1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Fillon samiti për armët bërthamore

Përfaqësues nga 47 vende janë mbledhur në Uashington për të diskutuar mbi rreziqet e terrorizmit bërthamor. Samiti mbahet me ftesë të presidentit amerikan, Barack Obama. Pjesë merr edhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

Takimi dypalësh i presidentit Obama me homologun e tij ukrainas, Viktor Janukoviç.

Takimi dypalësh i presidentit Obama me homologun e tij ukrainas, Viktor Janukoviç.

Që përpara fillimit të samitit, Robert Gibbs, zëdhënësi për shtyp i Shtëpisë së Bardhë, njoftoi një rezultat të takimit dypalësh të presidentit Obama me homologun e tij ukrainas, Viktor Janukoviç: "Ukraina deklaroi sot se do të eliminojë uranin e saj shumë të pasuruar deri në samitin e ardhshëm bërthamor në vitin 2012. Një pjesë e madhe e materialit bërthamor do të largohet që këtë vit. Ukraina do të modifikojë strukturat e saj civile të kërkimeve bërthamore, në mënyrë që ato të funksionojnë me uran të pasuruar dobët."

Sipas marrëveshjes dypalëshe, amerikanët do t'i japin Ukrainës ndihmë financiare dhe teknike. Detajet e marrëveshjes janë ende për t'u përpunuar, por materiali radioaktiv mendohet se do të çohet në Rusi.

Fillon takimi për armët bërthamore.

Fillon takimi për armët bërthamore.

Më vonë edhe Kanadaja njoftoi se do të transportojë në SHBA uranin e saj shumë të pasuruar.

Në Uashington bëhet inventari

Deklarata të tilla janë objektivi afatshkurtër i takimit të nivelit të lartë në Uashington. Kështu brenda katër viteve të ardhshme materiali bëthamor do të mbrohet nga terroristët. Në Uashington fjala nuk është për përcaktim faji por për një lloj inventari. Megjithatë sipas këshilltarit të Obamës për luftën kundër terrorizmit një gjë është fare e qartë: "Janë disa vende që këtë material duhet ta mbrojnë më mirë në mënyrë që terroristët të mos shfrytëzojnë dobësitë e tyre."

Ka mjaft informacione se organizata terroriste si El Kaida, synojnë të fusin në duar material nuklear. Por Brennan nuk mund të thotë nëse El Kaida është në gjendje që tani të prodhojë armë bërthamore.

Në shumë raunde diskutimesh duhet të sqarohet se cilat vende kanë nevojë për ndihmë dhe cilat shtete mund të ofrojnë këtë ndihmë. Në fund priten deklarata obligimi nga vendet e veçanta dhe një axhendë për hapat e ardhshëm.

Gjermania shembull për "bombat e papastra"

Kancelarja gjermane Angela Merkel tërhoqi vëmendjen ndaj të ashtuquajturave "bomba të papastra". Me to nënkuptohen bomba konvencionale të cilat kanë edhe përmbajtje radioaktive. Këtu mjaftojnë sasi të vogla materiali radioaktiv p.sh. nga mjekësia, industria apo shkenca për të shkaktuar dëme të mëdha dhe para së gjithash për të përhapur panik. Deri në samitin e ardhshëm pas dy vjetësh duhet të përcaktohet se si shtetet e veçanta duhet ta trajtojnë këtë problem. Me ligjet e saj për materialet bërthamore Gjermania mund të bëhet shembull për zgjidhjen e një problemi, i cili përballë rilindjes së energjisë bërthamore po merr gjithnjë e më shumë rëndësi.

Në qendër të takimit është megjithatë përhapja e armëve bërthamore. Fuqitë bërthamore kanë konfirmuar që ky nuk është problem i rremë, tha kancelarja Merkel: "Është tërhequr vëmendja je se për këto çështje të përhapjes së armëve bërthamore nuk ekzistojnë aspak mekanizma ligjorë, me të cilat për shembull të ndiqen juridikisht shtetet që u japin material nuklear organizatave terroriste."

Kërkohet siguri ligjore ndërkombëtare

Merkel kërkoi që në këtë aspekt të krijohet siguri ligjore në plan ndërkombëtar. Më tej kancelarja tha: "Besoj se me këtë konferencë duhet të forcojmë edhe organizatat ndërkombëtare të cilat merren me çështje të trajtimit të materialit nuklear. Këto janë së pari Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore dhe së dyti forcimi i konventave në kuadër të OKB-ë që janë sot në fuqi por që nuk gjejnë sa duhet zbatim në praktikë."

Gjatë mbrëmjes së parë sipas kancelares Merkel diskutimet u përqëndruan në analizën e kërcënimeve të ndryshme nga materiali radioaktiv dhe armët bëthamore. Në samit temë ishte edhe konflikti rreth programit bërthamor të Iranit, e cila u trajtua para së gjithash në bisedën 90-minutëshe mes presidentit Obama me homologun e tij kinez Hu Jintao. Kina sipas një zëdhënësi të delegacionit kinez premtoi të bashkëpunojë në hartimin e një rezolute të re të OKB-së. Në konfliktin me Iranin, Kina dhe SHBA-ja kanë të njëjtin objektiv, u tha.

Samiti do të vazhdojë punimet edhe të martën (13.4.). Pritet që SHBA-ja dhe Rusia të nënshkruajnë një marrëveshje për reduktimin e rezervave respektive të plutonit që mund të përdoret për prodhim armësh.

Autor: Christina Bergman/ Eliana Xhani
Redaktoi: Aida Cama

  • Data 13.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MuxZ
  • Data 13.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MuxZ