1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Fillon nga puna "kanali serb" në RTK

Pas përgatitjeve të shumta me 3 qershor filloi transmetimet kanali i dytë i RTK-së, i njohur edhe si "kanali serb". 85 % e programit do të jetë në gjuhën serbe, 15 % në gjuhët e minoriteteve të tjera.

Anamari Repiq, zëvendësdrejtore e përgjithshme në RTK, thotë se të gjitha përgatitjet kanë përfunduar me kohë dhe se fillimi ishte i suksesshëm. Prioritet në fillim do të kenë emisionet informative, temat aktuale, debatet politike dhe të tjera, analizat dhe intervistat. Më pas programi në gjuhën serbe do të plotësohet edhe me emisione të profileve të tjera. "Janë siguruar të gjitha pajisjet, janë pranuar gazetarët dhe kameramanët e kërkuar dhe është kompletuar personeli, që do të punojë në këtë redaksi. Redaksia ende nuk është ndarë në sektorët për kulturë, sport etj. Por besoj se redaksia do të zhvillohet edhe më tej", pohon Repiq.

Në Kosovë ka aktualisht më shumë se 100 radio dhe televizione të ndryshme, ndër to 38 në gjuhën serbe. Ka dhe të paktën 12 portale interneti dhe shumë gazeta në gjuhën shqipe. Ka dhe oferta të shumta të operatorëve kabllovikë, ku janë të përfshira gati të gjitha familjet e Kosovës (me një çmim prej pesë euro në muaj). Në këto kanale gjenden edhe dhjetëra televizione të vendeve fqinje në radhë të parë të Serbisë dhe Shqipërisë. Prezente janë edhe programe të Kroacisë, Bosnjë Hercegovinës dhe Maqedonisë.

Programi informativ do tö ketë prioritet në RTK2

Programi informativ do tö ketë prioritet në RTK2

Fillimi nga puna i kanalit të dytë televiziv në RTK ka shkaktuar komente të ndryshme. Zhivojin Rakoçeviq, gazetar dhe shkrimtar, thotë se sipas planit të Ahtisarit parashikkohet që ky program të jetë "vërtetë i pavarur". Por ai mendon se ky kanal do t'i shërbejë autoriteteve në Prishtinë, që të shpresin mendimet e tyre në gjuhën serbe. Nga ana tjetër politologu Fatmir Pireci mendon se fillimi i transmetimeve në Kanalin e Dytë paraqet "një demonstrim të vlerave civilizuese dhe demokratike të shtetit të Kosovës, por edhe vendosmëri të institucioneve për integrimin e bashkësisë etnike serbe në shoqërinë kosovare".

"Kanali i dytë do të mundësojë që bashkësia etnike serbe të informohet me realitetin në Kosovë dhe jo të furnizohet vetëm me informacione nga Beogradi dhe nga qarqet (ultra)nacionaliste nga qarqe të ndryshme të disa pjesëve në Kosovë", pohon Pireci.

Interesim i madh për RTK 2

Interesim i madh i serbëve për të punuar në kanalin e dytë.

Interesim i madh i serbëve për të punuar në kanalin e dytë.

Në kanalin e dytë të RTK, i cili do të financohet nga Kuvendi i Kosovës, 15 % e hapësirës mediatike do t'i kushtohet edhe gjuhëve të bashkësive të tjera etnike Kosovës: boshnjake, turke dhe rome. Këto bashkësi etnike edhe deri tani kanë pasur një hapësirë prej 15 minutash për emisione informative në RTK. Ato kanë edhe emisione javore prej një ore. Daut Qulangji, redaktor në programin në gjuhën rome, mendon se ata do të kenë një hapësirë të konsiderueshme edhe në Kanalin e Dytë, apo në "kanalin serb", siç quhet në Kosovë RTK2.

Për punë në kanalin e dytë ka pasur një interesim shumë të madh. Në konkurs janë paraqitur qindra kandidatë, më së shumti serbë. Jelena Gjorgjeviq priste me padurim fillimin e programit. Asaj nuk i pengon fare fakti që selia e programit do të jetë në Prishtinë dhe jo në Graçanicë, siç kanë kërkuar disa qarqe serbe. "Nuk ka ndonjë problem, sepse serbët e jugut të Kosovës me vite të tëra lëvizin të lirë nëpër Prishtinë. Lajmi se më kanë pranuar në RTK, më ka gëzuar shumë", pohon ajo.