1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Finalizohet akordi Gjermani-Shqipëri për sigurimet shoqërore

Arben Muka23 Shtator 2015

Tirana dhe Berlini kanë finalizuar akordin zyrtar për njohjen e kontributeve të emigrantëve shqiptarë me dokumente të rregullta.

https://p.dw.com/p/1Gbt3
Ministerium für Arbeit in Tirana
Fotografi: DW/A. Muka

Që nga vera e vitit 2014 Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë në Tiranë ka pasur kontakte intensive me institucion homolog në Gjermani për përgatitjen dhe miratimin e një marrëveshje bashkëpunimi për kontributet e pensioneve për emigrantët shqiptarë me dokumente të rregullta. Të mërkurën (23.09), në kuadër të qëndrimit në Tiranë të Sekretarit të Shtetit për Mbrojtjen Shoqërore, Jörg Asmussen ka zyrtarizuar këtë akord me ministrin shqiptar të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.

Kontributet për pensione njihen në të dy vendet

Sipas burimeve nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë në Tiranë, përfitues të drejtpërdrejtë janë aktualisht rreth 15 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe kanë bërë derdhjen e sigurimeve sociale për efekt pensioni. “Përmes kësaj marrëveshjeje ne u japim atyre të drejtën që këto pensione të njihen në të dyja vendet dhe përllogaritja e kontributeve dhe e viteve të punës të mos humbasin”, tha pas aktit të nënshkrimit ministri Klosi.

Ndërkohë që zyrtari i lartë gjerman, Jörg Asmussen, duke e shpjeguar marrëveshjen në terma konkrete, sqaroi se nëse një punëmarrës shqiptar apo punëmarrës gjerman punon për një periudhë 5 vjeçare, 2 prej tyre në Gjermani dhe 3 prej tyre në Shqipëri, periudhat e sigurimeve shoqërore do të kenë mundësi të llogariten në pretendimet e tij për pension”.

Rëndësia e këtij akordi mes dy shteteve qëndron dhe në faktin se Gjermania është e treta për numrin e emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë, pas Greqisë dhe Italisë. Autoritetet në Shqipëri janë në negociata për të arritur marrëveshje të tilla për njohjen e kontributeve të pensioneve dhe me 13 vende të tjera me përqëndrim të konsiderueshëm të emigracionit nga Shqipëria, në përputhje me aktet e njohura ndërkombëtare në këtë fushë.

Punësimi në Gjermani vetëm në rrugë ligjore

Vizita e Sekretarit të Shtetit Asmussen është në kontekstin e diskutimit mbi azilin në Gjermani dhe vende të tjera të BE-së. Ndaj dhe në bisedimet që ka pasur në Tiranë kjo temë është nënvizuar. Sipas Jörg Asmussen shanset për përfitim azili janë krejt të papërfillshme, në rreth 0.2 përqind të të gjithë aplikimeve. “Për të gjithë këtë kategori njerëzish ka rrugë ligjore për të ndjekur për të siguruar mundësinë e qëndrimit të tyre në Gjermani, sikurse mund të jetë mundësia e përfitimit të kartës blu të BE-së, apo mundësia e gjetjes së një vendi pune në listën e 140 profesioneve të munguara, apo në të cilat në Gjermani ka mungesa të theksuara. Pra, pikërisht edhe ky grup tjetër njerëzish të cilët shfrytëzojnë mundësitë ligjore për të siguruar të drejtën e tyre të qëndrimit në Gjermani janë përzemërsisht të mirëseardhur atje.”

Pjesë e diskutimeve Asmussen - Klosi ka qenë dhe mbështetja që jep Gjermania për arsimin profesional, shkëmbimi i eksperiencës dhe ndihmës teknike gjermane në këtë aspekt, punësimit dhe shërbimeve sociale etj.