1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Fillimi i pluralizmit politik në Shqipëri

Për aspektet kryesore të pluralizmit politik në Shqipëri në dy dekadat e fundit korrespondeti ynë në Tiranë Arben Muka, bisedoi me analistët Frrok Çupi dhe Skënder Minxhozi.

Frrok Çupi

Frrok Çupi

Lëvizja Studentore e Dhjetorit të vitit 1990 nga Tirana u përhap në një kohë të shkurtër në të gjithë vendin. Një nga arritjet e para të saj ishte detyrimi për rregjimin e atëhershëm komunist që të pranonte pluralizmin politik, si një instrument thelbësor për demokracinë. Më 12 dhjetor 1990 në një tabum të jashtëzakonshëm u njoftua vendimi për krijimin e Partisë Demokratike si partia e parë alternative opozitare pas afër gjysëm shekulli diktaturë komuniste. Më pas spektri politik në Shqipëri u pasurua dhe me formacione të tjera partiake të djathta, të majta apo të qendrës.

Analisti politik Frrok Çupi, është drejtor i së përditshmes “Agon” që botohet në Tiranë. Ai ka qënë kryeradaktori i gazetës së parë opozitare, “Rilindja Demokratike”, që nisi të botohet me rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri në janar të vitit 1991. Si një ndër aktivistët kryesorë për themelimin e Partisë Demokratike, Çupi shpreh distancimin nga gjykimet bardh e zi që i bëhen pluralizmit shqiptar. Ai e shikon periudhën 20 vjeçare në dinamikë, që siç thotë për DW, ka edhe arritje sinjifikante, por dhe aspekte të cilat do të duan të përmirësohen e konsolidohen në të ardhmen.

“Si një dëshmitar i parë, ose si të thuash si një protagonist i asaj lëvizje mund të them se vërtet shumë gjëra janë arritur. Në rradhë të parë është arritur demokratizmi. Ne jetojmë në një sistem demokratik. Nuk jetojmë në një shoqëri demokratike, por jetojmë në një sistem demokratik. Kjo është shumë e rëndësishme. Të thuash se je një shoqëri demokratike kjo kërkon shumë kohë. Për arësye se është dhe çështje e individit, e kulturës qytetare, është dhe çështje e ekonomisë etj. etj. Janë shumë probleme, por ne kemi sistemin demokratik. Kemi sistemin pluralist politik, kemi sistemin e ligjeve e kështu me rradhë”.

Frrok Çupi përmend hapat që janë bërë në Shqipëri drejt integrimit euro atlantik të vendit, si një përmbushje e thirrjeve të para të studentëve në Dhjetor të vitit 1990 “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!”. Sipas tij njëri prej vendeve më fanatike komuniste tashmë është anëtar i NATO-s, është përfshirë në programin e liberalizmit të vizave për në zonën Schengen të BE-së, pret marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Çupi shton dhe rrjetin e institucioneve të vendit, që janë në konsolidim duke përqafuar standartet si në shtetet europiane, njerëzit flasim lirshëm, cilido mendon ndryshe nga të tjerët.

Skënder Minxhozi

Skënder Minxhozi

“Tani pas 20 viteve shikojmë që edhe ne themeluesit kemi patur gabime. Kemi gabuar se i kemi parë gjërat teorikisht atëhere. I menduam gjërat si në librat e desidentëve të Europës. Nuk ishin në fakt ashtu. Por kjo nuk do të thotë se do të dëshpërohet pjesa tjetër e popullatës. Jemi dëshpëruar ne sepse gjërat nuk shkuan ashtu si i menduam në fillim. Psh., ideja ime ishte që pluralizmi i mendimit dhe media e lirë të ishin vërtet të lira. Por nuk ja kemi mbërritur kësaj. Mendoja gjithashtu se Shqipëria duhet të udhëhiqej nga filozofët, nga intelektualët, njerëzit e ndershëm. Tani e shikoj se ky ka qënë një iluzion i imi dhe i shokëve të mi. Këto dhe të tjera nuk duan të thonë se nuk ke demokraci, por se duhet të presësh, të konsolidosh konceptet dhe praktikat. Ndaj dhe duan parë zhvillimet në dinamikë, në përmirësim”.

Analisti politik, Skëndër Minxhozi, drejtor i revistës javore “MAPO” që botohet në Tiranë, ka qënë student 20 vitë më parë, i angazhuar në Lëvizjen e Dhjetorit '90. Duke bërë një kthim prapa në dy dekadat e kaluara, qysh kur lindi e para parti alternative politike pas rreth gjysmë shekulli diktaturë komuniste, Minxhozi shprehet për DW me nostalgji për 12 dhjetorin e vitit 1990.

“Lindja e Partisë Demokratike ka qënë një sukses historik për popullin shqiptar. Ka qënë një materializim i një numri të madh aspiratash që u mblodhën për një kohë të gjatë. Një fund i natyrshëm nga rregjimi totalitar. Mëgjithatë sot pas 20 viteve kemi mundësinë të bëjmë një bilanc, që për mendimin tim nuk është fort rozë. Partia Demokratike do të duhet të demokratizojë vetëveten. Duket paradoks, por kështu është: mbetet një sfidë që kjo parti të jetë demokratike”.

Minxhozi shikon mjaft elementë, që sipas tij, e mbajnë ish partinë e parë opozitare me një demokraci të vakët. Ai përmend mendësinë e “njëshit”, e mosprezencës së debatit në struktura, anashkalimin e rregullave statutore, një formacion që ka nxjerrë në mënyrë sistematike “armiq” brenda rradhëve. Analisti Skënder Minxhozi menedon se niveli i demokracisë së brendshme në një parti pasqyrohet drejtëpërdrejtë dhe në rezultatin e saj qoftë në pozicionin qeverisës ashtu dhe në opozicion. Duke ju kthyer raporteve ndërpolitike në dhjetëvjeçarin e parë të tranzicionit në Shqipëri, Minxhozi vlerëson për DW mjaft energji të humbura.

“Ishte një dekadë e cila u harxhua kot në tensione dhe përplasje, në burgosje të kundërshtarëve politikë, apo dhe ngjarje të rënda, si ajo e vitit 1997. Të cilat reflektonin kulturën e mangët, nivelin e ulët intelektual, një vetëdije mjaft të dyshimtë nga ata që drejtonin partitë politike, ose nga ata që përbënin forumet drejtuese të këtyre partive. Shkurt, si një inerci e sistemit komunist, i cili i la të gjitha elementët negativë në pluralizmin shqiptar”.

Dukuri e veçantë në dhjetëvjeçarin e dytë sipas Skënder Minxhozit është rekrutimi i disa figurave të reja në politikë, sidomos majtas. Por për Minxhozin kjo prurje e fillimit të viteve 2000 rezultoi në pjesën më të madhe si klienteliste, me lidhje nepotike, ku kriteret e besnikërisë ishin mbi ato të profesionalizmit. Për Skënder Minxhozin, drejtor i revistës javore MAPO, një element që duhet të funksionojë në mënyrë të natyrshme është rotacioni brenda formacioneve politike. “Një koncept që po nuk u zbatua siç ndodh në cilindo vend me standarte, atëhere padyshim që do të vijojë ndrydhja, atrofizimi dhe deformimi i demokracisë brenda partive dhe në tërësi në shoqërinë shqiptare.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 11.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QW4G
  • Data 11.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QW4G