1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fillon procesi ndaj Fatmir Limajt

Në bazë të një aktakuze të ngritur nga misioni EULEX Limaj dhe nëntë persona të tjerë akuzohen për krime lufte kundër popullsisë civile dhe robërve të luftës, në fshatin Kleçkë.

default

Fatmir Limaj

Në Prishtinë filloi të premten procesi gjyqësor ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarëve të tij, ish-pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në bazë të një aktakuze të ngritur nga misioni EULEX, ata akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, në fshatin Kleçkë. Akuza është ngritur nga  prokurori i misionit EULEX, Mauricio Salostro.

Sipas aktakuzës së misionit EULEX, këto vepra besohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit të vitit 1999, kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër sic thuhet të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në fshatin Kleçkë.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Para fillimit të procesit gjyqësor për rastin Kleçka, avokati i deputetit Limaj, Tahir Rrecaj, tha për mediat lokale në Kosovë, se nga trupi gjykues do të kërkojë shtyrjen e procesit deri në janar të vitit 2012, për faktin që sipas tij, mbrojtja ende nuk ka arritur të marrë autopsinë lidhur me rrethanat dhe arsyet e vdekjes se dëshmitarit kryesor në këtë proces.

Dëshmitari kryesorë në këtë proces parashihej të ishte Agim Zogaj, një bashkëluftëtar i zotit Limaj, i cili u gjet i vdekur në qytetin Duisburg të Gjermanisë më 28 shtator të këtij viti. Agim Zogaj, i cili njihej si dëshmitari X, ishte në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve të misionit EULEX.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, që nga 20 shtatori i këtij viti nuk e gëzon më imunitetin e deputetit me një vendim të Gjykatës Kushtetuese , ndërsa, tash e një muaj ai ishte në arrest shtëpie.

Zoti Limaj në vitin 2005, u përball me akuza për krime lufte në Kosovë edhe nga Tribunali i Hagës, mirëpo ai u shpall i pafajshëm.

Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Aida Cama