1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale

4 Mars 2013

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 24 Marsit ka filluar zyrtarisht. Zgjedhjet do të mbahen në 80 komuna dhe në qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale. Numri i kandidatëve ende jo final.

https://p.dw.com/p/17q4c
Qendra e Shkupit
Qendra e ShkupitFotografi: DW

Numri i kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë ende nuk është përfundimtar, sepse me ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor dhe ndërprerjren e bojkotit të zgjedhjeve nga opozita maqedonase, Parlamenti ka shtyrë afatin për dorëzimin e listave nga opozita deri më 8 Mars. Të drejtën e votës në zgjedhjet lokale do ta kenë mbi 1 milionë e 700 mijë qytetarë, ata do të votojnë për partitë dhe kandidatët sipas numrit rendor të përcaktuar në listën e votimit nga ana e Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Tri parti shqiptare në garën zgjedhore

Votuesit shqiptarë në zgjedhjet lokale të 24 Marsit do të mund të zgjedhin midis kandidatëve të tri partive politike shqiptare që garojnë në këto zgjedhje. Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) me moton “Bashkë ndërtojmë” do të konkurojë me numrin më të madh të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe lista të këshilltarëve komunalë, partia opozitare shqiptare PDSH në këto zgjedhje del me platformën “Beteja vazhdon” , ndërsa partia Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) me moton “Vazhdojmë me ndryshime”.

Në bllokun politik shqiptar për zgjedhjet lokale të 24 Marsit është formuar vetëm një koalicion parazgjedhor, të cilin e përbëjnë BDI, DR dhe PEI. Elektorati në zgjedhjet lokale do të ketë mundësi të përzgjedhë edhe nga oferta e tri kandidatëve të pavarur shqiptar që konkurojnë në Dibër, Haraçinë dhe Çair. Gara më e ngushtë midis partive shqiptare sipas analistëve politikë do të jetë në Tetovë, Gostivar, Strugë dhe Dibër, ndërsa për komunën e Kërçovës është arritur marrëveshje që të përkrahet vetëm kandidatura e BDI-së, me qëllim të mospërçarjes së votës shqiptare. Në komunën e Kërçovës për herë të parë pritet që kryetar komune të jetë kandidati shqiptar.

Në bllokun politik maqedonas, partia në pushtet VMRO-DPMNE udhëheq koalicionin e përbërë nga 20 parti politike. Me moton “Zgjedh vepra” ky koalicion do të garojë në 70 komuna. Partia opozitare LSDM ,e cila poashtu në koalicionin e saj përfshin një numër të madh të partive opozitare, do të garojë në mbi 60 komuna.

Raporti financiar i fushatës - obligues

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve u ka kujtuar partive garuese në zgjedhjet lokale se në ditën e 11 nga dita e fushatës zgjedhore duhet të dorëzojnë raport financiar për të ardhurat dhe shpenzimet në xhiro-llogarinë e fushatës zgjedhore. Raportin financiar, organizatori i fushatës është i obliguar ta dorëzojë edhe një ditë pas përfundimit të fushatës në formular të rekomanduar nga Ministria e financave.

Fushata zgjedhore do të vazhdojë deri më 22 mars. Pas kësaj pason dita e heshtjes zgjedhore, ndërsa me 24 mars qytetarët dalin në votim.

Autor: Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi