1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Financat e Qipros në lupë të trojkës së BE-së

Pikërisht në ditën e parë pas fillimit të presidencës së BE-së në Qipro arriti trojka e BE-së. Përfaqësuesit e BE-së, FMN-së dhe BQE-së filluan kontrollet sepse Qiproja ka kërkuar ndihma nga Fondi i shpëtimit të BE-së.

Ashtu siç ishte njoftuar më parë qeveria qipriote bleu aksionet në vlerë prej 1.8 miliardë euro të Bankës Popullore të Qipros, e cila öshtë e goditur nga kriza. Ky hap u ndërmorr si masë për shpëtimin e kësaj banke nga falimentimi. Qiproja mund ta përballojë këtë vetëm për shkak se ndodhet nën ombrellën e shpëtimit të Bashkimit Evropian. Tani ekspertët e financave të Trojkës, pra të Bashkimit Evropian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore Evropiane duan të hetojnë se sa miliarda euro i nevojiten gjithsej Qipros.

Të 30 ekspertët e trojkës filluan sot në mëngjes në kryeqytetin e Qipros, Nikozi që të marrin në lupë financat e bankave të cilat kanë humbur shumë para përmes kredive të firmave greke apo të shtetit grek. Më vonë trojka do të hetojë edhe gjendjen në buxhetin shtetëror të Qipros. Është e mundur që Qiproja do të jetë e detyruar të përmbush ca detyra para se të ketë marrë ndihmat e fondit të shpëtimit.

Trojka rikthehet edhe në Athinë

Javën e ardhshme ajo dëshiron të kontrollojë atje se deri në çfarë mase kanë ngecur kursimet dhe programi i reformave në Greqi shkaku i dy raundeve të votimit në maj dhe qershor. Gjatë fushatës elektorale pothuajse të gjitha partitë greke kishin paralajmëruar se do t'i japin fund masave të ashpra të kursimeve apo të paktën zbutjen e tyre. Pak para fillimit të kontrollit të Trojkës në Athinë qëndroi Jörg Asmussen nga Bordi i Bankës Qendrore Evropiane dhe tha se nuk ka asnjë alternativë për programin e kursimit dhe shpëtimit: ”Ky program është opsioni më i mirë për Greqinë“, deklaroi Asmussen.

Nëse ekonomia greke nuk ka filluar ende të ngjitet përpjetë atëherë kjo ka të bëj me faktin se ky program nuk është zbatuar siç duhet . Në këtë mënyrë Asmussen refuzoi dëshirat e qeverisë në Athinë për zbutjen e masave të kursimit. Kryeministri i ri Antonis Samaras kërkon më shumë kohë për vendin e tij për të arritur objektivat e kursimit, ai nuk dëshiron të pushojnë nga puna nëpunësit publikë, ai dëshiron të mbështes në të ardhmen të papunët me ndihma financiare për dy vjet e jo vetëm një vit, ai dëshiron të ulë taksat.

Nuk mund të pritet që të ndodhin mrekullira

Por të gjitha këto kushtojnë para; para të cilat nuk i ka Greqia. Jörg Asmussen e bëri të qartë gjatë vizitës së tij në Athinë: më nuk mund të shpenzohen më shumë para se sa që fitohen, të gjitha vendet e euros duhet t'ju përmbahen rregullave dhe të kufizojnë shpenzimet e tyre. "Ne duhet të zotohemi që në këtë mënyrë të forcojmë sërish Bashkimin Ekonomik dhe të Euros. Kjo është rruga e vetme për dalje nga kriza. Në këtë mes nuk mund të presim që të ndodhin mrekullira."

Vetëm me financa solide mund të ketë sërish rritje ekonomike dhe vetëm atëherë investitorët e huaj do të vijnë në Greqi. Prandaj, Asmussen e këshilloi qeverinë greke që të mos humbasi kohë duke provuar që të rinegociojë programin e kursimeve por të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur të zbatojë atë.

Autor: Thomas Bormann / Esat Ahmeti