro. "Jam shumë e kënaqur me rezultatin tha Ministrja e Financave pas marrëveshjes me Madridin. Këtë sistem me pengje qeveria finlandeze e pati përdorur njëherë para një viti te paketa e dytë e shpëtimit për Greqinë. Ndryshe nga kredidhënësit e tjerë të eurozonës Finlanda heq dorë nga interesat për kreditë e saj të ndihmës. Këtë sistem me pengje, që mund të duket i çuditshëm, qeverisë finlandeze i është dashur ta arrijë në negociata të vështira me partnerët e saj në eurozonë. Me këtë, në koalicionin me gjashtë parti nën udhëheqjen e konservatorëve, merret parasysh atmosfera mbizotëruese euroskeptike në Finlandë. Partia më e madhe opozitare janë "Finlandezët e vërtetë", të cilët e refuzojnë pjesëmarrjen në ombrellat e shpëtimit.   

Obligacionet shtetërore si obligacione hipotekore?

Meqenëse sistemi funksionon kaq mirë për Finlandën, në samitin e fundit të BE-së në qershor në Bruksel Ministri finlandez për Evropën, Alexander Stubb, shkoi më larg. Ai propozoi që të gjitha shtetet e eurozonës t'i sigurojnë obligacionet e tyre shtetërore me garanci. "Të lëshojmë vetëm obligacione hipotekore", tha Alexander Stubb në qershor për Deutsche Welle-n. "Në këtë mënyrë mund të rritet për investuesit kredibiliteti dhe atraktiviteti i obligacioneve të shteteve, të cilave u kërkohet me forcë të sillen në një mënyrë të caktuar." Praktikisht kjo do të thotë që Greqia apo Spanja të duhet të lënë peng për kredi ndihme rezervat e arit të bankave të tyre qendrore, pjesë të sipërmarrjeve shtetërore ose troje. Pastaj, në qoftë se një ditë Greqia nuk do t'i shlyente kreditë e saj, zotëruesit të obligacioneve shtetërore do t'i përkiste një copë e Aeroportit të Athinës apo një truall më Mykonos. Këto obligacione shtetërore të siguruara Finlanda i ka përdorur vetë në fillim të viteve nëntëdhjetë për të kapërcyer një krizë financiare në vend, tha Ministri për Evropën Alexander Stubb. "Funksionoi!"

"Debitorët nuk kanë mjaft garanci!"

Këshilla nga vendi me notën më të mirë - Kryeministri italian Monti me presidentin finlandez Sauli Niinistö

Këshilla nga vendi me notën më të mirë - Kryeministri italian Monti me presidentin finlandez Sauli Niinistö

Në samitin e BE-së në qershor propozimi i pazakontë i finlandezëve ra në vesh të shurdhër. Pasi Moody's gati e fisnikëroi tani modelin finlandez, mund të nisin reflektime në rrugë të reja. Kryeministri italian Mario Monti, vendi i të cilit ka vështirësi, që t'i shesë me norma interesi të arsyeshme obligacionet e tij, ishte të mërkurën (01.08.2012) për vizitë në Finlandë. Ai donte t'i shpjegonin modelin e qeverisë finlandeze. Atëherë Italia mund të vërë peng dikur rrënoja romake apo pallate veneciane? Ekonomistja Cinzia Alcidi e "Centre for European Policy Studies" në Bruksel thotë jo. "Pika kyç është që në krizën aktuale debitorët nuk janë në gjendje t'i plotësojnë këto kërkesa", i tha Cinzia Alcidi Deutsche Welle-s. "Besoj që pas një kohe shumë të shkurtër vendet, të cilat janë në vështirësi, nuk mund të ofrojnë më garanci dhe nuk mund t'ua heqin rrezikun e kredisë huadhënësve." Për një vend relativisht të vogël si Finlanda, që është i përfshirë në masë të vogël në ndihmat për Greqinë apo Spanjën, kjo ndoshta funksionon ende. "Sikur ta bënin këtë të gjithë, nuk do të funksiononte."